kacimix Anëtar i ri
Numri i postimeve : 104 Age : 46 Vendi : Albania Profesioni/Hobi : Sporti , Muzika Registration date : 26/10/2008
| Titulli: Rinia, bazamenti i një shoqërie Thu Dec 30, 2010 5:26 am | |
| Historia e njerzimit na tregon se rinia është ajo që bën ndryshime rrënjësore në shoqëri. Për fat të mirë rinia në vendin tonë është duke i treguar aftësitë e veta dita ditës, ku dhe shumë prej tyre kane arritur kulminacionin qysh në moshë të re dhe kjo vërteton tezën se gjeneratat e reja mund të përmisojne shumë gjëra për të mirë. Njëri prej tyre është edhe Ardian Ramadani nga Kumanova i cili për një kohë shumë të shkurtër dhe në një moshë të re arriti dicka që për shume moshatar te tij do te ishte tepër e vështirë që të bëhet. Fakt eshte që të përmendet se ai që në moshën 20 vjecare arriti që të bëhet mesimdhënës në gjimnazin e Kumanovës dhe më pas të bëhet edhe ligjërues ne UEJL si profesor i gjuhës frënge. Për më tepër do të keni mundësi që të mësoni më shumë në intervistën që bëmë me të dhe ku u ndamë të kënaqur me informatat që morrëm rreth tij.
1. Z. Ardian me disa fjalë mund që të na e përshkruani kohën e mësimeve në shkollë të mesme dhe më pas të studimeve, suksesi dhe arritjet në përgjithësi ? Duke ju falenderuar, ju përgëzoj për nismat dhe iniciativat e juaja që të intervistoni, që të punoni dhe që të tregoheni se edhe në qytetin tonë të rinjtë tanë punojnë me zell, janë të vyeshëm dhe janë në hap me trendet e kërkuara evropiane dhe amerikane, që për mua janë model shembëlltyrë. Fillimisht më lejo të konstatoj se mes gjeneratës sime dhe kësaj të juaj, egziston një diskrepancë, nga shkaku se edhe rrethanat janë më tjera, kushtet dhe mundësitë janë tani më të mira, ndërsa ne kur ishim nuk i gëzonim këto kushte që i keni ju, si dhe në përgjithësi ekzistonte një lloj percepcioni më tjetër për gjërat në përgjithësi. Mandej, ishim një gjeneratë e pa fat, ngase përjetuam luftërat në rajon, e edhe në Maqedoni, po falë vullnetit dhe guximit i`a dolëm mbanë që të futemi në ujërat e suksesit dhe të tregojmë, se me gjithë vështirësitë dhe peripecitë, kemi afinitete. Ndërsa, më konkretisht, sa i përket pyetjes rreth të kaluarës sime, mund të them se kam bërë përpjekje dhe orvatje të punoj ashtu si duhet, që të jem në hap me ata që i konsideroja se janë të shkëlqyer. Kësisoj, në shkollë të mesme, në klasën që ishte më e mira në gjimnaz, arrita të jem në grupin e atyre më të mirëve. Fati e deshi (lexo: uën besoj edhe në fat), që të studioja në një Universitet që më fascinoi, kur fillova të studioja në ditët e para, me një metodologji të shkëlqyer dhe me mësimdhënës të jashtëm që kishin eksperiencë të bollshme për të na orientuar ashtu si duhet. Dhe kësisoj, zgjodha drejtimin e gjuhës dhe letërsisë frënge, nga shkaku se isha në shkollë të mesme, pjesë e teatrit bilingual fracez, kishim arritur suksese në gjuhën frënge, andaj u përcaktova për frëngjishten, si gjuhë ndërkombëtare, mjaft me peshë dhe rëndësi, si dhe për shkak se ishte e studiuar në raritet, respektivisht ishte deficitare. Falë angazhimit tim dhe të mësimdhënësve, duke mos e mohuar edhe rolin dhe kontributin e familjes arrita, që të zgjedhem student i dalluar i gjeneratës së dytë të të diplomuarve në Universitetin e Evropës Juglindore, duke u akorduar me lavdatë për këtë nga Rektori i atëhershëm, Akademik Alajdin Abazi, si dhe nga Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Në këtë kohë, vlen të përmendet, përpos aktiviteteve të shumta, edhe pjesëmarrja ime në sesionin e tretë të Parlamentit Frankofon të të rinjve në Bruksel, ku prezantoja Maqedoninë në përgjithësi, dhënia pjesë aktive në redaktimin e Libës së Bardhë, e ashtuquajtura Kushtetutë e Parlamentit të ri, si dhe pranimi i një rezolute të bërë personalisht nga unë, që kishte të bënte me pjesëmarrjen e të rinjve në jetën politike, duke theksuar edhe punësimin tim qysh në moshën 20 vjeçare në gjimnazin kumanovar si mësimdhënës i frëngjishtes, nga shkaku se frengjishtja ishte mjaft deficitare, e është edhe sot, si dhe punësimi im në moshën 23 vjeçare në Universitetin e Evropës Juglindore, si profesor i gjuhës frënge, duke qenë i rrethuar në kontinuitet nga të rinj dhe të reja, që më bënin të ndihesha edhe më mirë. 2. Po për studimet post diplomike dhe keni plane të mëtutjeshme për vazhdimin e studimeve në një shkallë më të lartë ? Sa i përket studimeve posdiplomike, për shkak se kisha notë të lartë mesatare, mu mundësua që ashtu siç, pata mbaruar studimet deridiplomike me bursa, të fitoja bursë për studime posdiplomike nga Ministria e Arsimit, e cila më ka ndihmuar mjaft. Këtu nuk dua të harroj papërmendur edhe punën time si mësimdhënës në gjimnazin e Kumanovës, duke i falenderuar drejtorin dhe zëvendës drejtorin e athershëm, profesorët, të gjithë të punësuarit, nxënësit dhe prindët e tyre, që në njëfarë mënyre indirekt apo direkt, kanë kontribuuar që të isha aty ku kam qenë, e falë asaj, të jem aty ku jam tash. Fatmirësisht, nuk u shkëputa nga frengjishtja që e admiroj tej mase, zgjodha për studime posdiplomike drejtimin e diplomacisë dhe shkencave politike, ku rol të pamohueshëm dhe mjaft të madh ka Franca, populli francez dhe frengjishtja në përgjithësi, duke magjistruar me notën më të lartë mesatare në Fakultet, në një doktrinë shumë pak të studiuar, doktrinë kjo puro franceze dhe mjaft relevante në sistemin e mardhënieve ndërkombëtare. Kam plan, që edhe studimet e doktoraturës t`i filloj vitin e ardhshëm, në këtë drejtim, duke tentuar vazhdimisht të punoj ashtu siç kërkohet dhe lypset.
3. Mund të na tregoni celësin e suksesit tuaj, si arritet deri këtu ku dhe jeni ? Ashtu siç edhe ka thënë Benxhamin Dizrael në një rast se “Sekreti i suksesit është këmbëngulja për arritjen e qëllimit,” unë do të kisha pohuar të njëjtën, se në jetë nëse fikson objektivat dhe qëllimet, se çka don të arrish, duke e justifikuar qëllimin tënd, dhe duke pasur normalisht edhe limite në ambiciet, sepse duhet tentuar të arrihet ajo që mundet, e jo ajo që nuk mundet, mendoj se kjo është çelësi i suksesit në jetë, duke mos harruar të përmend edhe punën dhe angazhimin, shëtitjet dhe pjesëmarrjen nëpër evenimente të ndryshme, shoqërimi me njerëz të ngritur, e kështu me radhë. 4. Keni të botuar dy libra me studime shkencore. Disa fjalë në lidhje me to dhe keni në plan që të botoni këso lloj librash ? Po, ashtu është. Siç edhe do të thoshte Ajnshtajni imadh, “Vlera e një njeriu duhet parë në faktin se cfarë jep, dhe jo në atë se cfarë është në gjendje të marrë”. Unë duke u nisur nga kjo thënie mjaft e rëndësishme, mendova që do të ishte mjaft me rëndësi që të publikoja libër, që do të mbetej, ngase të gjitha gjërat që i kemi, na përcjellin vazhdimisht, po të gjitha harrohen një ditë, vetëm libri mbetet. Andaj iu përvesha punës dhe deri më tani kam nxjerur në dritë dy libra. Libri i parë titullohet “Franca dhe diplomacia franceze në kohën e Risheljesë, doktrina Shteti-komb dhe Arsyeja për shtet” ku kam analizuar ngirtjen e shtetit francez në mardhëniet ndërkombëtare, si dhe librin tjetër publicistik me studime dhe ese “Shpalosja e labirinthit”. Librin e tretë e kam gati për shtyp, është në fazën e recensionit, planifikoj që të publikohet kah fillimi i muajit shkurt. 5. Si mendoni si profesor universitar, sa është e vështirë që të rinjët në ditë të sotme të arrijnë suksesin e duhur, në aspektin arsimor flasim? Unë mendoj, se të rinjtë aktualisht kanë më shumë mundësi për të avansuar në karrierë dhe për të qenë më të suksesshëm. Jemi të rrethuar nga bota e kompjuterëve, bota e kibernetikës dhe internetit, bota e mediumeve dhe kanaleve të shumta të huaja televizive, jemi më afër se kurrë integrimit në familjen e madhe evropiane, mundësitë janë më të mëdha, tani ka profesorë që vijnë me përvoja të ndryshme ndërkombëtare, e githë kjo logjistikë, besoj se do të shërbente par excellence, që rinia jonë të arrijë suksesin e duhur. 6. A jeni të kënaqur me gjeneratat e reja për sa i përket përkushtimit të tyre ndaj arsimit dhe shkencës ? Unë mendoj, se potencialet e rinisë janë mjaft të mëdha, andaj duhet eksploruar ato mundësi. Të rinjve duhet t`u jepen mundësi të tregojnë veten e tyre, duke iu shmangur politizimit të skajshëm dhe poltronizimit ekstrem. Gjeneratat e reja duhet të japin më shumë përkushtim në drejtim të realizimit të misionit tonë që na kërkohet, e ajo është që të jemi në vazhdën e të rinjve të suksesshëm, pjesë e familjes evropiane. 7. Një porosi për në fund për të gjithë të rinjtë që kanë ambicie të mëdha për të ardhmen ? Mendoj se shprehja e Edmond Burkes, “ambicja mund të zvarritet, por mund të ngrihet edhe në fluturim” është mjaft sinjifikative dhe domethënëse për të gjithë ata të rinj që kanë ambicie të mëdha. U kisha sugjeruar punë, devotshmëri ndaj punës dhe asaj që quhet racionale dhe ide për nisma dhe kontribute, ngase siç na mëson një fjalë e urtë ” Kur keni filluar të mos jepni më kontribut, keni filluar të vdisni”. Punoi : Kastriot Osmani | |
|