Mexhid Yvejsi Anëtar
Numri i postimeve : 429 Age : 74 Vendi : Gjakovë, Kosovë Registration date : 04/05/2009
| Titulli: LUTJA E IMAM ZEJNUL'ABIDINIT... Mon Aug 30, 2010 12:05 pm | |
| Lutja e Imam Zejnul ′Abidinit në Lamtumirë të Muajit të Ramazanit
1 O Allah, O Ai që nuk kërkon shpërblim!
2 O Ai që nuk pishmanoset në dhurim!
3 O Ai që s′e shpërblen shërbëtorin e Vet me kushte!
4 Mirësia Jote është fillim i ri, Falja Jote dhunti e begatë, Dënimi Yt është drejtësi, Vendimi Yt - zgjedhje për më të mirën!
5 Nëse dhuron, Ti s′e njollos dhurimin Tënd me detyrim, dhe nëse kursehesh, nuk e bën duke shkelur kënd.
6 Ti i tregon mirënjohje atij që Të falënderon, ndërkohë që Vetë Ti e ke frymëzuar të Të falënderojë.
7 Ti e shpërblen atë që Të lavdëron, ndërkohë që Vetë Ti ia ke mësuar falënderimin Tënd.
8 Ti e mbulon atë të cilin, po të doje, do ta zbuloje, dhe je bujar me atë ndaj të cilit, po të doje, do kurseheshe. Që të dy meritojnë zbulimin dhe kursimin Tënd, por veprimet Tuaja i ke mbështetur në dhunti të begatë, fuqinë Tënde e ke kanalizuar në durim,
9 duke e pritur me mëshirë atë që Të është mosbindur, dhe mospërfillur atë që desh të dëmtonte vetveten. Ti e pret kthimin e tyre pa ngutje dhe përmbahesh nga shtyrja e tyre në pendim, ashtu që i shkatërruari prej tyre të mos shkatërrohet për shkakun Tënd dhe i shkretuari prej tyre të mos shkretohet përmes favorit Tënd, por vetëm pasi ta kesh zgjatur justifikimin e tij dhe argumentet e njëpasnjëshme ndaj tij, si akt bujarie përmes faljes Tënde, O Bujar, dhe veprim përkëdhelie përmes butësisë Tënde, O Mëshirplotë!
10 Je Ti Ai që u ke hapur një derë shërbëtorëve të Tu një derë për tek falja Jote, që e ke quajtur 'pendesë'. Ti ke vendosur mbi atë derë një tregues nga shpallja Jote, që të mos i shmangen: Ti ke thënë (bekuar qofshin emrat e Tu) {pendohuni te Allahu me një pendesë të palëkundur! Ndoshta Zoti juaj do t′ju lirojë nga veprat tuaja të liga dhe t′ju pranojë në kopshte nën të cilat vërshojnë lumenj,
11 ditën kur Allahu s′e turpëron Pejgamberin dhe ata që besojnë përkrah tij, drita e tyre u ndriçon përpara dhe në të djathtat duar, e ata thonë: ′Zoti ynë, plotësona dritën tonë dhe falna neve! Vërtet, Ti je i plotfuqishëm mbi çdogjë.} Ç′justifikim ka ai që mbetet mospërfillës nga hyrja në atë shtëpi pas hapjes së derës dhe vendosjes së treguesit?
12 Je Ti Ai që e ka ngritur çmimin ndaj Vetes në dobi të robërve të Tu, duke u dëshiruar atyre përfitimin në ujdinë me Ty, triumfin përmes mbërritjes tek Ti, dhe rritjen përpara Teje, sepse Ti ke thënë (i bekuar është emri Yt, i lartmadhëruar je), {kushdo që sjell një vepër të mirë do të ketë dhjetëfishin e saj, e kushdo që sjell një vepër të keqe do të shpërblehet vetëm për atë}
13 Ti ke thënë se, {shembulli i pasurisë së atyre që e harxhojnë në rrugën e Zotit është si ai i kokrrës së grurit që shpërthen shtatë kallinj, ku secili ka njëqind kokrra; Allahu ia shumëfishon kujt dëshiron.} Ti ke thënë, {kush është ai që do t′i huazojë Allahut një hua të mirë, e Ai t′ia shumëfishojë?} Dhe Ti ke zbritur në Kur′an ajete të ngjashme për shumëfishimin e veprave të mira.
14 Ti je që i ke caktuar përmes fjalës Tënde nga Gajbi Yt dhe inkurajimit Tënd ku ndodhet fatbardhësia drejt asaj që - sikur t′ua kishe mbuluar - sytë e tyre nuk do ta kishin shquar, veshët e tyre nuk do ta kishin dëgjuar, dhe përfytyrimet e tyre nuk do ta kishin pushtuar, sepse Ti ke thënë, {kujtomëni Mua e Unë do t′ju kujtoj ju falënderomëni Mua, e mos jini mosmirënjohës ndaj Meje!} Ti ke thënë, {nëse falënderoni, pa dyshim do t′jua shtoj të mirat, por nëse përbuzni, ndëshkimi Im është vërtet i tmerrshëm};
15 dhe Ti ke thënë, {Lutmuni Mua Unë ju përgjigjem, s′ka dyshim se ata që mbahen tepër krenarë për të Më adhuruar do të hynë në Xhehennem krejtësisht të poshtëruar.} Prandaj e ke quajtur lutjen për Ty 'adhurim' dhe përmbajtjen prej saj 'krekosje', dhe ke kërcënuar se të përmbajturit prej saj do të çojë në Xhehennem, në poshtërim të plotë.
16 Prandaj ata Të kujtojnë për mirësinë Tënde, Të falënderojnë për begatinë Tënde, Të përgjërohen me urdhrin Tënd, dhe japin për Ty që t′ua rrisësh të mirat; në to qëndron shpëtimi i tyre nga zemërimi Yt dhe ngadhënjimi i tyre përmes kënaqësisë Tënde të mirë.
17 Sikur cilado krijesë ta drejtonte një tjetër në të ngjashmen e asaj drejt së cilës Ti Vetë i ke drejtuar shërbëtorët e Tu ai do të përshkruhej me bamirësi, do të cilësohej me mirësi dhe lavdërohej nga çdo gjuhë. Ty pra, Të takon falënderimi për sa kohë të gjehet mënyrë për të Të lavdëruar dhe dëri sa të mbesin për falënderim fjalë me të cilat mund Të lavdërohesh dhe kuptime që mund të harxhohen në falënderim!
18 O Ai që ia tregon Veten të denjë për falënderim shërbëtorëve të Tij përmes bamirësisë dhe begatisë, duke vërshuar mirësi e butësi mbi ta! Sa shumë është përhapur favori Yt ndër ne, sa shumë është derdhur butësia Jote mbi ne, dhe sa shumë është veçuar mirësia Jote për ne!
19 Ti na ke udhëzuar drejt dinit Tënd që e ke zgjedhur, besimit Tënd me të cilin je i kënaqur, dhe rrugën Tënde që e ke lëmuar, na ke treguar afrinë ndaj Teje dhe arritjen për tek bujaria Jote!
20 O Allah, nga më të zgjedhurat prej atyre detyrave dhe më të veçantat e atyre detyrimeve ke caktuar muajin e Ramazanit, të cilin e ke veçuar prej muajve të tjerë, e ke zgjedhur nga mesi i të gjitha periudhave dhe epokave, dhe pëlqyer mbi të gjitha kohët e vitit përmes Kur′anit dhe Dritës që ke zbritur me të, besimit që ke shumëfishuar përmes tij, agjërimit që ke obliguar përgjatë tij, qëndrimin në namaz që ke inkurajuar në kohën e tij, dhe Natën e Vendimit që ke madhëruar në të, natën që është {më e mirë se njëmijë muaj}.
21 Përmes saj na ke pëlqyer përmbi bashkësitë e tjera e përmes shkëlqyeshmërisë së saj na ke zgjedhur me përjashtinë e popujve të besimeve të tjera. Ne agjëruam me urdhrin Tënd ditën në të, u falëm me ndihmën Tënde natën në të, duke ia paraqitur veten me agjërimin dhe faljen në të mëshirës me të cilën na ke ndihmuar përpara nesh, dhe përmes tij gjetëm mjetet drejt shpërblimit Tënd. Dhe Ti je përplot me çfarë Të kërkohet, mirëbërës me atë që synohet nga begatia Jote, dhe pranë atij që ushtrohet për afrinë Tënde.
22 Ky muaj qëndroi mes nesh në një podium lavdërimi, na shoqëroi me shoqërinë e të miratuarit, dhe na bëri dobi me përfitimin më të shkëlqyer të krijesave të botës. Pastaj u nis prej nesh me plotësimin e kohës së tij, fundin e afatit të tij, dhe përmbushjen e numrit të tij.
23 Kështu e përcollëm me lamtumirën e atij që kur ikën na lëndon, kur niset na mbush me zymti e vetmi, dhe atij që i kemi borxh një hak të mirëruajtur, një pashkelshmëri të respektuar, dhe një të drejtë të zbatuar. I themi: Paqe pastë me ty, O më i madhi muaj i Allahut! O festë e eulijave të Tij!
24 Paqe pastë me ty, O më fisniku i kohëve shoqëruese! O më i miri muaj në ditë dhe orë!
25 Paqe pastë me ty, muaj në të cilin pritshmëritë përqasen dhe mirësitë shpërndahen!
Pjesa e parë Shqipëroi: Edin Q. LOHJA | |
|