Konferenca Islamike miraton rezolutën për Kosovën, pa hequr kërkesën për njohje të pavarësisë
Organizata e Konferencës Islamike ka miratuar sot rezolutën për njohjen e pavarësinë së Kosovës. Për këtë rezolutë kanë votuar 57 vende. Lajmin e ka konfirmuar për RTK-në, ministri i punëve të Jashtme i Shqipërisë Lulzim Basha. Kjo rezolutë u bën thirrje vendeve anëtarë të konferencës, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, të ndërmarrin një hap të tillë.
Ndërkohë lajmi për miratimin e kësaj rezolute nga Konferenca e vendeve Islamike është konfirmuar edhe nga Ministria e Jashtme e Kosovës.
Rezoluta është hartuar nga Shqipëria përderisa është propozuar për votim nga Arabia Saudite, e cila konsiderohet si vend më me ndikim tek vendet anëtare të konferencës.
Ministri Basha ka deklaruar se rezoluta nuk ka pësuar ndryshime duke hedhur poshtë pretendimet serbe se është arritur të hiqet kërkesa për njohje të pavarësisë.
Kjo rezolutë obligon sekretariatin e Konferencës që të raportojë për zhvillimet në Kosovë.
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skender Hyseni ka përshëndetur votimin e Rezolutës për Kosovën në sesionin e 36 të Këshillit Islamik të ministrave të jashtëm të Organizatës së Konferencës Islamike që po mbahet në Damask të Sirisë.
Ministri Hyseni konsideron se miratimi i kësaj rezolute është i rëndësishëm për proceset në Kosovë, pasi do të ndihmojë shumë nga vendet e Organizatës së Konferencës Islamike për të ndërmarrë hapin e njohjes së Kosovës.
Po ashtu, ministri Hyseni çmon lart përpjekjet e të gjithë anëtarëve të OIC-së për të kaluar këtë rezolutë.
Menjëherë pas kalimit të rezolutës, ministri Hyseni është njoftuar për lajmin nga ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, z. Lulzim Basha, për çka ministri Hyseni e falënderon në mënyrë të veçantë atë dhe diplomacinë shqiptare për punën e bërë rreth hartimit të kësaj rezolute si dhe të votimit të saj.
Rezoluta në fjalë ka vlerësuar zhvillimet dhe progresin e Kosovës pas pavarësisë, ka përshëndetur po ashtu rikonfigurimin e UNMIK-ut, shtrirjen e EULEX-it në të gjithë Kosovën, ndërkaq i bëhet thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të ndihmojë zhvillimin e Kosovës. Mes të tjerash në këtë rezolutë i kërkohet sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Konferencës Islamike që t'i raportojë këtij organizmi për zhvillimet në Kosovë.
Mesazhi.com/E hënë, 25 Maj 2009 14:53