Disa analistë kosovarë në analizat e tyre shpesh cekin se kombi” kosovar” po ndahet nga ai “ shqiptar” sikurse kombi” malazez” i cili u nda nga ai” serb”.Por ne mendojmë se një analogji e tillë nuk qëndron ,as historikisht, as gjenetikisht dhe as në aspektin psikologjik. Në rreshtat në vijim do të përpiqemi të sqarojmë se pse nuk e ndajmë një mendim të tillë.
Kombi Malazez -e ka historinë vet reale dhe mitike. Historia e tij mitike lidhet më shumë me Njegoshin dhe me librin e tij Kurora e Maleve , ku në mënyrë romantike përshkruan malazezët si serbë duke përfshirë edhe veten këtu. Në këtë kontekst duhet cekur se familja mbretërore e Petroviçëve iu qëndronte besnike këtyre vizioneve romantike. Por historia reale e kombit malazez është krejt tjetër .Ata nuk janë serbë dhe ata kurrë s´kanë qenë serbë. Këtë e din Jevrem Bërkoviç këtë e dinë të gjithë malazezët me mendje të shëndoshë në kokë që nisen nga faktet reale historike e jo nga librat romantikë. Të nisemi nga gjuha:Malazezët kurrë gjuhën e tyre s´e kanë quajtur “serbe” por “nashki”.Studimet antropologjike, linguistike, gojëdhanat e vetë malazezëve flasin kundër pohimit se ata janë serbë. Pas dyndjeve së fiseve sllave, e që një pjesë e madhe ka arritur para “Serbëve” dhe “Kroatëve”, në Malin e Zi ka pasur një simbiozë me popullatën autoktone ilire dhe romane që pastaj do të shfaqen si Duklanë, gjegjësisht banorët e principatës së Duklës. Historiani bizantin Konstantin Porfirogenit (shekX) ,kur përmend territoret në të cilat jetojnë serbët e anashkalon Duklën. Asokohe shumë më shpesh përmenden si Kroatë të Kuq ose thjesht, si Duklanë. Më vonë ky territor do të njihet si Zeta. Gjatë shekujve në vijim malazezët kanë bashkëjetuar me shqiptarë dhe vllahë dhe një pjesë jo e vogël e tyre ka prejardhje të tillë. Fisi Kuq është dëshmi e gjallë e kësaj simbioze , sepse një pjesë janë malazez ndërsa një pjesë shqiptarë. Raste të tilla janë tepër të shumta për tu injoruar nga historianët dhe antropologët. Këtë e dinë të gjithë malazezët me mendje të shëndoshë. Eh! Nëse thuhet se dikush ka bërë përpjekje t´i shndërrojë malazezët në serbë, atëherë është plotësisht e vërtetë. Por megjithatë kjo nuk ndodhi. Edhe pasi që parlamenti i Malit të Zi vendosi që të bashkohej me Serbinë nën dinastinë Karagjorgjeviç, në vitin 1919 plasi “Kryengritja e Krishtlindjes” nga malazezët të cilët s´pranuan të jenë pjesë e shtetit serb. Në Jugosllavi , Mali i Zi ishte një shtet i vogël dhe vazhdimisht i frikësuar nga Serbia, pa të cilën do të”vdisnin urie”, por ishte pikërisht ndjenja e tyre kombëtare që i bëri të shkëputeshin nga Serbia , duke varrosur njëherë dhe përgjithmonë, idenë për t´i shkombëtarizuar.
Kombi “Kosovar”- Gjuhën të cilët e flasin kosovarët e kanë quajtur dhe e quajnë “shqipe”. Konstatimi se kosovarët janë më të largët me toskët se sa malazezët ndaj serbëve nuk qëndron. Autorët e kësaj ideje kanë parasysh vetëm periudhën e shek XX kur kufiri ka qenë i mbyllur hermetikisht, por s´duhet harruar dhe pesë shekuj qëndrimi nën një shtet të quajtur perandori osmane. Individi nga Prizreni qoftë si tregtarë, qoftë si pjesë e aparatit administrativo-ushtarak osman, ose si pjesëtar i klerit mysliman, ka mundur të shkonte në Janinë, të martohej dhe të jetonte atje, ose dhe anasjelltas. Tregëtia Shkup e Shkodër ka qenë më e zhvilluara në krejt Shqiptarinë. Individë dhe familje toskësh kanë mundur të vijnë në Kosovë ose anasjelltas. Mbiemrat Foniqi, (nga Foniqi) , Previzaj (nga Preveza), Kavaja (nga Kavaja). flasin vetvetiu për prejardhjen e këtyre njerëzve: nga Toskëria ose Shqipëria e Mesme. Lëvizje si nga veriu në jug ashtu edhe nga jugu në veri ka pasë vazhdimisht. Trajta gramatikore të toskërishtes hasen në rajonin e Anadrinit të cilët kohën e kryer të thjeshtë të vetës së tretë e formojmë me ”Ai punojti” sikurse te Naimi por jo”Ai punoi” si e bën pjesa më e madhe e Kosovës dhe e shqipes në përgjithësi. Në Anadri, prej Krushës së Madhe deri në Suharekë, si dhe Opoja përdorin zanoret e gjata “e, i, o” tipike të toskërishtes, krejtësisht atipike për pjesën tjetër të Kosovës. Mbase shpjegimi i linguistëve se dialektet anësore janë më konzervative se ato qendrore mund të jetë mjaft sqarues për këtë fenomen, por si të shpjegohen shprehjet me rotacizëm që nga Gjakova deri në Prizren ? -p.sh: U” flakërova” që shpreh një frikë të madhe, kjo normalisht duhej të ishte u “flaknova”(nga fjala “flakë”), pastaj ”d(t)ërë ky burrë” si shprehje qortuese…, ndërsa duhej të ishte “tanë ky burrë”.
Nëse të gjitha këto pohime tingëllojnë çuditshëm ,edhe më i çuditshëm është fshati Struzhë në rrethin e Prizrenit, banorët e të cilit pothuajse janë toskë, ata thonë”Nëna” jo “Nana”, “bathë” jo “pasul”, “Dhjetë” (e gjithë Opoja thotë ashtu) e jo “Dhetë” si pjesa tjetër e Kosovës. Aty madje edhe mbiemrat ngjajnë në toskërisht p.sh: Kokollari, Tafallari etj. Këto fakte linguistike dhe antropologjike dëshmojnë se në Kosovën perëndimore ka elemente të shumta toske .Kjo influencë ka mundur të ngjajë vetëm me kontakt të drejtpërdrejtë fizik me toskët, rrjedhimisht një pjesë e këtyre banorëve ose janë me prejardhje toske ose kanë jetuar pranë toskëve deri në atë masë sa të influencohen prej dialektit të tyre. Gabimi tjetër i theksimit të veçantisë së Kosovës ndaj Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut është argumentimi me ”mitin”e përkatësisë ndaj fiseve veriore. Fiset e Veriut të Shqipërisë nuk janë kategori e amshueshme. Ata janë formuar me rënien e sistemit feudal pas pushtimit të principatave shqiptare nga Perandoria Osmane. Është naivitet të mendohet se të gjithë kelmendasit e kanë prejardhjen prej njëfarë Kelmendi, po aq sa mendimi se kanuni i “Lekës” është i shkruar nga vetë Lekë Dukagjini! Formimi i fiseve ka zgjatë me shekuj dhe në krahasim me fushorët kishin pozitë më të privilegjuar sepse ishin formacione ushtarake dhe siguronin privilegje të shumta nga Perandoria Osmane. Familje të tilla padyshim që edhe kanë zbritë në Kosovë. Një familje e gjerë, me burra të armatosur , gati si një çetë ushtarake lëvizëse , sigurisht që ka fituar prestigj në katundin ku kanë rënë!Por ,padyshim ka ndikuar që edhe katundarët tjerë deri në ato çaste pacifistë, të adaptonin atë formë të organizimit dhe të vetëshpalleshin “Fisnik me prejardhje nga Krasniqja” tjetri “Fisnik nga Hoti, fis ma i parë”përkundër kësaj familje “ Belaxhinjsh që ishin Gash”. Përkatësia ndaj fisit është çështje honorifike, pothuajse klasore. Por në Kosovë ka treva që fare s´i njohin fiset si p.sh Opoja, ose ka familje që e dinë që s´kanë qenë Kryezi por iu kanë bashkangjitur kësaj familjeje me të cilët mbajnë “Dek’ e Darsëm” bashkë, dhe me të cilët nuk martohen. Raste të tilla ka pothuajse në çdo fshat . Në Kosovë institucioni kryesore është dhe ka qenë familja, e jo fisi. Çështja e fisit ishte modë ,dhe si e tillë ka mbetë. Andaj kur një kosovar ka mbiemrin Shala kurrsesi nuk dëshmon që me të vërtetë është nga Shala e Veriut të Shqipërisë. Përkundrazi! Kosovarët preferojnë t´i evitojnë “sivëllezërit” e tyre fisnorë nga veriu (Rrebelat e Shipnisë!!!) të cilët i konsiderojnë tejet të rrezikshëm dhe preferojnë të krijojnë shoqëri me shqiptarët e Shqipërisë së Mesme, këngët e të cilëve i njohin dhe i duan shumë më tepër se sa nenet e Kanunit të “Lekës”. Shoqërimi edhe me toskë iu len mbresa dhe veçantitë dialektikore konsiderohen veç nuanca simpatike. Fjala është për njerëzit e thjeshtë kosovarë, të cilët mezi presin verën për ta parë sërish Durrësin. Kaq sa i përket afërsisë apo largësisë psikologjike, linguistike dhe gjenetike, me Shqipërinë e Mesme ose të Jugut!
Prandaj kur flitet për Malazezët dhe Kosovarët ne mendojmë se kemi të bëjmë jo me dy procese të ngjashme por me dy procese krejtësisht të kundërta. Gjersa malazezët ishin përballë rrezikut për t´u shkombëtarizuar , ata i qëndruan kësaj sfide me sukses. Tani shqiptarët e Kosovës janë përballë kësaj sfide …, por që në këtë rast nuk janë të detyruar nga askush, kjo mbetet si zgjedhje personale e secilit individ!
Fatos Duraku