Demir KRASNIQI:
ZOGU I SHKODRËS
Ku të treti djalëria,
Trim, o trim, o vëlla i motrës?
Nga të treti bukuria,
Zog, o zog, o zogu i Shkodrës?!
Nga të iku kënga e gëzimit,
Trim, o trim, o vëlla i motrës ?
Nëpër rrugë të Perëndimit,
Zog, o zog, o zogu i Shkodrës !
Nga të iku buzëqeshja,
Trim, o trim, o vëlla i motrës?
Në kurbet, ku të mbytë heshtja ,
Zog, o zog, o zogu i Shkodrës !
T’ priti nëna një dekadë,
Zog, o zog, o zogu i Shkodrës .
Ju tha goja pa evlat ,
Lot, o lot, o loti i lokes .
Me zjarr malli t’ pret babai ,
Trim, o trim, o vëlla i motrës,
N’ përqafim të pret vëllai ,
Zog, o zog, o zogu i Shkodrës.
Ku m’ ke tretë e ku m’ ke humbur,
Trim, o trim, o vëlla i motrës ?
Pa ty, motra s’ është e lumtur ,
Zog, o zog, o zogu i Shkodrës !
Të pret çerdhja plot me këngë,
Trim, o trim, o vëlla i motrës .
Toka ku ke shkelë me këmbë ,
Zog, o zog, o zogu i Shkodrës.
Atje ku ka pasuri ,
Trim, o trim, o vëlla i motrës,
Një sekondë s’ ka lumturi ,
Zog, o zog, o zogu i Shkodrës.
N’ vend të huaj si mërgimtar ,
Trim, o trim, o vëlla i motrës ,
Qeshja e jote është e qarë ,
Zog, o zog, o zogu i Shkodrës.
Të thërret Shkodra e Rozafati ,
Trim, o trim, o vëlla i motrës,
Kthehu n’ vendlindje të pret fati ,
Zog, o zog, o zogu i Shkodrës !
Gjilan, më 27 Dhjetor 2008.