Propozimi surprizë: Maqedonisht në shkolla
Maqedonasit kopjojnë grekët. Tani, edhe fqinji ynë i vogël lindor kërkon të shtojë influencën në Shqipëri, duke ofruar “ndihmë” në këmbim të përhapjes së gjuhës dhe kulturës maqedonase.
Në fakt, një propozim i tillë është bërë spontanisht dje në Librazhd, nga ambasadorja e Maqedonisë në Shqipëri, e cila ka përfituar nga naiviteti i autoriteteve lokale.
Kreu i Bashkisë së Librazhdit, nën efektin e kompleksit të inferioritetit ndaj të huajve, i është ankuar për mungesën e investimeve në arsim, përfaqësueses së një vendi, që vuan nga të njëjtat probleme tranzicioni si Shqipëria.
Pas disa vizitash në komuna kufitare me Maqedoninë, ambasadorja e këtij vendi në Tiranë, Blagorodna Mingova-Krepieva, ka zbritur në Bashkinë e qytetit të Librazhdit.
Duke iu përgjigjur ftesës së deputetit të këtij rrethi, Taulant Balla, ajo ka zhvilluar një takim të shkurtër me kreun e bashkisë, Kastriot Begaj.
Ai, duke e kanalizuar bisedën më shumë në aspekt të arsimimit të brezit të ri, është shprehur se qyteti ka vetëm një shkollë të mesme dhe dy nëntëvjeçare, ndërkohë që ka folur edhe për infrastrukturën dhe mundësinë e hapjes së doganës së Stëblevës.
Ndoshta në kontekst të ekspozesë, ambasadorja maqedonase ka bërë një propozim të papritur, që ka marrë një përgjigje abstenuese si nga deputeti, ashtu edhe nga kreu i bashkisë. “Unë do t’iu propozoja që të fusni gjuhën maqedonase në shkollat tuaja dhe ne do t’i mirëprisnim të rinjtë tuaj në shkollat tona, duke u siguruar edhe bursa studimi”, ka deklaruar ambasadorja e Maqedonisë.
Ajo ka pohuar se ishte në interes të vendeve kufitare zhvillimi i tregtisë së lirë dhe ato në fushën arsimore, ndërsa për hapjen e doganës së Stëblevës ka siguruar se do të hapej pas asaj të Trebishtit, por duke vënë si kusht shtrimin e rrugës Librazhd–Stëblevë, krahu i së cilës nga ana maqedonase nuk donte më tepër se 200 metra të përfundonte.
Pas falënderimeve reciproke, ambasadorja maqedonase është nisur drejt pikës kufitare të Qafëthanës, në të cilën po dje ka qenë për një vizitë ambasadori i Ukrainës në vendin tonë.
Maqedonia dhe Bullgaria kanë aplikuar pas viteve ‘90 disa projekte në mbështetje të të rinjve të komunitetit sllav që jeton në zonën mes Librazhdit dhe Dibrës.
Deri më sot, të dyja vendet kanë qenë në garë me njëra-tjetrën për të bërë për vete këtë komunitet që njihet zyrtarisht nga shteti shqiptar si minoritet maqedonas.
Dje ishte hera e parë, kur një prej këtyre dy vendeve ka zgjeruar pretendimet (edhe pse jo zyrtarisht), duke ofruar ndihmë me kushte.