DY SENATE QË DESHËN TA VARROSIN PAVDEKËSINË
Në dy pjesët e gjysmave të një trungu të pandashëm të quajtur SHQIPËRI, ngjau diçka që më së paku duam të besojmë të jenë si ngjashmëri: MARRËZIA! Po, po! Marrëzia!
Jo aq moti, në Senatin e njërës anë të gjysmës së këtij trungu, disa, thuaja përzgjedhës të popullit, e votuan një ligj, i cili, në hapësirën e pashallëkut të vetëshpallur të sundimit të tyre, nuk parasheh që dita e 28 Nëntorit, të na bëhet si kremte zyrtare.
Merreni me mëndë! Me këtë ligj, festa asaj “lecke” të gjakosur dhe me shkabën e zezë dykrenore në mes, të cilën, duke e ngritur para më se një shekulli simbolikisht në Vlorë, plaku i urtë i kombit, Ismail Qemali, na damkos si vatan, me emirin e bekuar SHQIPËRI, ajo, sot, nëpër kalendarët tona, nuk do të “shkarravitet” me ngjyra të dukshme si ditë pushimi dhe kryeministri i saj me gjithë administratën, do ta festoj atë ditë në zyre duke i kryer detyrat e veta kushtetuese...
O tempora, o mores! Që nga ajo kohë kur lindi, e reshtur nëpër mote, kjo “leckë”e gjakosur njollëzezë, qe për ne gjithçka! Çdo gjë mbi të gjithash! Fashë për plagët tona, qefinë varrimesh, bajrak çiftëzimesh, emblemë djepash në kokë të foshnjave, vjershë ninullash, strofë këngësh kreshnike me lahutë dhe çifteli, prijëse nëpër beteja dhe luftëra për liri...dhe kështu sërish prej fillimit dhe bredhjes tonë nëpër histori...
E, sot, një SENAT deshi ta varros atë pavdekësi!?
Nuk ka më keç, a po? Në dukje, jo! Por, ja se ka! Ka edhe më keç dhe ajo ndodhi! Ndodhi më zi pikërisht në AMË; mu në zemër të ati trupi të copëzuar! Mu në atë odë të madhe të shqiptarisë, ku kjo “leckë” e gjakosur u bë mit dhe embleme e pavdekësisë.
Sikur te ne çdo gjë përsëritet? Po, po, përsëritet! Dhe...çuditërisht, edhe MARRËZIA.
E shikoni? Edhe kjo tjetra u bë ngjashëm në SENAT! Në një tubim të sojit burrash, kinse të urtë dhe të mençur?.
Çfarë blasfemi kombëtare?!
Çfarë përulje degraduese morale?!
Në qytetin e bekuar të Vlorës, një Senat i një shtëpie të lartë të dijes, të quajtur UNIVERSITET, i propozon vetes të sakatohet. Të cungohet, sepse nuk duron dot të quhet “Universiteti i Vlorës – Ismail Qemali”, por, vetëm, “Universiteti i Vlorës”.
Merreni me mënd? “Më të mençurit” të kësaj skrofulle të dijes, turpërohen ta mbajnë emrin e babait tonë të kombit, Ismail Qemali?!
Por, sa jehoj si marrëzi ky propozim, po aq duhet të merret si e qëlluar, në njëfarë mënyre. Deri sa në të, të ketë kësi soji pedagogësh dhe ligjëruesish, ndoshta ky Universitet edhe nuk meriton ta ketë atë emër madhor?!
Duket cinike pa sa ky konstatim, a po? Ashtu edhe është. Përgjigje adekuate dedikuar cinizmit konkret.
Ha, ha, ha...Unë vazhdoj më tej të qeshem. Me buzëqeshje përplot cinizëm, kuptohet.. Sepse, nëse bëhem serioz, atëherë, këtyre bajlozëve më duhet t’ju porosis kështu:
Ooo... senator, parlamentar, pseudo dijetar dhe intelektual mediokër! Sa herë që doni mbytni dhe varrosni trupin, por nuk vdes dot shpirti...
“E dimë edhe ne këtë!” - do më thoni. Por unë dyshoj se ju vërtet e dini këtë?! Ju kurrë nuk mund ta dini këtë, sepse ju nuk keni shpirt por vetëm trup. Një trup me një mëndje pa UNË, i cili përherë teledirigjohet nga të tjerët.
Aha ! E vërejtët nga reagimet? Kotë tentuat ta varrosni pavdekësinë dhe aty vdiqët vetë me këtë synim...
Adnan Abrashi