|
| Kush ishte Abdurahman Dibra | |
| | Autori | Mesazh |
---|
dhori Fillestar/e
Numri i postimeve : 10 Vendi : Ne dhome :P Registration date : 04/04/2008
| Titulli: Kush ishte Abdurahman Dibra Sat Apr 05, 2008 12:01 am | |
| Abdurahman Dibra "ATDHEU MBI TE GJITHA" Ministri Dibra, nenprefekti i Stambollit
-----------------------------------------------------------------------
Historia e Abdurrahman Dibrës nga Dibra e Madhe i diplomuar në Shkencat Politike në Stamboll, që për 20-vjet me radhë ishte deputet e ministër në Shqipëri. Rrëfen i biri Urhani
Ministri Dibra, nënprefekti i Stambollit që u burgos në Tiranë | |
| | | dhori Fillestar/e
Numri i postimeve : 10 Vendi : Ne dhome :P Registration date : 04/04/2008
| Titulli: Re: Kush ishte Abdurahman Dibra Sat Apr 05, 2008 12:09 am | |
| Dashnor Kaloçi: Ndonëse babai im Abdurrahman Dibra i cili kishte qenë nëprefekt i Stambollit dhe kishte shërbyer për afro 19-vjet si ministër e deputet gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, me ardhjen e komunistëve në pushtet në fundin e vitit 1944, ai nuk pati asnjë problem prej tyre. Peripecitë e familjes sonë filluan pas arrestimit të vëllait tonë të madh, Qenanit, i cili ishte diplomuar për Drejtësi në Paris dhe në një nga kademitë ushtarake të Italisë. Pas arrestimit të Qenanit, ne na nxorrën nga shtëpia jonë aty në rrugën e Saraçëve dhe pasi na sekuestruan të gjitha plaçkat që kishim, na lanë në mes të katër rrugëve duke na thënë të shkonim ku të donim. Më 17 qershor të vitit 1946 Qenanin e nxorrën para Gjyqit Ushtarak në Tiranë së bashku me 37 të pandehur të tjerë dhe ai u dënua me vdekje i akuzuar si kryetar i grupit "Monarkist" i cili së bashku me grupimin "Social-demokrat" të kryesuar prej Musine Kokalarit dhe atë të "Rezistencës" të kryesuar prej Sami Qeribashit, ishin bashkuar dhe kishin formuar grupimin opozitar antikomunist të quajtur "Bashkimi Demokrat" që udhëhiqej prej Sami Qeribashit". Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për Gazetën, është 67-vjeçari Urhan Dibra, i cili rrëfen të gjithë historinë e babait të tij Abdurrahman Dibrës, ish-nënprefektit të Stambollit që pasi shërbeu për 19-vjet me rradhë si deputet e Ministër i Brendshëm, i Finanacave dhe i Kulturës në periudhën e Monarkisë së Zogut, u burgos dhjetë vjet prej komunistëve. Po kështu në dëshminë e tij Urhan Dibra rrëfen edhe për historinë tragjike të vëllait tij të madh Qenan Dibrës, të diplomuar në Paris e Romë, i cili u dënua me vdekje nga komunistët në vitin 1946, pasi u akuzua si kryetar i një grupimi opozitar antikomunist të quajtur "Grupi Monarkist". Po cili ishte Abadurrahman Dibra nga ç'familje rridhte ai, ku ishte shkolluar dhe si hyri në jetën politike shqiptare në vitin 1920-të? Cilat ishin marrdhëniet e tija me Ahmet Zogun dhe pse i qëndroi atij besnik për 19-vjet me rradhë duke shërbyer si deputet e Ministër? Pse u internua Abdurrahmani nga italianët në vitin 1939, si iu sekuestrua pasuria me dekret të Mëkëmbësit të Mbretit Viktor Emanueli dhe përse komunistët që erdhën në pushtet në vitin 1944 nuk e trazuan fare atë? Cila ishte e kaluara e të birit të Abdurrahmanit,Qenanit, çfarë qëndrimi politik kishte mbajtur ai gjatë periudhës së Luftës? Cili ishte grupimi Monarkist që kryesonte Qenan Dibra, çfarë aktiviteti kishte kryer ai dhe cilat ishin lidhjet që ata kishin krijuar me grupimin social-demokrat të Musine Kokalarit dhe atë të Rezistencës të kryesuar prej Sami Qeribashit? Çfarë ndodhi me familjen e Qenan Dibrës, pas ekzekutimit të tij në tre korrikun e vitit 1946 dhe cilat ishin pretekstet që përdorën komunistët për arrestimin e babait të tij Abdurrahmanit në vitin 1951? Abdurrahmani, nënprefekt në Stamboll Abdurrahman Dibra u lind në vitin 1885 në qytetin e Dibrës së Madhe ku tre të katërtat e atij qyteti ishin pronë e babait të tij Elmaz Dibrës që asokohe shërbente si arkëtar i Bashkisë. Nga tre djemtë e Elmaz Dibrës, vetëm i madhi Abdurrahmani u bë tepër i njohur për shkak të aktivitetit të tij politik, ndërsa dy të tjerët Xhevdeti dhe Rahimi patën një jetë krejt ndryshe nga ajo e vëllait të tyre. Rahimi pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Manastirit më pas shkoi në Stamboll ku ndoqi universitetin në degën e Shkencave Politike. Pas diplomimit, Rahimi për vite me rradhë punoi aty në Stamboll si gazetar dhe nuk u kthye më në Shqipëri. Ndryshe nga dy vëllezërit e tjerë që ndoqën studimet e larta, Xhevdeti nuk ishte i shkolluar dhe gjatë viteve të Monarkisë ai punoi si xhandar i ndihmuar nga i vëllai Abdurrahimi që kishte funksione të larta shtetërore në atë kohë. Ndërsa lidhur me shkollimin e Abdurrahmanit dhe fillimin e karrierës së tij administrative e politike, i biri i tij 67- vjeçari Urhan Dibra dëshmon: "Pasi mbaroi shkollën fillore në vëndlindjen e tij Dibër, babai Abdurrahmani vazhdoi të mesmen në qytetin e Manastirit dhe më pas shkoi në kryeqëndrën e perandorisë osmane për të ndjekur studimet e larta. Ai u regjistrua në degën e Shkencave Politike në Universitetin e Stambollit të cilin e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1908, duke marrë dhe Medalje Ari si një nga studentët më të mirë të asaj dege. Duke parë rezultatet e tij të larta, Porta e Lartë e emëroi atë menjëherë në administratën vendore osmane dhe pas pak kohësh me dekret të Sulltanit ai u emërua në postin e nënprefektit të Stambollit. Gjatë viteve që babai im Abdurrahmani ndoqi studimet e larta në Stamboll, ai ka qëndruar në një dhomë me djaloshin nga Mati, Ahmet Zogun i cili ishte afro dhjetë vjet më i vogël se ai. Që nga ajo kohë babi lidhi një miqësi të ngushtë me Zogun i cili në vitin 1920-të kur u emërua në postin e Ministrit të Brendshëm, i bëri thirrje Abdurrahmanit që të linte Stambollin dhe të kthehej në Shqipëri. Babai iu përgjigj pozitivisht ftesës së tij dhe aty nga pranvera e vitit 1920 ai erdhi në Shqipëri e mori takim menjëherë me Zogun në Tiranë", dëshmon i biri i Abdurrahmanit, Urhani, lidhur me shkollimin e të jatit dhe fillimin e karrierës adminitrative e politike të tij si nënprefekt i Stambollit. 19-vjet deputet e Ministër i Zogut Lidhur me kthimin e Abdurrahman Dibrës në Shqipëri dhe fillimin e karrierës së tij politike, i biri Urhani dëshmon: "Pas kthimit në Shqipëri dhe bisedimeve me Zogun, babai pranoi të integrohej në jetën politike të vëndit dhe në fillimin e vitit 1921 ai hodhi kandidaturën për deputet në prefekturën e Dibrës së Madhe ku bashkë me Ahmet Zogun fitoi të drejtën të ishte një nga përfaqësuesit e asaj Prefekture në Parlamentin e Parë shqiptar që i filloi punimet në 21 prill të atij viti. Në atë kohë përveç Ahmet Zogut, nga politikanët më të njohur babai kishte miqësi të ngushtë edhe me Myfid Libohovën, Ekrem Bej Vlorën, Koço Kotën e Iljaz Vrionin. Më 27 maj të vitit 1924 Kryeministri Iljaz Vrioni e thërriti babanë dhe i kërkoi që në kabinetin e kryesuar prej tij ai të mbante portofolin e Ministrit të Brendshëm. Babai e pranoi atë post ministror dhe në atë kabinet përveç tij merrin pjesë dhe Koço Kota si Ministër i Punëve Botore e Sulejman Delvina si Ministër i Financave. Në atë post ministror babai nuk qëndroi më shumë se dy javë pasi në dhjetë qershor 1924 forcat opozitare që ishin grpuar rreth Fan Nolit e Luigj Gurakuqit, organizuan kryengritjen e armatosur dhe me forcën e armëve e rrëzuan qeverinë e Iljaz Vrionit ku babai mbante postin e Ministrit të Brendshëm. Me hyrjen e forcave rebele fanoliste në Tiranë, babai u detyrua dhe u largua nga kryeqyteti pasi ai kërkohej prej tyre me çdo kusht për t'u eleminuar fizikisht, për vetë funksionin tepër delikat të Ministrit të Brendshëm që kishte mbajtur. Në atë kohë pas largimit nga Tirana, babai shkoi dhe u strehua në Dibër të Madhe tek njerzit tanë. Gjatë asaj kohe që babai strehoej aty, Krajli i Serbisë duke pasur parasysh pozicionin që kishte Abdurrahmani në Qeverinë e Tiranës, i dërgoi atij njerëz dhe i kërkoi që të bashkëpunonte me të duke i ofruar edhe shuma të mëdha me para. Babai Abdurrahmani e refuzoi në mënyrë kategorike bashkëpunimin me Krajlin e Serbisë dhe për disa muaj qëndroi i fshehur pasi e nuhati se kërkohej për t'u zhdukur nga shërbimet sekrete të Beogradit. Me rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet në fundin e vitit 1924, babai u rikthye në Tiranë dhe u zgjodh përsëri si deputet i Dibrës së Madhe në zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan në 27 maj të atij viti. Pas afro një viti e gjysëm më 12 shkurt të vitit 1927, Kryeministri Ahmet Zogu i besoi babait postin e Ministrit të Brendshëm të cilin ai e ushtroi deri në 10 maj të vitit 1928. Në atë kohë që babai u emërua në postin e Ministrit të Brendshëm, ashtu si të gjithë funksionarët e lartë të kabinetit qeveritar dhe deputetët e parlamentit, ai përfitoi nga ligji që u bë dhe përfitoi një trullall në të cilin ndërtoi shtëpinë aty në rrugën e Saraçëve. Pas vitit 1928 babai Abdurrahman Dibra u emërua në funksionin e Ministrit të Financave, post të cilin ai e mbajti deri në vitin 1936. Pas atij viti babait iu ngarkua edhe posti i Ministrit të Arsimit të cilin ai e mbajti deri në prillin e vitit 1939-të. Gjatë gjithë periudhës së Monarkisë, babai pati marëdhënie shumë të mira dhe korrekte me Ahmet Zogun, i cili e thërriste atë në të gjitha ceremonitë e darkat e rrethit të ngushtë familjar. Po kështu një nga miqtë më të ngushtë të babait, ishte dhe Profesor Aleksandër Xhuvani, të cilin ai e mori dhe e emëroi në funksionin e zv / ministrit të Arsimit gjatë viteve që ai ishte në krye të atij dikasteri. Ndërsa nga kundërshtarët më të mëdhej që kishte babai, ishte Shefqet Vërlaci me të cilin ai nuk e gjeti asnjëherë gjuhën e mirkuptimit. Gjatë karrierës së gjatë afro njëzet-vjeçare që babai pati si deputet dhe tre herë Ministër, përveç orarit zyrtar që ai e kalonte duke punuar në zyrë, pjesën më të madhe të kohës ai e kalonte në shtëpi duke lexuar dhe studjuar mbi libra. Abdurrahmani kishte një memorje tepër të habitshme dhe falë asaj ai kishte mësuar rrjedhshëm disa gjuhë të huaja si turqishten, anglishten, italishten dhe frengjishten", kujton Urhan Dibra lidhur me karierën e gjatë politike të babait të tij i cili përveç funksionit të deputetit të Dibrës së Madhe, mbajti dhe tre herë postet ministrore të Financave, Arsimit dhe atë të Ministrisë së Brendshme. Internohet nga Shefqet Vërlaci Karriera e gjatë politike e Abdurrahman Dibrës që ishte diplomuar për Shkenca Politike në Universitetin e Stambollit, përfundoi më 7 prill të vitit 1939 ditën që Italia fashiste kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë. Ndërsa në mëngjezin e shtatë prillit Abdurrahmani nuk pranoi që të largohej nga Shqipëria së bashku me Mbretin Zog dhe një pjesë të Oborrit Mbretëror, gjithashtu ai nuk pranoi që të merrte pjesë as në Qeverinë Shqiptare që u krijua ato ditë nën presionin e dhunën e italianëve. Ato ditë të para të prillit 1939, Abdurrahmani refuzoi kerkesën që iu bë për të shkuar në Romë me delegacion e lartë shqiptar që do t'i çonte Kurorën e Skënderbeut, Mbretit të Italisë Viktor Emanuelit. Lidhur me këtë, i biri Urhani dëshmon: "Nisur nga bindjet politike antifashiste që kishte babai si dhe refuzimi që i bëri ai kërkesës për të shkuar në Romë me delegacionin që çoi Kurorën e Skënderbeut tek Mbreti Viktor Emanueli, në fillimin e vitit 1940-të, ai u internua nga autoritetet italiane në Itali. Pak kohë pas internimit të tij, me propozimin e Kryeministrit Shefqet Vërlaci me të cilin babai kishte pasur gjithmonë probleme, ne na u sekuestrua e gjithë pasuria jonë e luajtëshme dhe e paluajtëshme. Në vendimin e sekuestrimit të kësaj pasurie thuhet: "Këshilli Ministruer. Vendim. Nr.306 me 1-III-940. Këshilli Ministruer në mbledhjen e Tij të sotshme të mbajtur nën Kryesinë e z. Shefqet Vërlaci, Kryeministër e Zav. Ministër Sekretar Shteti për P. Botore, me antar ZZ Tefik Mborja, Ministër Sekretar i Partisë Fashiste Shqiptare, Xhafer Ypi, Ministër Sekretar Shteti për Drejtësin, Maliq Bushati, Ministër sekretar Shteti për M. Mbrendshme, Fejzi Alizoti, Ministër Sekretar Shteti për Financat, Ernest Koliqi, Ministër Sekretar Shteti për Arsimin, Anton Beça, Ministër Sekretar Sheti për Ekonominë kombëtare, në bazë të nenit 9 të Dekretit Mëkambësuer datë 2 qershor 1939-XVII, shpallun në Flteroren Zyrtare Nr.39 data 9 Qershuer 1939-XVII. Vendosi konfiskimin e pasunivet të lujtëshme dhe të pa-lujtëshm, të sekuestrueme me Dekret të ndryeshëm të Ministrit Sekretar Shteti për Drejtësinë, në bazë të nenit 2 të Dekretit sipërthanun, personave të treguem në listën e bashkëngjitun këtij vendimi, me përjashtim të shtëpis qi zotnon në lagjen "Abdullah Bej" të Tiranës, Abdurrahman Dibra, e cila i asht falë për banim familjarë familjes së të ndjerëve Et-hem, Ismet dhe Tahsim Toto, familje e cila përbahet prej të vejave, fëmijve të mitun, atit dhe vëllait student. Asht nji me origjinalin. Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministravet. (Yzedin Beshiri) firma". (AQSH. F. 249 v 1940 D.III 263 f.120). Ndërsa shtëpinë tonë ia dhanë familjes së vëllezërve Ismet e Et'hem Toto, ne na lanë të banonim në bodrumin e saj, kurse në katin e tretë sollën familjen e një mjeku italian. Ne do të na kishin hequr fare nga shtëpia, por na lanë të banonim në bodrumin e saj vetëm në sajë të ndërhyrjes së Xhaferr Ypit. Kurse në pasurinë e paluajtshme që na u sekuestrua bënin pjesë 60 dynym tokë pjesa më e madhe e së cilës ishte në aeroportin e Laprakës. Një pjesë të madhe të parave që u mblodhën nga shitja e tokave tona, iu dhurua Kryqit të Kuq Shqiptar. Pas një qëndrimi prej katër vjetësh në internim në Itali, ku babai Abdurrahmani ishte së bashku me miqtë e ngushtë Hiqmet Delvinën e Suat Asllanin, ai u kthye në Shqipëri në shtatorin e vitit 1943 kur kapitulloi Italia. Me ardhjen e tij në Tiranë gjatë periudhës së pushtimit gjerman, babai kërkoi dhe rimori një pjesë të madhe të pronave që na kishin sekuestruar italianët me pa të drejtë. Deri në mbarimin e Luftës babai qëndroi në shtëpi dhe nuk u përzie fare me politikë. Edhe pas mbarimit të Luftës në fundin e vitit 1944, ndonëse Abdurrahmani kishte shërbyer për gati 19-vjet si deputet dhe Ministër i Monarkisë së Zogut, komunistët që erdhën në pushtet nuk e trazuan fare atë. Por peripecitë e mëdha për familjen tonë filluan në pranverën e vitit 1946 kur komunistët arrestuan vëllanë e madh, Qenanin, i cili kishte mbaruar studimet e larta dhe ishte diplomuar për Jurisprudencë në Paris dhe në Akademinë Ushtarake të Romës. Vëllai Qenani u akuzua si kryetar i një grupimi Monarkist i cili ishte bashkuar me dy grupime të tjera: Social-demokrat dhe të Rezistencës të kryesuara nga Musine Kokalari dhe Sami Qeribashi", kujton Urhan Dibra për vëllanë e tij. | |
| | | dhori Fillestar/e
Numri i postimeve : 10 Vendi : Ne dhome :P Registration date : 04/04/2008
| Titulli: Re: Kush ishte Abdurahman Dibra Sat Apr 05, 2008 12:20 am | |
| Historia tragjike e djalit të Abdurrahman Dibrës, Qenanit, i cili ishte diplomuar për Jurisprudencë në Paris dhe u ekzekutua në korrikun e 1946-ës si Kryetar i Grupit Monarkist "Si e ekzekutuan vëllanë tim Qenan Dibra, në 1946-ën" Dashnor Kaloçi: Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm, u njohëm me një histori të shkurtër të Abdurrahman Dibrës, i cili u lind në vitin 1885 në Dibër të Madhe ku tre të katërtat e atij qyteti ishin pronë e babait të tij Elmazit që asokohe punonte si arkëtar i Bashkisë. Abdurrahmani u diplomua në Shkencat Politike në Stamboll ku dhe shërbeu për disa vjet në funksionin e nënprefketit të kryeqytetit turk. Në vitin 1921 ai u kthye në Shqipëri dhe u zgjodh deputet i Parlamentit të Parë shqiptar në zgjedhjet që u zhvilluan në 21 prill të atij viti. Që nga ajo kohë dhe deri në shtatë prillin e vitit 1939, Abdurrahman Dibra shërbeu si deputet dhe tre herë Ministër në qeveritë e Monarkisë së Zogut. Më pas ai u internua nga italianët në Itali, pasi nuk pranoi të merrte pjesë në Qeverinë Shqiptare që u krijua në mesin e muajit prill 1939 dhe pas refuzimit që kishte bërë për të shkuar në Itali me delegacionin shqiptar që i dërgoi Kurorën e Skënderbeut, Mbretit Viktor Emanueli. Po cila ishte e kaluara e Qenan Dibrës, ku kishte studjuar ai dhe çfarë qëndrimi kishte mbajtur gjatë periudhës së pushtimit fashist të vëndit? Lidhur me këtë, i vëllai i tij Urhani, dëshmon: "Qenani ishte vëllai ynë i madh dhe ai kishte lindur në vitin 1912-të në Stamboll. Qenanin ne e kishim vëlla nga babai dhe nëna e tij që ishte gruaja e parë e babait tonë Abdurrahmanit, kishte vdekur në Stamboll. Po nëna jonë Naile Kulla e konsideronte Qenanin tamam si djalin e saj dhe nuk e ndante për asgjë nga ne shtatë fëmijët e tjerë: Adnani, Irfani, Emineja, Melihaja, Ferihaja, Sabihaja dhe unë. Gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, Qenani u diplomua në Liceun Francez të qytetit të Korçës. Pas diplomimit në atë Lice në vitin 1934, ai fitoi një të drejtë studimi dhe shkoi në Francë ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Parisit. Pas diplomimit në vitin 1938, Qenani u kthye në Shqipëri dhe deri në prillin e vitit 1939 kur u krye agresioni fashist ndaj vëndit tonë, ai punoi në Ministrinë e Punëve të Jashtëme në Tiranë. Pas internimit të babait në Itali, Qenani shkoi në Romë dhe ndoqi studimet e u diplomua në akademinë Ushtarake të atij qyteti. Në vitin 1942 ai u kthye në Tiranë dhe hapi një zyrë avokatore tek "Rruga Mbretnore", ku mbante si asistent Reis Hashon nga Gjirokastra. Aty nga fillimi i vitit 1943, vëllai ynë Qenani u fejua me një vajzë shumë të mirë nga qyteti i Elbasanit, e cila quhej Muhazez Skikuli. (Narazani). Gjatë periudhës së Luftës Qenani nuk u përzie fare me punët e politikës nga që nuk donte t'ia prishte babait Abdurrahamanit, i cili i thoshte shpesh që të mos ngatërrohej në atë punë. Aty nga vjeshta e vitit 1944 pak kohë para mbarimit të Luftës, Qenani donte të largohej nga Shqipëria edhe pse nuk ishte përzier fare me politikë. Por ai nuk iku pasi e ndaloi babai duke i thënë se ata të dy e ndjenin veten krejt të pastër dhe se komunistët nuk kishin asnjë arsye që t'i trazonin", kujton Urhan Dibra lidhur me të kaluarën e vëllait të tij të madh Qenanit, i cili u arrestua nga komunistët në 13 janarin e vitit 1946-të. Qenani, kryetar i Grupit Monarkist Ndonëse Qenan Dibra gjatë periudhës së pushtimit fashist të vëndit kishte punuar si avokat dhe nuk ishte përzier fare me punët e politikës, ai ishte i formuar me një kulturë perendimore dhe ishte një antikomunist i flaktë me bindje të thella. Për atë arsye edhe regjimi komunist që erdhi në fuqi nuk ia dha Qenanit të drejtën që të ushtronte profesionin e tij të avokatit. Të gjitha këto e bënë Qenan Dibrën që ai të mos pajtohej me politikën e terrorit që filloi të ndiqte regjimi komunist i Enver Hoxhës, e cila kishte filluar që nga periudha e luftës me krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Në atë kohë Qenan Dibra u lidh dhe bashkëpunoi ngushtë me një grup intelektualësh tiranas të cilët ishin diplomuar në perëndim dhe kishin bindje të thella antikomuniste. Ky grupim antikomunist që përbëhej nga intelektualë të njohur të fushave të ndryshme, u quajt Grupi i Monarkistëve dhe si kryetar të tij zgjodhi Qenanin. Synimi kryesor i atij grupimi antikomunist ishte që të krijonin një opozitë të vërtetë kundër Qeverisë Komuniste të Tiranës dhe për këtë ata kishte hartuar një program të qartë për të gjithë aktivitetin që do të kryenin. Grupimi "Monarkist" i drejtuar nga Qenan Dibra u bashkua me dy grupimet e tjera antikomuniste që ishin krijuar në atë kohë, si ai "Social-Demokrat" i kryesuar prej Musine Kokalarit dhe atë të "Rezistencës" të kryesuar prej Sami Qeribashit. Mbledhja për bashkimin e këtyre tre grupimeve u zhvillua në shtëpinë e Ali Kavajës në Tiranë dhe aty përfaqësuesit e të tre këtyre grupeve ranë dakort dhe formuan grupimin e vetëm i cili u quajt "Bashkimi Demokrat" dhe kryetar i tij u zgjodh Sami Qeribashi. Ndër pikat më kryesore që ata do t'i kërkonin Qeverisë së Enver Hoxhës, ishte respektimi i të drejtave dhe lirive të individit, t'u sigurohej të gjithë shtetasve liria e fjalës, ndërgjegjies, shtypit, fesë, tregëtisë së lirë private dhe krijimin e shoqërive e mbledhjeve të lira. Po kështu një nga kërkesat kryesore të "Bashkimit-Demokrat" ishte dhe shtyrja e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945 deri sa Qeveria e Enver Hoxhës të legalizonte opozitën e vërtetë demokratike. Ndër veprimet kryesore që do të bënte "Bashkimi-Demokrat" për realizimin e atyre kërkesave, ishte takimi me përfaqësitë e huaja anglo-amerikane dhe franceze që ishin në Tiranë, të cilëve do t'u kërkohej që të bënin presion pranë Qeverisë së Enver Hoxhës që të zbatoheshin ato kërkesa dhe të lejohej legalizimi i opozitës së vërtetë demokratike. Ato kërkesa u konkretizuan në një notë proteste të firmosur nga 75 antarë të "Bashkimit-Demokrat" (nga 25 për çdo grup) dhe një nga pikat e asaj note ishte që Qeveria e Enver Hoxhës të merrte nën mbrojtje pjestarët e opozitës që do të dilte gjatë fushatës së zgjedhje të 2 dhjetorit 1945. Në atë kohë të gjithë pjestarët e "Bashkimit-Demokrat" i ngrohu disi edhe fakti se pak a shumë ato kërkesa që kishin hartuar ata, ishin kërkuar edhe prej Gjergj Kokoshit i cili ishte në kryesinë e "Frontit Demokratik" të kryesuar prej Enver Hoxhës. Për të marrë takim me kolonelin britanik Palemer që kryesonte misionin anglez në Tiranë, "Bashkimi-Demokrat" udhëzoi Qenan Dibrën, Shaban Ballën dhe Reis Hashon të cilët ia paraqitën atij të gjitha kërkesat e hartuara. Ato kërkesa misioni anglo-amerikan i kryesuar nga koloneli Hodgson dhe Harry Fultz, ia paraqiti Enver Hoxhës në takimin që zhvilluan me të, por Enver Hoxha jo vetëm që nuk i mori ato parasysh, por i quajti ndërhyrje në punët e brendshme. Duke parë qëndrimin e Enver Hoxhës i cili nuk mori parasysh asnjë nga kërkesat që iu parashtruan nga ana e misionit anglo-amerikan, grupimi "Bashkimi-Demokrat nuk doli në opozitë të hapur, por punoi në ilegalitet dhe ditën e zgjedhje në 2 dhjetor 1945, shpërndau një trakt në të cilin kërkohej sabotimi dhe bojkotimi i zgjedhjeve, duke i quajtur ato antidemokratike. Dënimi i Qenanit me vdekje Si rezultat i asaj veprimtarie të kryer si para zgjedhjeve në ditët e fushatës elektorale ashtu dhe pas saj, grupimi "Bashkimi-Demokrat" ra në sy të Sigurimit të Shtetit i cili pa kaluar më shumë se një muaj e ca ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve të 2 dhjetorit, në 10 janar të vitit 1946, ndërsa përgatitej të mbahej mbledhja e Asamblesë Kushtetuese që do shpallte Republikën Popullore të Shqipërisë, filloi arrestimet ndaj të gjithë antarëve të asaj organizate në Tiranë dhe në rrethe të tjera. Pas disa muajsh, më 17 qershor të vitit 1946 ata u nxorrën para Gjyqit Ushtarak i cili i zhvilloi seancat në Kinemanë "Nacional" (sot "17 Nëntori"), nën kryesinë e major Frederik Nosit, Kryetar Gjyqi dhe dy antarëve: Kapiten i Parë Nexhat Hyseni e Veledin Zeneli. Prokuror i atij gjyqi ishte Kapiten i Parë Nevzat Haznedari. Grupi i të akuzuarëve si antarë të "Bashkimit-Demokrat" që do të gjykoheshin në atë gjyq dhe ishin si të pandehur aty, përbëhej ngajergj Kokoshi, Sami Qeribashi, Suat Asllani, Ali Kavaja, Shaban Balla, Reis Hasho, Profesor Çoka, Xhahit Koka, Enver Hasa, Hivzi Golja, Qemal Biçaku, Llazar Papapostoli, Mehmet Ali Beshiri, Semiras Vërlaci, Mahmut Mëniku, Anton Dukagjini, Musine Kokalari, Haki Gjinishi, Kolë Rodhe, Lluka Bibi, Myrteza Beli, Haki Karahoxhaj, Talat Drini, Niko Beça, Vahit Vërdova, Pali Terova, Nefail Skikupi, Musa Dizdari, Hasan Kalaja, Taqi Ruso, Xhevat Miluka, Stefan Bumçi, Nesti Orollogaj dhe Pjerin Shala. Gjatë zhvillimit të senacave të gjyqit në sallën e madhe e cila ishte mbushur me njerëz të Sigurimit, vazhdimisht dëgjoheshin britma histerike: "Në litar, në litar". Gjyqi ndaj këtyre të akuzuarëve vazhdoi deri më datën 2 korrik, ditë në të cilën Kryetari i Gjyqit Frederik Nosi dha dhe vendimin për dënimin e tyre. Nga të 37 të pandehurit që u gjykuan, u dhanë dënimet me vdekje për nëntë prej tyre të cilët ishin: Sami Qeribashi, Qenan Dibra, Shaban Balla, Xhahit Koka, Hivzi Golja, Ali Kavaja, Mehmet Ali Beshiri, Talat Ndrini dhe Mahmut Mëniku. Ndërsa të tjetër u dënuan me dënime të ndryshme të cilat varionin nga 20 deri 30 vjet dhe burgime të përjetëshme. Ekzekutimet e nëntë pjestarëve kryesorë të grupimit "Bashkimi-Demokrat" i cili përbënte dhe opozitën e parë demokratike të organizuar që nga ardhja e regjimit komunist në Shqipëri, u bënë në Bregun e Lumit dhe trupat e të pushkatuarëve u hodhën nëpër gropa të cekta me qëllim që t'i merrte lumi dhe të humbnin pa asnjë gjurmë. Abdurrahmani dënohet 10 vjet Po ç'ndodhi më pas me familjen e Qenan Dibrës pas ekzekutimit të tij? Lidhur me këtë, i vëllai, Urhani dëshmon: "Pas pushkatimit të vëllait Qenanit, ne na nxorrën nga shtëpia që kishim aty tek Rruga e Saraçëve dhe ato i kthyen në zyra të një komande ushtarake. Pasi na nxorrën përdhunisht nga shtëpia, ne na lanë në mes të katër rrugëve duke na thënë që të shkonim ku të donim. Pas daljes nga shtëpia ne u detyruam dhe në fillim shkuam dhe u strehuam tek halla jonë e cila banonte jo shumë larg shtëpisë sonë. Por kur komunistët e morën vesh që ne ishim futur aty, ata erdhën dhe na sekuestruan të gjitha plaçkat e na nxorrën me detyrim në mes të katër rrugëve. Aty nga fillimi i vitit 1947 ne na dëbuan nga Tirana dhe bashkë me shumë familje të tjera të goditura nga regjimi komunist shkuam dhe u vendosëm në qytetin e Durrësit. Në atë qytet ne na strehoi në shtëpinë e tij miku i ngushtë i babait Mahmut Haznedari, i cili iu gjet babait më shumë se një vëlla. Në atë kohë kur shkuam aty babai i tha Mahmutit se nuk donte ta rëndonte, pasi ai i kishte fëmijët partizanë dhe komunistë e ardhja jonë aty do t'ju prishte punë. Por Mahmut Haznedari i tha babait se aty ishte ai zot shtëpie. Unë me babanë, nënën, vëllezërit dhe motrat jetuam për afro katër vjet në shtëpinë e Mahmut Haznedarit dhe të gjithë fëmijët e tij megjithse ishin komunistë, na trajtonin me respektin më të madh edhe pse ne quheshim familje reaksionare. Në vitin 1951 ne na hoqën që andej dhe na dërguan në Elbasan ku qëndruam për tre muaj. Gjatë asaj kohe u arrestua dhe babai ynë Abdurrahmani dhe arsyeja kryesore e arrestimit të tij, ishte frika që kishin komunistët nga respekti i madh që i bëhej Abdurrahmanit nga qytetarët durrsakë të cilët i hiqnin kapelen sa herë shkëmbeheshin me të në rrugë. Pas arrestimit babanë e mbajtën gjashtë muaj në hetuesi dhe e nxorrën në gjyq duke e akuzuar se ai paraqiste rrezikshmëri të lartë shoqërore nga që e nderonte i gjithë populli. Kjo ishte dhe arsyeja e vërtetë e arrestimit të babait, ndërsa në akuzë i shënua "agjitacion e propagandë". Gjyqi e dënoi babanë me dhjetë vjet burg, nga të cilat ai vuajti tetë vjet e gjysëm në burgun e Burrelit dhe në atë të Tiranëës ku e çuan vitet e fundit për të bërë historikun e Parlamentit Shqiptar. Babai nuk e vuajti të gjithë dënimin, për arsye se e kapi amnistia që i falte të gjithë ata të dënuar që ishin mbi shtatëdhjetë vjeç. Pasi doli nga burgu babai qëndroi në Tiranë bashkë me ne pjestarët e tjerë të familjes që banonim në një barake të vjetër e cila ishte me dysheme e mure prej dheu e balte. Që ditët e para që babai doli nga burgu dhe erdhi aty në atë barakë, atij i vinin për ta takuar me dhjetra miq e shokë, sa që ai nuk kishte mundësi t'i priste të gjithë. Babai vdiq nga një hemoragji cerebrale në shkurtin e vitit 1961 dhe në varrimin e tij nuk ishim më shumë se gjashtë-shtatë vetë të familjes", e përfundon rrëfimin e tij Urhan Dibra, mbi histrinë tragjike të babait Abdurrahmanit, ish-deputetit dhe Ministrit të Monarkisë së Zogut që u dënua me dhjetë vjet burg nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, pasi më parë i kishin pushkatuiar dhe djalin, Qenanin, i cili ishte diplomuar për Drejtësi në Paris. E tmerrshme.. Goxha njerez te arsimuar...ne universitete te njohura..qe bota do i kish zili.. Sa kollaj ti futesh plumbin ketyre intelektualve dhe te pretendosh se ke zhvilluar arsimin dhe kulturen... Epo Kanibalizem ka qene komunizmi shqiptar!!! | |
| | | Zogisti_Legalist Fillestar/e
Numri i postimeve : 69 Vendi : Mbreteria e Shqiptareve Registration date : 09/03/2008
| Titulli: Re: Kush ishte Abdurahman Dibra Sat Apr 05, 2008 12:33 am | |
| Pershendetje per temen!!! | |
| | | Sofra Admin
Numri i postimeve : 7564 Registration date : 13/08/2007
| Titulli: Re: Kush ishte Abdurahman Dibra Sat Apr 05, 2008 1:09 am | |
| Mbasi i mënjanoi disi bejlerët, Zogu u rrethua me njerëz të çdo kategorie, dhe krijoi vegla të reja prej borgjezisë, si Musa Jukën (ose Musa Efenija, siç e quanin Shkodranët), të cilin e mbajti ministër të Punëvet të Brendëshme pothuajse për tërë kohën e regjimit të tij. Musa Juka i mbushi kafenetë me spiunë, se nuk njihte tjetër mënyrë qeverimi përveç asaj të kohës së Sulltan Hamitit. Të tjerë "besnikë" që Zogu i mbajti gjer në fund ishin Koço Kota, Abdurrahman Dibra, Hiqmet Delvina, e shumë dallkaukë që iu ngjanin këtyre. -------------------------------------------- 24 Dhjetori u shpall prej zogistëvet si dita e "Triumfit të Legalitetit", një "legalitet" i çuditshëm që u vendos me ndihmën e Jugosllavisë, ushtëria e së cilës iu hapi udhën bandavet të Zogut duke shkelur kufirin shqiptar. Këto lloje vepërimesh u bënë një zakon aq i keq për ngjarjet e pastajme, sa që kundërshtarët e Zogut s'e patën për gjë, më 7 Prill 1939, të hynin në Shqipëri me ushtërinë italiane si "çlironjës" të vendit. Me fjalën "legalitet", Ahmet Zogu donte të thoshte se partia e tij kishte qënë pushteti i ligjshëm, që mbahej me votëbesimin e shumicës parlamentare, kur u përmbys prej një rebelizmi ushtarak në Qërshor të 1924-ës; dhe tash këthehej prapë në fuqi. Duke e pasur shqisen politike më të mprehtë nga ajo e kundërshtarëvet të tij, Ahmet Zogu vuri ca ditë në kolltuqe sa për formë qeverinë e përmbysur prej kryengritjes së Qërshorit dhe thirri Asamblenë Kushtetonjëse të mëparshme me ata antarë që i kishin mbetur. Kjo shpalli Republikën Shqiptare, më 21 Jenar 1925, dhe zgjodhi kryetar të saj Ahmet Zogun. Sipas Statutit që u votua më 31 Jenar, kryetari i Republikës, i cili zgjidhej për 7 vjet, ishte njëkohësisht edhe kryetari i qeverisë. Republikës së re nuk i mungonte veshja parlamentare e përbërë prej dy dhomash: Senati edhe dhoma e deputetëvet. Senati përbëhej prej 18 antarësh, nga të cilët dy të tretat zgjidhëshin prej popullit dhe-një e treta emërohej prej kryetarit të Republikës. Kurse deputetët zgjidhëshin për 4 vjet, me anë zgjedhësish të dytë, si më parë, por në një numër më të kufizuar: një për 15.000 frymë që kështu delnin gjithësejt nja 57 "baballarë të kombit". Është e kotë të zgjatemi këtu mbi përcaktimet e fuqisë dhe të kontrollit që duhej t'ushtronte parlamenti, mbasi praktikisht të gjitha fuqitë i kishte Zogu me rrethin e tij. Si njeriu i vepërimit dhe që s'merrej me ëndërra të kota, krahas me këto forma "legale", Ahmet Zogu mori të gjitha masat praktike për të vendosur sundimin e tij. E ndau vendin në zona operacioni ku dërgoi fuqi merçenarësh me nga një kumandar besnik në krye, duke bërë shtrëngime për çarmatimin e popullsisë në Shqipërinë e jugës dhe në disa krahina të veriut. Kurse ato malësi që kishin marrë anën e Zogut i mbanin armët lirisht. Ndoqi me rreptësi kundërshtarët e tij, disa prej të cilëve i vrau. Dërgoi e vrau Luigj Gurakuqin, në Bari, më 2 Mars 1925. Dhe në fund t'atij muaji fuqitë ndjekëse vranë Bajram Currin te Shpellë e Dragobisë. Duke vepëruar me shpejtësi, Zogu vuri kudo besnikët e vet n'administratën e në kumandat ushtarake, për t'a mbledhur fuqinë e shtetit në duart e tija. Formoi një qeveri me njerëz që kishin marrë anën e tij, si Myfit Libohova, Koço Kota etj., disa prej të cilëvet i mbajti gjer në fund. Por pas këthimit prej Jugosllavie dhe kur e ndjeu vehten mjaft të fortë, Ahmet Zogu desh të çlirohej prej rrethit të bejlerëvet të mëdhenj, të cilët donin t'ushtronin ndikimin e tyre në politikën e vendit, dhe formoi një regjim krejt personal. Për këtë punë, i mënjanoi bejlerët ca nga ca ose i uli në radhën e oborrtarëvet të nënshtruar, duke i përdorur në lloj lloj shërbimesh me rroga e pozita dhe duke iu lënë, natyrisht, çifliqet, por ua hoqi rëndësinë politike. Për këtë arësye, ose edhe sepse i ndrinte përpara syvet një kurorë mbretërore, e prishi mblesën me të bijën e Shefqet Vërlacit, për të mos pasur detyrime kundrejt këtij. Cinik prej natyre dhe i rritur me konceptet orientale të politikës, Zogu nuk njihte tjetër parim përveç interesit dhe nuk besonte në kurrfarë ideje ose idealizmi. Dhe është për t'ardhur keq, se me energjinë e tij, me zotësinë dhe intuitën politike që kishte, mund t'i kish sjellë shërbime të mëdha Shqipërisë sikur të kish formuar një rreth me njerëzit më të ndritur dhe moralisht më të lartë, prej të cilëvet mund të gjente sigurisht edhe në brezin e ri edhe në të vjetërin, duke mbajtur nër duar flamurin e shqiptarizmit; më të pastër, ashtu si kanë bërë tek popuj të tjerë disa udhëheqës të mëdhenj. Virtuti ngjall gjithmonë enthusiazmë dhe tërheq, e nuk mund të thuhet se i tërë kombi shqiptar ishte një kalbësirë. Tjetër punë sepse Zogu mblidhte rreth vehtes kalbësirat. Sikur të kishte qënë i një tjetër lartësie morale, jo vetëm mund t'a kish vënë popullin shqiptar në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe të qytetërimit, por sidomos - dhe të dyja këto anë lidhen bashkë - do të kishte sjellë pajtimin e shpirtravet, mbylljen e plagëvet shoqërore të vjetra, ngritjen e ndërgjegjes kombëtare në një tjetër shkallë pjekurie, me frymën e drejtësisë dhe nëpër dritën e idevet të lira, kështu që ai popull do të kish gjetur ndoshta ekuilibrin e brendshëm dhe do të kish formuar lidhjet e nevojshme rreth një ideje qendrore shqiptare për t'iu bërë ballë furtunavet të pastajme. Por regjimi i Zogut s'bëri tjetër veçse i acaroi konfliktet shoqërorë edhe më tepër, rrëzoi në llom çdo shpresë që mund të kishte njeriu në vleftat kombëtare e morale, në drejtësinë, në rolin udhëheqës të shtetit drejt së mirës. Nuk lejoi që të formohej një ide qendrore shqiptare e pështetur në të vërtetën. E la vendin në një anarki të plotë shoqërore e ekonomike, mendore e morale, nga e cila s'mund të delte veçse komunizmi. Por Zogu nuk ishte nga ata që ndiejnë një mision historik në vetvehte dhe që ia kushtojnë të gjitha energjitë e shpirtit për t'a përmbushur. Nuk ishte njeriu i krijimit, por një ambicioz i zakonshëm nga ata që duan të kumandojnë e të shkëlqejnë. Nuk e shtynte një dashuri e thellë për vepra të larta e të qëndruarshme, por dëshira e rëndomtë për madhëri, për kumandë, për lukse e pasuri. Këtë e provoi sidomos më 1928, kur ngrehu një "mbretëri" theatrore, me ca paraqitje qesharake, mbi një popull të vogël e të mjerë. E provoi me kultin e vetvehtes, me salltanetet, me paradat e një ushtërie kukëll, që përpiu gjysmën e buxhetit të shtetit për 14 vjet rresht, për të mos bërë as një orë qëndresë kur erdhi dita që atdheu të sulmohej nga i huaji. Për të kënaqur këto dëshira, Zogut i duhej të sundonte si një despot oriental, pa i dhënë llogari askujt. Prandaj ngrehu një regjim personal duke u pështetur në forcat më të prapambetura të vendit dhe duke mbledhur rreth vehtes elementin më të dobët. Bazën e forcës së tij Zogu e krijoi me disa krerë e bajraktarë të veriut, mësuar prej kohësh të jetonin si merçenarë. Zogu dijti të lidhte pas vehtes një pjesë prej tyre duke i bërë oficerë "kreshnikë" me grada e rroga sipas rëndësisë. Në kohë qetësie, këta rrinin në shtëpi dhe merrnin gjysmën e rrogës. Në rast nevoje, iu jepej urdhëri që të çonin në këmbë sa më shumë burra prej krahinavet të tyre, të cilët qëndronin gjithnjë t'armatosur. Me anën e këtyre i pat shtypur Zogu të gjitha kryengritjet që u bënë kundër tij, mbasi ushtërisë së rregullt nuk i kishte besim: kjo ishte vetëm sa për paradë, me gjithë milionat që i kushtonte shtetit. Mbasi formoi bazën e forcës me krerë e bajraktarë të veriut (që kishin qënë më parë në shërbim t'Esad Toptanit a të kujtdo tjetër), Zogu s'kishte më nevojë për pështetjen e bejlerëvet të mëdhenj, dhe i uli këta në radhën e oborrtarëvet. Mblodhi rreth tij njerëzit më të poshtër që mund të mendohej, të cilët i kumandonte si shërbëtorë. Këta deri atëhere s'i kishte lidhur asgjë me Shqipërinë, shumë prej tyre kishin qënë kundër lëvizjes kombëtare në të kaluarën duke bashkëpunuar me Turqit e me Grekët. Kur na duallë menjëherë "veteranë", domethënë shërbëtorë besnikë të Zogut, dhe duhej që populli shqiptar t'iu paguante rroga. Njerëzve të regjimit, t'administratës dhe t'ushtërisë iu kërkohej vetëm një cilësi: t'ishin "besnikë" dhe asgjë tjetër. Kjo arriti në një farë kulti të personit të Zogut, në një mënyrë të neveritshme. Kur njerëzit e një regjimi zgjidhen vetëm sipas kriterit të besnikërisë ndaj kryetarit, merret me mend se çfarë elementi i dobët hipokrit e dallkauk mblidhet n'atë sofër. Të tillë qenë përgjithsisht ata që mbajtën në këmbë regjimin personal të Zogut gjatë atyre 14 vjetëve. Duke pasur si një forcë në rezervë "kreshnikët" e veriut dhe si kuadra për n'aparatin e shtetit "besnikët", Zogu iu përvesh me një dorë të fortë organizimit t'administratës dhe të Gjindarmërisë. Bëri një ligj t'administratës civile, sipas të cilit vendi ndahej në 10 prefektura, që kishin nga dy-tri nënprefektura, dhe këto nga dy-tri krahinari ose komune, siç u quajtën më vonë. Administrata ishte ngushtësisht e përqendruar në duart e ministrit të Punëve të Brendëshme, dhe ky urdhërohej, natyrisht, prej Zogut. Për të mos lënë jashtë kontrollit qeveritar asnjë tjetër formë autoriteti, Zogu i futi më vonë edhe bashkitë nën urdhërat e qeverisë, dhe kryetarët e tyre, që deri atëhere zgjidhëshin prej qytetarëvet si në çdo vend të botës, emërohëshin tani prej Ministrisë së Punëve të Brendëshme, sikurse prefektat dhe nënprefektat. Një rëndësi të veçantë i dha Zogu organizimit të gjindarmërisë. Vetëm në këtë nuk lejoi ndërhyrjen e Italianëvet, por u a besoi organizatorëve anglezë. Degën e gjindarmërisë e ndau në katër zona: e Veriut, e Lindjes, e Shqipërisë së Mesme dhe e Jugës, me qendra Shkodrën, Peshkopinë, Tiranën dhe Përmetin. Në secilën prej zonavet kishte nga një inspektor anglez. Gjindarmëria varej nga kumanda e përgjithshme e saj me qendrën në Tiranë. Kumandari i përgjithshëm, shqiptar, dhe inspektori i përgjithshëm, anglez, ishin drejtpërdrejt nën urdhërat e Zogut. I pari organizator dhe inspektor anglez i gjindarmërisë shqiptare pat qënë koloneli Sterling, i cili u zëvëndësua më pastaj nga gjeneral J. Percy. Mund të thuhet se gjindarmëria ishte mjaft mirë e organizuar dhe se qetësia u mbajt në rregull, mbasi edhe Zogu vetë ishte i zoti për kësij punësh.
Nuk dimë (ose s'është nevojë të shkruajmë këtu) se çfarë premtimesh i bëri Zogu Jugosllavisë, kur kjo e ndihmoi që të këthehej në Shqipëri. Por nga premtimet që mund t'i ketë bërë, zbatoi vetëm lëshimin e Vermoshit dhe të Shën-Naumit.
Ishte bërë punë e mërzitshme çështja e kufijvet të Shqipërisë, sepse Jugosllavia dhe Greqia mundohëshin gjithmonë të shkëputnin diçka më tepër. Më 1923, Jugosllavia kish ngulur këmbë për të mbajtur Vermoshin dhe Shën-Naumin, dhe Greqia 14 fshatrat e qarkut të Korçës. Konferenca e Ambasadorëvet nuk i mori fare parasysh kërkesat e këtyre shteteve përsa iu përkiste Vermoshit dhe 14 fshatravet. Por çështja e Shën-Naumit u rrah gjatë. Duke e interpretuar në dobi të saj tekstin e Protokollit të Londrës që caktonte kufijtë e shtetit shqiptar me 1913, Jugosllavia mtonte se Shën-Naumi i takonte asaj. Por Konferenca e Ambasadorëvet, në një vendim të 6 Dhjetorit 1922, i dha të drejtë Shqipërisë. Në Prill e në Maj 1923, Jugosllavia e kundërshtoi atë vendim dhe kërkoi që të rishikohej. Konferenca e Ambasadorëvet formoi një komision anglo-franko-italian për t'a shqyrtuar edhe një herë atë çështje, por mbasi komisioni s'ra dot n'ujdi, çështja kaloi në Lidhjen e Kombevet, e cila kërkoi mendimin e këshilltarëvet të saj juridikë. Këta i dhanë të drejtë Jugosllavisë, por Lidhja e Kombevet nuk mund t'a thyente aq lehtë vendimin e Ambasadorëvet, të cilët ishin ngarkuar prej Konferencës së Paqes për caktimin e kufijvet të Shqipërisë, prandaj ia kaloi çështjen Gjyqit Ndërkombëtar të Hagës. Ky, mbasi i rishikoi të gjitha të dhënat, e ndau punën më mirë, dhe u shpreh që Shën-Naumi t'i jepej Shqipërisë sipas vendimit të Konferencës s'Ambasadorëvet, marrë më 6 Dhjetor 1922. E pështetur në mendimin e Gjyqit të Lartë Ndërkombëtar, Lidhja e Kombevet ia njohu Shën-Naumin Shqipërisë, në Tetor 1924. Konferenca e Ambasadorëvet e vërtetoi edhe një herë atë vendim më 27 Prill 1925. Mirëpo Zogu, në Korrik t'atij viti, ia bëri peshqesh Jugosllavisë jo vetëm Shën-Naumin, po edhe Vermoshin, të cilin Konferenca e Ambasadorëvet s'kish pranuar t'a vinte fare në bisedim mbasi i takonte Shqipërisë. Disa "kalemxhinj" zogistë kanë dashur jo vetëm t'a mbulojnë këtë trathëti, po edhe t'a tregojnë si një politikë t'urtë të Zogut, duke u pështetur n'arësyen se Jugosllavia i kish pushtuar ato vise dhe s'do të dëgjonte kurrsesi t'ia këthente Shqipërisë etj. Këto profka nuk kanë asnjë vleftë, sepse Jugosllavia do të detyrohej më në fund t'ia këthente ato dy vise Shqipërisë, sikurse u detyrua Greqia për 14 fshatrat. Konferenca e Ambasadorëvet dhe Lidhja e Kombevet nuk do t'a shkelnin vendimin e tyre, pasi kaloi edhe nga gjyqi ndërkombëtar, dhe do të kërkonin që Jugosllavia të nënshkruate përfundimisht caktimin e vijës së kufirit me Shqipërinë. Po edhe sikur Jugosllavia të vazhdonte kundërshtimin për ca kohë, kryetarit të shtetit shqiptar nuk ia lejonte as nderi as detyra që t'i falte asaj peshqesh pjesë të tokës kombëtare duke i legalizuar atë çka ndërkombëtarisht i ishte njohur Shqipërisë. Mbasi pësuan edhe këto ndryshime të vogla, kufijtë e Shqipërisë u përcaktuan përfundimisht prej Komisionit Ndërkombëtar, në Korrik 1926, dhe Protokolli i fundit u nënshkrua në Paris, më 30 t'atij muaji, prej Ambasadorëvet t'Anglisë, të Francës, t'Italisë dhe të Japonisë, dhe prej nga një përfaqësonjësi të Jugosllavisë, të Greqisë e të Shqipërisë. Zogu e dinte se nuk mund të mbahej në fuqi pa një përkrahje të jashtëme, e sidomos pa ndihmën financiare të jashtëme. Shqipëria ishte një vend shumë i varfër, akoma fort i përçarë, dhe fqinjët ballkanike s'pushonin së ndërhyri. Për të mbajtur në këmbë administratën, forcat e armatosura, për të paguar "kreshnikët", për të ndërtuar rrugë, ura, pallate, e sidomos për të kënaqur ambicjet e tija për lukse e madhëri, Zogut i duheshin mjete. Shteti shqiptar kishte provuar më parë të gjente një hua nëpërmjet të Lidhjes së Kombevet, prej kapitalesh politikisht asnjanëse, por s'kishte mundur. Mbasi gjendja politike e Shqipërisë paraqitej e pasigurtë dhe pasuritë e saja natyrore nuk njihëshin mirë, vështirë se mund të gjendëshin kapitale prej shtetesh asnjanëse për t'u derdhur aty. Pastaj rreth Shqipërisë sillëshin si langonjtë pas erës shtetet që kishin interesa politike, në radhë të parë Jugosllavia dhe Italia. Kurse Greqia kërkonte të shkëpuste ato krahina që ajo i quante "Vorio-Epir", por nuk mendonte të bënte një politikë të përgjithshme me shtetin shqiptar. Anglia kish dëftyer një farë interesimi për Shqipërinë prej vitit 1920 e këtej, por tani nuk donte t'i delte përpara Italisë, me të cilën kish nisur t'afrohej. Pas ardhjes në fuqi të regjimit fashist dhe duke i kuptuar ambicjet e tija, Britania e Madhe desh t'a drejtonte Italinë nga Evropa jugë-lindore, qoftë për t'ia nxjerrë Francës si një pengesë, qoftë për të kundërshtuar shtrirjen e ndikimit të Rusisë sovietike. Në këto kushte, Shqipëria mbetej, natyrisht, në sferën e interesavet italiane. Një farë pozite të privilegjuar kundrejt Shqipërisë ia kishte njohur Italisë edhe vendimi i Konferencës s'Ambasadorëvet më 9 Nëntor 1921. Kundrejt afrimit anglo-italian, qëndronte lidhja m'e ngushtë akoma ndërmjet Francës dhe Jugosllavisë. Nëse Anglia lejonte një "depërtim paqësor" t'Italisë në Shqipëri, Franca do të dëshironte që Shqipëria të mbetej nën panxhën e Jugosllavisë. | |
| | | dhori Fillestar/e
Numri i postimeve : 10 Vendi : Ne dhome :P Registration date : 04/04/2008
| Titulli: Re: Kush ishte Abdurahman Dibra Sat Apr 05, 2008 1:35 am | |
| Joooooooooo gabim jeni!!!! | |
| | | dhori Fillestar/e
Numri i postimeve : 10 Vendi : Ne dhome :P Registration date : 04/04/2008
| Titulli: Re: Kush ishte Abdurahman Dibra Sat Apr 05, 2008 1:39 am | |
| Po keto shenime qe i ke mare ti jan shpifje te dikujt qe ka qendrimin tend,qe sheh vetem anen negative...eshte normale qe ska udheheqes ideal,po anen e atyre qe mban ti,sja vlen te jen as ne faqet e historise shqiptare....shko shfleto ndonji liber historie tamam o njeri!!! | |
| | | Sofra Admin
Numri i postimeve : 7564 Registration date : 13/08/2007
| Titulli: Re: Kush ishte Abdurahman Dibra Sat Apr 05, 2008 1:43 am | |
| Kështu, siç kishte qënë dikur një shesh rivaliteti ndërmjet Austro-Hurngarisë dhe Italisë, Shqipëria ngelte në të njëjtën pozitë midis kësaj së fundit dhe Jugosllavisë, e cila zëvendësonte Austro-Hungarinë në bregun lindor t'Adriatikut. Duke mos pasur një ekuilibër të brendshëm dhe e ndodhur në një shkallë ekomomike e kulturore shumë t'ulët, ishte e vështirë që Shqipëria t'iu qëndronte ndërhyrjevet të njërës e të tjetrës pa u pështetur në njërën kundrejt tjetrës. Zogu dijti të manevronte me njërën e me tjetrën, për interes të tij por jo të Shqipërisë. Për sa kohë që ishte puna për të marrë në dorë fuqinë, asnjë shtet tjetër nuk mund t'i jepte Zogut praktikisht një përkrahje aq të madhe sa Jugosllavia. Sepse kjo kishte kufij të përbashkët me Shqipërinë rreth malësivet të veriut, ku krerë e bajraktarë, me intriga e pak të holla, mund t'i përdorte si të donte, duke i vënë ndën urdhëra të Zogut ose duke i kthyer kundër tij. Prandaj Zogu, që e pat ndier t'afërt shpërthimin e luftës së brendëshme, miqësinë e parë e shtrëngoi me Jugosllavinë, përkrahja e së cilës i dukej e domosdoshme jo vetëm për të gjetur përkohësisht strehë në rast nevoje, po edhe për të vepëruar në Shqipërinë e veriut. Kurse tani që u bë zot i vendit, Jugosllavia mund të këthehej e rrezikshme për të, sepse, me të njëjtën lehtësi, mund të çonte në këmbë krerë të tjerë kundër këtij, nëqoftëse-ky nuk i nënshtrohej plotësisht. Pra duhej gjetur një tjetër mbështetje, që s'mund t'ishte veçse Italia. Zogu qe munduar t'afrohej sa më shumë me Anglezët. Këta e përkrahën këthimin e tij në Shqipëri, siç pat ndërhyrë ca kohë më parë ministri i tyre për të larguar Elez Isufin prej Tirane. Përveç organizatorëvet të gjindarmërisë që i kishte Anglezë, Zogu pat mbajtur vazhdimisht lidhje me përfaqësonjës të Shoqërisë Anglo-Persiane për t'i dhënë kësaj konçesionin e vajgurit. Me t'u kthyer prej Jugosllavie dhe duke pasur nevojë të ngutshme për të holla, Zogu i dha Shoqërisë në fjalë të drejtën e kërkimevet vajgurore mbi një sipërfaqe prej nja 60.000 hektarësh ndërmjet Beratit dhe Vlorës. Projekti i kësaj marrëveshjeje i pat qënë paraqitur parlamentit të mëparshëm, në Shtator 1923, por nuk gjeti pëlqimin e tij, dhe kish mbetur varur. Zogu e bëri që të ratifikohej prej "Asamblesë Kushtetonjëse", në Shkurt 1925. Gjatë atij viti, Zogu iu lëshoi konçesione për kërkime edhe disa shoqërive të tjera të jashtëme. Por duket se Anglo-Persiania dhe shoqëritë e tjera nuk i gjetën fort të pasura shtresat vajgurore të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Italia ndërhyri pranë qarqevet politike angleze që t'ia linin asaj shfrytëzimin e pasurivet natyrore të Shqipërisë. I bëri gjithashtu premtime Zogut për t'a tërhequr n'anë të saj. Mbasi ajo kohë ishte një periudhë afrimi ndërmjet Anglisë dhe Italisë, dhe pasuritë minerale të Shqipërisë nuk ishin fort të rëndësishme, shoqëritë angleze e të tjerat hoqën dorë, dhe Shqipëria mbeti fushë e lirë për Italinë. Regjimi fashist italian me Mussolini-n në krye kish nisur zhurmën e tij dhe pregatitjen për ndërmarrje të mëdha në drejtim të jugë-lindjes. Shqipëria ishte kyçi i Adriatikut dhe kryeura e zgjerimit italian në Mesdhe. Prandaj merret me mend se çfarë rëndësie mund të kishte për Italinë imperialiste. Po edhe Zogut i binte mirë që t'anonte nga Roma, për tri arësye: e para, Italia ishte në gjendje t'a mpronte prej Jugosllavisë; e dyta, ishte në gjendje t'a ndihmonte me kapitale; e treta, duke qënë përtej detit, nuk e kishte aq lehtë që t'a rrëzonte Zogun me anë lëvizjesh të brendëshme siç mund të bënte Jugosllavia. Tjetër punë se ç'mund t'i ngjante më vonë Shqipërisë prej "lidhjevet të ngushta" me Italinë. Kështu Zogu iu suall Italisë, me të cilën kish nisur t'afrohej porsa u kthye prej Jugosllavie. Në Mars 1925, dërgoi në Romë ministrin e Finiancavet, Myfit Libohovën, për të bërë me qarqet financiare italiane marrëveshjen e një huaje dhe atë të shfrytëzimit të pasurivet natyrore të Shqipërisë. Myfit Libohova, që shkoi si mik ose agjent i Italisë, u prit në Romë me nderime të mëdha dhe, natyrisht, u shpërblye mirë... Grupet financiare italiane e dinin sesi ecin punët, prandaj nuk i kursyen bakshishet, duke i dhënë Zogut pjesën që i takon luanit, e pastaj rrethit të tij, si Koço Kotës, Fejzi Alizotit, Iljaz Vrionit e të tjerëve, pjesën që i takon ujkut a dhelprës. Përfundimi ish se marrëveshjet financiare e ekonomike me Italinë, të cilat filluan të nënshkruhëshin në Maj 1925, u bënë të gjitha në përfitim të kapitalit italian dhe ashtu si desh Italia. Puna u nis me krijimin e "Bankës Kombëtare të Shqipërisë" prej grupit bankier Credito Italiano. Asaj do t'i përshtatej më mirë emri "Banka Italiane e Shqipërisë", mbasi qendra e saj ishte në Romë dhe kapitali italian duhej të kishte jo më pak se 51 për qind t'aksionevet. Kështu që Shqiptarët s'ushtronin dot asnjë fuqi mbi të. Le që Myfit Libohova me rrethin e Zogut, të cilët muarën ryshfete të mëdha, e suallën punën aq mirë në dobi të kapitalit italian, duke e mbajtur të fshehtë afatin e shkurtër për nënshkrimin e aksionevet, sa që tri të katërtat e këtyre iu mbetën Italianëvet, dhe një pjesë tjetër disa shoqërive të huaja. Mandej, për "zhvillimin ekonomik të Shqipërisë", u formua Shoqëria S.V.E.A., e cila do të jepte një hua prej 70 milionësh franga ari me interes të lartë dhe kondita shumë të rënda, duke marrë si garanti t'ardhurat doganore dhe të disa monopoleve të shtetit shqiptar. Kur, më 1927, u provua se Shqipëria nuk ishte në gjendje të paguante interesin dhe këstin e huas, qeveria italiane e mori vetë përsipër t'ia lante detyrimet Shoqërisë SVEA, kështu që shteti shqiptar i mbetej borxh shtetit italian, gjithmonë nën garantinë e t'ardhuravet doganore dhe të monopolevet. Njëkohësisht, qeveria e Tiranës iu dha shoqërivet italiane konçesionet për shfrytëzimin e pasurivet kombëtare të vendit. Shoqëria A.I.P.A. mori konçesionin e vajgurevet në kondita shumë të mira për të, duke i paguar shtetit shqiptar një përqindje fare t'ulët, dhe vetëm 1,5 Fr. ari për hektar në vit si qira toke. Një tjetër shoqëri italiane, S.I.G.M.A, mori konçesionin e nxjerrjes së linjitit (një lloj qymyrguri) në Memaliaj të Krrabës, duke paguar si qira toke 2 Fr. ari në vit për hektar. Qeveria e Tiranës i dha edhe një shoqërie jugosllave konçesionin e shfrytëzimit të bakërrit në Pukë. Një shoqëri gjermane dhe një tjetër italiane muarën konçesione për shfrytëzimin e pyjevet të Mamurasit. Italianët ngritën në Shqipëri edhe disa ndërmarrje bujqësore, si në Sukth, afër Shijakut, n'Yrshek, afër Tiranës, në Llakatund të Vlorës dhe në Vurg të Delvinës. Marrëveshjet financiare e ekonomike me Italinë, sidomos në lidhje me krijimin e "Bankës Kombëtare" dhe me huan e SVEA-s, kur shkuan në parlament për miratim, gjetën kundërshtimin e një grupi deputetësh, të cilët e paditën Myfit Libohovën se kish marrë ryshfet prej Italianëvet dhe formuan një komision hetimesh për t'a gjyrmuar atë çështje. Që Myfit Libohova dhe disa "shkëlqesa" të tjerë muarën si bakshish shuma të mëdha prej Italianëvet, e panë edhe të verbërit, sepse brenda pak muajve këta zotërinj ngrehën vila, blenë aksione nëpër shoqëritë, ose apartamente n'Evropë, si në Paris e gjetkë. Disa "kaurë" si Koço Kota, që kishin dëshirë të vjetër për t'u bërë çifligarë, blenë edhe çifiliqe. Por puna ishte se bakshishin më të madh prej grupevet financiare italiane e kishte marrë Zogu vetë. Prandaj çdo gjyrmim kundër Myfit Libohovës do t'ia nxirte byrekut të gjitha lakrat në shesh. Për t'a fshehur skandalin prapa ligjevet, shumica parlamentare vuri përpara nenin 74 të Kushtetutës republikane, sipas të cilit; kryetari i Republikës nuk ishte përgjegjës përpara parlamentit. Dhe mbasi ai ishte njëkohësisht edhe kryetari i qeverisë, duhej të përfitonin edhe ministrat e tij nga ajo "paprekshmëri". Sidoqoftë, çështja bëri aq bujë sa që Ahmet Zogu u detyrua të formonte një qeveri të re, në shtator 1925, ku Myfit Libohova nuk bënte pjesë. Kjo i dha rast Ahmet Zogut t'a ulte ca më poshtë rrethin e bejlerëvet të mëdhenj dhe të sillte në qeveri njerëz si Musa Juka. Mandej vuri tërë forcën që çështja e Myfit Libohovës të mbyllej, ashtu siç u mbyllën më pastaj shumë skandale të tjerë të këtij lloji. Qëllimi i depërtimit ekonomik italian në Shqipëri ishte që të sillte pas depërtimin politik dhe ushtarak. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendevet erdhën gjithmonë duke u ngushtuar. Në Qërshor 1926, ministri i Italisë në Tiranë, Aloisi, i propozoi qeverisë së Zogut lidhjen e një pakti politik me Italinë, që t'i njihte kësaj të drejtën e mprojtjes së Shqipërisë, pa ndërmjetësimin e Lidhjes së Kombevet, në rastin e ndonjë agresioni. Zogu e kuptoi se qeveria fashiste e Romës donte t'a lidhte sa më ngushtë pas rrotavet të saja, dhe nisi të mendohej. Por në muajin e Nëntorit shpërtheu kryengritja e Dukagjinit e shtytur prej Jugosllavisë dhe e udhëhequr nga prifti Dom Loro Caka. Lëvizja vetë kish një qëllim separatist katolik, kurse Jugosllavia që e shtyti, synonte, si gjithmonë, shkatërrimin e shtetit shqiptar. Një pjesë e të mërguarve politikë, kundërshtarë të Zogut, ishin vënë në shërbim të Jugosllavisë. Zogu e shtypi kryengritjen e Dukagjinit, por këto rrethana e detyruan të përfundonte sa më shpejt paktin italo-shqiptar të "miqësisë dhe sigurimit", i cili u nënshkrua në Tiranë, më 27 Nëntor 1926. Sipas këtij pakti, Italia garantonte jo vetëm statu quo-në tokësore të Shqipërisë, po edhe statu quo-në politike e juridike, domethënë, me fjalë të tjera, i jepej e drejta që të ndërhynte për të mbajtur regjimin e Zogut në fuqi sa herë që ky t'ishte në rrezik edhe prej lëvizjesh të brendëshme. Siç shihet, kjo marrëveshje cënonte, nga ana juridike, pavarësinë e Shqipërisë duke e vënë këtë pothuajse ndën protektoratin italian. Pakti i Tiranës shkaktoi një valë shqetësimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë. Për të qetësuar dyshimet e Shqiptarëvet, ministri i Italisë në Tiranë, baron Aloisi, me anën e një letre drejtuar qeverisë shqiptare më 5 Dhjetor 1926, sqaronte se ndihma italiane do t'i jepej Shqipërisë vetëm në rast se e kërkonte kjo vetë. Përjashta, pakti i Tiranës çoi peshë zemërimin e Jugosllavisë dhe shkaktoi mjaft zhurmë në shtypin jugosllav dhe frëng. Por Italia pati përkrahjen e qarqevet britanike, dhe e hodhi poshtë propozimin jugosllav që desh t'a shtronte çështjen shqiptare në Lidhjen e Kombevet. Ministri britanik i Punëve të Jashtëme, Austen Chamberlain, u përgjigj në Dhomën e Komunevet se kishte marrë sigurime nga Mussolini që Italia do të ruante pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë. Austen Chamberlain-i ishte takuar me Mussolini-n në Livorno t'Italisë, më 30 Shtator 1926, ku qe biseduar, nër të tjerat, edhe çështja e Shqipërisë, mbi të cilën Anglia i linte dorë të lirë qeverisë fashiste të Romës për një "depërtim paqësor". Pakti i Tiranës u regjistrua në Lidhjen e Kombevet si një marrëveshje e zakontë ndërmjet dy shtetesh. Si një përgjigje paktit të Tiranës dhe për të kundër-balancuar ndërhyrjen italiane në Ballkan, Jugosllavia nënshkroi një pakt aliance me Francën, më 11 Nëntor 1927. Kështu Italia gjeti shkak të nënshkruate me Shqipërinë një tjetër traktat me karakter ushtarak, ose "aliancë mprojtëse" siç u quajt në gjuhën zyrtare, më 22 Nëntor 1927. Sipas këtij traktati, që u lidh për 20 vjet, të dy palët duhej t'i vinin në ndihmë njëra-tjetrës në rast se njëra prej tyre sulmohej nga jashtë dhe kërkonte ndihmën e aliates së vet. Pas nënshkrimit të këtij "pakti të dytë të Tiranës", zunë të vinin radhë e radhë prej Italie këshilltarë teknikë e organizatorë ushtarakë, armë e municione, për të mëkëmbur ushtërinë shqiptare. Paradat ushtarake dhe shkëlqimi i uniformavet pajtohëshin fare mirë me natyrën e Zogut. Nuk duhet kaluar në heshtje roli i dobët që lozën disa nga të mërguarët politikë, kundërshtarë te Zogut, gjatë marrëveshjevet që ky bëri me Italinë. Ata ishin katandisur në merçenarë të politikës, mbahëshin me rroga prej Jugosllavisë ose prej Italisë dhe përdorëshin prej këtyre dy shteteve në të gjitha intrigat dhe presionet kundër Zogut. Italia, për shembull, kur ish duke bërë marrëveshjet me qeverinë e Tiranës, bisedonte njëkohësisht mbi të njëjtat çështje me disa të mërguar politikë dhe ua merrte me nënshkrim se çfarë lëshimesh do t'i bënin ata nëqoftëse ajo i ndihmonte për t'u kthyer në Shqipëri. Dhe ata, pa pikë turpi, tregohëshin më dorëlëshuar nga Zogu... të cilin mandej Italia e vinte në dijeni për të bërë presion mbi të. Nga ana tjetër, Jugosllavia, kur pa se Zogu u pështet pas Italisë, vazhdoi si më parë cytjet dhe provokimet rreth kufijvet. Mbasi dështoi kryengritja e Dukagjinit, Jugosllavia mendoi t'a përmbyste Zogun me anën e Ceno Kryeziut, i cili ishte i kunati i tij dhe njeriu i Jugosllavisë. Mirëpo Zogu i ndiente shumë larg ato punë. E emëroi Ceno Kryeziun ministër të Shqipërisë në Çekosllovaki dhe dërgoi e vrau në Pragë. Mbasi e zotëroi mirë gjendjen përbrenda dhe e forcoi pozitën e vet ndërkombëtare nëpërmjet të lidhjevet me Italinë, Zogu mendoi se erdhi çasti për të realizuar ëndrrën e jetës së tij, domethënë për t'u bërë mbret. Në Qërshor 1928, me shtytjen e tërthortë të Zogut, dy dhomat legjislative (parlamenti e senati) vendosën se gjoja ishte i nevojshëm një rishikim i përgjithshëm i Statutit të Republikës për t'i bërë disa plotësime. Mbasi Statutin s'mund t'a rishikonte veçse një asamble kushtetonjëse, dy dhomat legjislative, porsa muarën atë vendim, e quajtën vehten të shpërndarë. Zogu, me anën e një dekreti, shpalli menjëherë zgjedhjet e reja për Asamblenë Kushtetonjëse, e cila do të bënte rishikimin e Statutit. Zgjedhësit e dytë të disa nënprefekturave, kur vajtën të votonin për antarët e Asamblesë, u detyruan prej nënprefektavet që të kërkonin ndërrimin e regjimit prej republike në mbretëri, me Zogun si mbret. Komedia ishte pregatitur aq mirë, sa që zëri i parë dolli nga nënprefektura e Skraparit. "Ai do të bëhet që do të bëhet", iu tha nënprefekti zgjedhësave të dytë që po shikonin njëri-tjetrin në heshtje, "por më mirë kërkojeni edhe ju, që të mos ju vijë ndonjë bela mbi kokë... se ashtu e kam urdhërin". Disa nga zgjedhësit e dytë po mendohëshin akoma kur telegrami u hoq për në Tiranë se "populli" i Skraparit e kërkonte Zogun mbret. Ashtu ngjau edhe nëpër krahina të tjera. Kur u mblodh Asambleja Kushtetonjëse me deputetët e rinj, të cilët s'ishin veçse ata të vjetërit, nuk hoqi shumë mundim për rishikimin e Statutit, sepse drejtimin ia kishte treguar... "populli !". Kështu, më 1 Shtator 1928, shpalli Mbretërinë Shqiptare, dhe Ahmet Zogu mori emrin Zog I, Mbret i Shqiptarëvet. Kryetar republike apo mbret, Zogu sundoi në të njëjtën mënyrë, dhe regjimi i tij mbeti personal, i ngrehur me njerëz që s'kishin asnjë parim përveç interesit të tyre. Ndryshimi ishte se buxhetit të varfër të Shqipërisë iu ngarkuan tani shpenzimet e rënda të salltanetit mbretëror, me oborrin theatror me një varg princash e princeshash, me uniforma të ndritura, e sidomos... nuk ka mbret pa një sigurim pasurish të mëdha. Në dukje, Mbretëria mbeti kushtetutore, dhe parlamenti përbëhej prej dhomës së deputetëvet, mbasi senati u suprimua. Në të vërtetën, "zgjedhjet" ishin një komedi e mërzitshme, se listën e "deputetëve të gishtit" e ndreqte Zogu vetë me Ministrin e Punëve të Brendëshme. Populli i quajti "deputetë të gishtit" sepse ishin vetëm sa për të ngritur gishtin dhe për të bërë amin vendimet e qeverisë. | |
| | | Sofra Admin
Numri i postimeve : 7564 Registration date : 13/08/2007
| | | | Sofra Admin
Numri i postimeve : 7564 Registration date : 13/08/2007
| Titulli: Re: Kush ishte Abdurahman Dibra Sat Apr 05, 2008 1:50 am | |
| Mbasi i mënjanoi disi bejlerët, Zogu u rrethua me njerëz të çdo kategorie, dhe krijoi vegla të reja prej borgjezisë, si Musa Jukën (ose Musa Efenija, siç e quanin Shkodranët), të cilin e mbajti ministër të Punëvet të Brendëshme pothuajse për tërë kohën e regjimit të tij. Musa Juka i mbushi kafenetë me spiunë, se nuk njihte tjetër mënyrë qeverimi përveç asaj të kohës së Sulltan Hamitit. Të tjerë "besnikë" që Zogu i mbajti gjer në fund ishin Koço Kota, Abdurrahman Dibra, Hiqmet Delvina, e shumë dallkaukë që iu ngjanin këtyre. Por ai që e karakterizon regjimin e Zogut ishte një farë Abdurrahman Sali, nga Mati, ose Lalë Krosi, siç e quanin Shqiptarët, i cili u bë me të vërtetë Rasputini i Shqipërisë. Njeri i korruptuar dhe i të gjitha vesevet, por shumë i zgjuar, kishte qënë shërbëtor në familjen e Zogollit, në Mat, dhe nuk dinte shkrim as këndim. Këtë Zogu e përdorte për intrigat e fshehta të vendit, për komplotet, atentatet, shpërdorimet, dhe sidomos për ndërlidhjet me krerët e malësivet, të cilët Lalë Krosi i pajtonte ose i vinte kundër njëri-tjetrit, sipas nevojës. Si pozitë zyrtare, Lalë Krosi ishte gjithmonë deputet i Matit, por mbasi përzjehej në të gjitha punët dhe fjala e tij ishte fjala e Zogut, e kishin frikë të tërë dhe i përulëshin. Ky vuri pasuri të mëdha, sepse kishte gisht në të gjitha sipërmarrjet, vjedhjet e abuzimet. Me fjalën "përparim" kuptojmë zhvillimin e një populli n'anën ekonomike dhe kulturore, drejt mirëqenies dhe lumtërisë. Por s'mund të ketë përparim pa një bazë drejtësie dhe nderim vleftash morale. Regjimi i Zogut ishte i xhveshur nga këto dy cilësi. Pasi vrau disa nga shtyllat e nacionalizmit shqiptar, si Luigj Gurakuqin dhe Bajram Currin, Zogu nuk mund të pështetej në vleftat e vërteta kombëtare, sepse edhe ai vetë nuk ishte i asaj natyre. Prandaj s'mund të sundonte veçse me anën e korrupsionit dhe të policisë, duke përdorur herë paranë dhe pozitat, herë vrasjen dhe dënimet, sipas rastevet, dhe duke urdhëruar prej pallatit pa ardhur kurrë në kontakt të drejtpërdrejtë me popullin. Nuk mund të pritej që regjimi i tij, i mbajtur me kleçka dhe me huan e Italisë, dhe i ngrehur me njerëzit më të dobët që mund të mendohej, t'a nxirte vendin nga prapambetësia shekullore e t'a vinte në rrugën e përparimit. Kështu, gjatë asaj periudhe, Shqipëria nuk mundi të ngrihej lart as n'anën ekonomike, as n'anën kulturore. N'anën ekonomike, puna duhej nisur me zhvillimin e bujqësisë dhe t'industrisë, me ndreqje rrugësh e ndërtime të ndryshme. Si pikënisje e zhvillimit bujqësor duhej t'ishte reforma agrare, pastaj bonifikimi i tokavet, tharja e kënetavet, disiplinimi i lumenjvet, pyllëzimi i vendevet të xhveshura, futja e teknikës moderne, krijimi i bankës bujqësore për t'a shpëtuar fshatarësinë nga thonjtë e fadexhinjvet që e shtrydhnin me një interes prej 50% gjer më 100%, krijimi i organizatavet bujqësore për t'a shpëtuar fshatarin prej matrapazëve e spekulatorëve që ia blinin drithin me çmim t'ulët në vjeshtë dhe ia shisnin dyfish në Prill, Maj e Qërshor. Kurse për zhvillimin e industrisë duhej shtytur vënia në punë e kapitalevet duke krijuar besimin, duhej përkrahur e mprojtur industria kombëtare kundrejt konkurencës së huaj. Askush nuk e padit regjimin e Zogut se përse nuk u bënë të gjitha këto, se këto nuk bëhëshin me frymë dhe në një periudhe kohe aq të shkurtër. Por pse nuk u tregua asnjë kujdes, asnjë nismë, asnjë vullnet i mirë në këtë drejtim. Gjithashtu, pa një ndihmë teknike dhe financiare të jashtëme nuk mund të ndërtohej asgjë në Shqipërinë e atëhershme. Po përse huaja që u muar prej Italisë u shpërdorua n'atë mënyrë. Kur u nënshkrua huaja me Shoqërinë SVEA, ishte parashikuar që gjysma e saj të shpenxohej për zhvillimin e bujqësisë, tharje kënetash, bonifikime, hapje kanalesh vaditëse etj., dhe gjysma tjetër për ndërtime botore: rruga, ura, shkolla, spitale, e kështu me radhë. Për bujqësinë nuk u shpenxua as një e dhjeta e shumës së parashikuar, kurse n'anën e punëvet botore u ndërtuan disa rrugë e ura që iu përgjigjëshin qëllimevet strategjike t'Italisë në drejtim të së famshmes Via Egnatia të Romës së vjetër. U ndërtua edhe limani i Durrësit, gjithmonë për nevojë shkarkimesh të gjera t'Italisë në Shqipëri. Pjesa tjetër e huas së SVEA-s u përdor për të mbajtur burokracinë dhe salltanetin e Zogut, ushtërinë dhe "kreshnikët", për të ngrehur pallatet e ministrivet e të tjera punë si këto. Duhet shënuar se Italianët bënin çmos për t'a penguar mëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë, e cila mandej mund t'iu delte prej dore. Ata donin që shteti shqiptar, i shtrënguar prej nevoje, të mbetej i varur tek Italia gjersa kjo t'a fuste vendin plotësisht nën sundimin e saj. Në një mesazhë që i drejtonte parlamentit, në Dhjetor 1928, Zogu desh t'a zbukuronte fronin mbretëror me premtimin e një reforme agrare. Pas shumë demagogjie, dredhish e shtrembërimesh, "ligji i reformës agrare" u dekretua më në fund më 3 Maj 1930. Por mënyrat e parashikuara prej ligjit nuk i dëmtonin fort pronarët, të cilëvet iu merrej vetëm pjesa e tepërt pas disa llogaritjeve të bëra në dobi të tyre, përveç që do t'iu jepej edhe për atë një farë shpërblimi. Mandej kishin lirinë t'i ndanin ose t'ua bënin shitje tokat antarëvet të familjevet të tyre, që kështu të prekëshin sa më pak prej reformës agrare. Më në fund, ndërlikimi i ligjevet, mungesa e organizimit dhe e mjetevet nga ana e bujqvet, vullneti i keq që tregonin organet qeveritare ku mbizotëronin pronarët, bënë që reforma agrare të mbetej si një ndarje lëmoshe. Vetëm nja dy mijë familje, shumica prej emigrantësh kosovarë, mundën të merrnin nga një copë tokë në Myzeqe, pjesërisht prej çifliqeve të shtetit. Si ndërmarrje industriore, nisën të formohëshin disa shoqëri aty këtu pas vitit 1925, kur lidhjet ekonomike me Italinë dhe krijimi i Bankës Kombëtare iu dhanë një farë besimi kapitalistëvet shqiptarë se gjendja e brendëshrne do t'ishte e qëndruarshme. U formuan në Korçë një shoqëri e elektrikut dhe një tjetër e prodhimit t'alkoolit, si edhe një ndërmarrje për tharjen e liqenit të Maliqit. Në Durrës, u organizua shoqëria e duhanit dhe e fabrikimit të cingarevet "Stamles". Në Tiranë, u formua më 1927 shoqëria industriore-tregëtare SITA, n'Elbasan shoqëria SAIDE e duhanit dhe e cingarevet, në Shkodër u ngrit një fabrikë çimentoje. Disa ndërmarrje të vogla vazhduan të hapëshin edhe pastaj, por këto nuk çonin peshë n'ekonominë e përgjithshme të vendit. Ato që përparuan më shpejt qenë shoqëritë italiane, të cilat kishin kapitale e mjete teknike më shumë se Shqiptarët. Gëzonin gjithashtu të drejta e kushte të favorshme nga ana e shtetit, sepse njerëzit e regjimit qenë kthyer n'agjentë të kolonializmit italian. Shoqëritë italiane kishin jo vetëm sipërmarrjet e ndërtimevet botore, por depërtuan edhe në degë të ndryshme t'ekonomisë dhe deri në monopolet e shtetit. Një rast që bëri shumë bujë ishte ai i Shoqërisë AGIP, e cila mundi të merrte koncesionin e monopolit të vajgurit dhe të benzinës. Pastaj shpërdorimet e saja bënë skandal. Një plagë e pambyllshme për ekonominë shqiptare ishte deficiti tregëtar ndërmjet importimevet dhe eksportimevet. Mbasi, përveç artikujve t'industrisë dhe disa lëndëve të para, Shqipëria duhej të sillte shpeshëherë edhe drithë nga jashtë, ndryshimi ndërmjet të hyravet dhe të dalavet mbeti vazhdimisht prej një me dy, deri një me katër, domethënë vendi importonte dy, tri ose katër herë më shumë se sa eksportonte. Kriza ekonomike e Shqipërisë arriti kulmin ndërmjet vjetëvet 1929-1934, pikërisht në periudhën e krizës më të madhe që njohu bota perëndimore midis dy Luftavet. Tregëtia bëhej pothuajse 80% me Italinë, por kjo nuk i blinte të gjitha prodhimet bujqësore e blegtorale që mund t'eksportonte Shqipëria. Nga ana tjetër, Banka Kombëtare, që e kishte qendrën në Romë dhe drejtohej prej Italianësh, jo vetëm që bënte lloj lloj spekulimesh, por me manevrat e saja shkaktoi që të delte ari në qarkullim, për t'a mbledhur ajo vetë dhe për t'a hequr n'Itali. Prej vitit 1929 filloi rënia e tregëtisë dhe ulja e çmimevet, sidomos mallrat e vendit ranë fare përdhe. Pjesën më të madhe t'eksportimevet të Shqipërisë, lart nga 60%, e përbënin produktet blegtorale. Por këto s'po gjenin treg përjashta, se Italia e kufizoi blerjen e tyre. Kështu çmimet e prodhimevet të vendit - prandaj edhe fuqia blerëse e popullit - ranë tepër poshtë. Dhe mbasi elementet e një ekonomie ndërvaren nga njëri-tjetri, varfërimi i fshatarësisë dhe ulja e fuqisë blerëse të saj solli vetvetiu varfërimin e zejtarisë dhe shkrehien e tregëtisë. Prej vitit 1929 gjer më 1934, jo vetëm ndryshimi ndërmjet importimevet dhe eksportimevet vjen duke u bërë gjithmonë m'i madh, po edhe tregëtia në përgjithësi vjen duke rënë gjithmonë më poshtë. Më 1929, për shembull, vlefta e importimevet të Shqipërisë arrinte në 38,5 milionë franga ari dhe ajo e eksportimevet në 15,5 milionë. Më 1930, vlefta e importimevet kapej rreth 33,5 milionësh dhe ajo e eksportimevet rreth 12,5. Më 1931, eksportimet ranë në 7,5 milionë franga ari, kurse importimet qenë 29,5 milionë. Vitin tjetër pati një rënie më të madhe akoma: eksportimet zbritën në 4,5 milionë, kurse importimet qëndruan rreth 23 milionësh. Kjo rënie e tregëtisë së jashtëme dhe ky ndryshim ndërmjet importimevet dhe eksportimevet vazhdoi edhe për disa vjet akoma. Krahas me deficitin tregëtar qëndronte deficiti i buxhetit shtetëror, i cili plotësohej gjithmonë me huan e Italisë. Kështu, huaja e Shoqërisë SVEA, që ishte marrë për zhvillimin e ekonomisë së vendit, nisi të përdorej për të mbushur vrimat e buxhetit të shtetit, domethënë për të mbajtur administratën, ushtërinë dhe salltanetin mbretëror. Pikërisht për të mbajtur këto, mbasi huaja e Italisë nuk mjaftonte, dhe mundësia e mbledhjes së taksavet të drejtpërdrejta, në vend, u kufizua tepër, shteti u vu t'a shtrydhte popullin me anën e taksavet të zhdrejta, duke ngritur monopolet mbi artikujt e nevojavet të para, si kripë, duhan, shkrepëse, vajguri etj., dhe duke i shtuar taksat doganore. Kështu katundarit i ripej lëkura pa mëshirë, sepse s'kishte asnjë krahasim ndërmiet çmimevet t'artikujvet që ai shiste dhe t'atyre që ai blinte. Njerëzia s'kishin t'iu hidhnin kripë bagëtivet dhe e hanin darkën në terr se s'mund t'a paguanin dot vajgurin. Fëmijët e fshatarëvet nuk e njihnin kokrrën e sheqerit. Nuk shihnje veçse fytyra të zbeta dhe njerëz të rreckosur si mos më keq. Mjerimin ekonomik t'atyre 14 vjetëve e tregon vetë gjendja demografike e Shqipërisë, e cila mbeti e palëvizur rreth një milioni frymësh. Vdekësia e fëmijëvet ishte e hatashme, dhe disa nga sëmundjet më të përhapura, si oftika e malaria, bënin kërdi. Mbi këtë mjerim të përgjithshëm, ngriheshin me elegancë vilat e njerëzve të regjimit, dhe të shtypnin veturat e tyre ndërmjet Tiranës dhe plazhës së Durrësit. Në shërbim të kapitalit italian dhe duke u shoqëruar me disa spekulatorë nga borgjezia, këta, shtinë në dorë të gjitha burimet ekonomike të vendit. Kishnje përshtypjen se shteti ishte diçka për t'u shfrytëzuar, për të paguar rroga, për t'u rjepur nga ata që e drejtonin, dhe jo për të krijuar, për të mirësuar jetën e popullit. Zogu interesohej sidomos për mbajtjen e qetësisë, domethënë për administratën dhe forcat e armatosura; të tjerat ishin gjëra të dorës së dytë për të. Ministria e Ekonomisë s'ishte tjetër veçse një burokraci njerëzish të papunë që shkonin kohën duke bërë statistika të thata dhe duke pirë duhan e kafe. Shumë ministri të tjera nuk ishin më aktive nga kjo. Buxheti i shtetit shpenxohej në pjesën më të madhe për ushtërinë, administratën dhe pallatin mbretëror. Nganjëherë bëhej demagogji shifrash kur caktohej buxheti në fillim të vitit financiar, duke iu lënë ministrive t'Arësimit dhe t'Ekonomisë Kombëtare shuma jo edhe aq t'ulëta. Por më vonë bëhej një transferim fondesh, në mënyrë të pazhurmshme, prej buxhetit të këtyre dikastereve n'atë t'ushtërisë dhe t'"Institutevet të Larta", ku hante me lugë të madhe pallati mbretëror. Edhe kur merrej ndonjë nismë për të bërë "punë të mëdha", përfundonte si kanali i Kavajës. Shteti ndërmori ndërtimin e një kanali për të vaditur fushën e Kavajës me ujët e Shkumbinit. Por, kur ish bërë gjysma e punës, u vu re se toka nuk kishte pjerrësinë e duhur për të lejuar rrjedhjen e ujit nëpër kanalin. Atëhere ndërmarrja u braktis, pasi humbën 3 milionë franga ari. Si mund të shpjegohej një gabim i tillë me mjetet teknike të kohës për matjen e pjerrësisë? Nga pazotësia e inxhenjerëvet shqiptarë? Nga sabotimi i inxhenjerëvet italianë? Gjuhët e liga flisnin se ndërmarrja ishte nisur me këmbënguljen e Abdurrahman Krosit për të vaditur tokat e këtij në fushën e Kavajës!... Lart nga 40% të buxhetit të shtetit (i cili pat qënë ndërmjet 25 e 32 milionë franga ari në vit) shpenxohëshin për ushtërinë, që s'vlejti dhe s'mund të vlente për asgjë tjetër veçse për të kënaqur dëshirën megalomane të Zogut për uniforma e parada. Pastaj korrupsioni dhe abuzimet ishin ngjarje të përditshme, por skandalet mbyllëshin kollaj kur bëhëshin prej "besnikëvet". Mbasi Zogu ishte fort i interesuar pas kapitalevet dhe grumbulloi për vehte shuma tepër të mëdha prej huas s'Italisë dhe t'ardhuravet të vendit, nuk mund të ndalonte të tjerët që të mos bënin po ashtu. Shteti u kthye në "pronë private" të njerëzve të regjimit. Këta nisën të shisnin edhe nëpunësitë, ose të krijonin nëpunësi të panevojshme për farefisin e tyre. Kjo mënyrë abuzimi u bë zakon sidomos në kohën e krizës së madhe, kur papunësia erdhi duke u shtuar, kur çmimi i mallravet të vendit ra përdhe, kur tregëtarët po falimentonin njëri pas tjetrit dhe tregëtia zuri të mblidhej në disa duar; në duart e atyre që kishin ortakëri me njerëzit e regjimit, në monopolet, në kontrabandat doganore ose në sipërmarrjet e shtetit. Atëhere tregëtarë të falimentuar e njerëz të papunë i kishin sytë të gjithë tek arka e shtetit për ndonjë nëpunësi. Vetëm kjo kishte mbetur si i vetëmi burim, si e vetëmja shpresë për ata që s'kishin se ku të përpiqëshin gjëkundi, dhe numri i të cilëvet shtohej përditë e më tepër. Po edhe arka e shtetit mbahej sidomos me thërrimet e huas italiane. Nëpunësit kishin zakonisht nga pesë a gjashtë rroga brenda. Kur Italia e pezullonte huan - për të bërë presion sa më shumë mbi qeverinë e Tiranës - pat qëlluar që disa nëpunës mbetëshin edhe tetë muaj pa rrogë. N'ato raste, pagesa iu bëhej m'e rregullt atyre që kishin në dorë administratën dhe fuqitë e armatosura. Kurse nëpunësit e degëvet të tjera, sidomos n'Arësim, shtrëngohëshin shpeshëherë t'ua shisnin rrogat me kambiale disa pasanikëve që përfitonin. Për fshatarin ishte një ëndërr që të shkruhej "xhandar"; po edhe këtë shkallë s'mund t'a arrinte aq lehtë pa i dhënë në disa raste dy-tri rroga ryshfet ndonjë "deputeti". Merret me mend se sa binte në sy dhe se ç'përshtypje mund të bënte në djalërinë shkollare kontrasti ndërmjet kësaj gjendjeje dhe jetës tepër luksoze të njerëzve të regjimit. Ky kontrast dhe depërtimi përditë e m'i dukshëm i Italianëvet në jetën e vendit, pat krijuar një frikë të përgjithshme se "po na merr Italia". Përveç në ndërtimet botore dhe në disa degë t'ekonomisë, Italianët kishin ardhur si organizatorë t'ushtërisë dhe të djalërisë paraushtarake, përpiqëshin të hynin n'Arësim, patën hapur disa shkolla tregëtare dhe zejtarie. Ministri i Italisë në Tiranë, Ugo Sola, dhe kryetari i misionit ushtarak italian, gjeneral Alberto Pariani, ushtronin një autoritet të dukshëm pranë qeverisë shqiptare kur ishte puna për të mprojtur interesat e Italianëvet.
Edituar për herë të fundit nga Sofra në Sat Apr 05, 2008 1:59 am, edituar 1 herë gjithsej | |
| | | Sofra Admin
Numri i postimeve : 7564 Registration date : 13/08/2007
| Titulli: Re: Kush ishte Abdurahman Dibra Sat Apr 05, 2008 2:22 am | |
| Për të qetësuar Shqiptarët, dhe ndoshta duke e kuptuar se kishte hyrë shumë thellë me Italinë, Zogu nisi të merrte një qëndrim pak më të pavarur. Në Nëntor 1931, nuk pranoi që të përsëritej nënshkrimi i paktit të "miqësisë dhe sigurimit", të cilit i mbaronte afati n'atë vit. Por mbetej në fuqi traktati ushtarak i "aliancës mprojtëse", i cili ishte për 20 vjet. Prandaj Italia, ndonëse e pakënaqur prej kësaj shtëmëngie të Zogut, nuk e bëri çështje. Ajo e dinte që do t'a kishte në dorë për sa kohë që ky s'mund të mbahej pa financat e asaj. Në vitin 1930 kishte pasur një deficit më të madh akoma në buxhetin e shtetit Shqiptar. Tirana i ishte drejtuar Romës për një ndihmë më bujare. Më 1931, qeveria italiane pranoi t'i jepte shtetit shqiptar nga ana e saj një hua prej 100 milionësh franga ari, me afat të gjatë dhe pa interes. Huaja do të jepej me këste nga 10 milionë franga ari në vit. Njëkohësisht qeveria e Romës duhej të merrte përsipër detyrimet e shtetit shqiptar kundrejt Shoqërisë SVEA. Mirëpo huaja prej 100 milionësh dhe pa interes fshihte pas qëllime më të rënda. Më 1932, Mussolini i propozoi Zogut bashkimin doganor ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, përndryshe do t'i priste burimet financiare. Pak më vonë paraqiti të tjera kërkesa për konçesione ekonomike, për një kontroll më të plotë mbi ushtërinë dhe financat e Shqipërisë, për vendosje familjesh italiane në fushat bujqësore, për dëbimin e organizatorëve anglezë të gjindarmërisë dhe zëvendësimin e tyre me instruktorë italianë, dhe prishjen e çdo marrëveshjeje tregëtare me shtete të tjerë. Zogu nuk pranoi asnjë nga këto propozime që kishin për qëllim t'a këthenin Shqipërinë në një krahinë t'Italisë. Por marrëdhëniet ndërmjet dy vendevet erdhën duke u ftohur. Për t'i bërë ballë gjendjes së vështirë financiare, Zogu filloi t'i kufizonte shpenximet e ushtërisë. Lidhi gjithashtu disa marrëveshje tregëtare me Jugosllavinë dhe Greqinë për të kundër-balancuar presionin ekonomik t'Italisë. Por mjerisht, Jugosllavia dhe Greqia mbanin të njëjtin qëndrim armiqësor kundrejt Shqiptarëvet, si gjithmonë. Pasi përzuri në Turqi nja 60.000 Çamër, Greqia vazhdoi t'ua bënte jetën skëterrë atyre që kishin mbetur, për t'i detyruar që t'iknin edhe ata. Në të njëjtën mënyrë sillej Jugosllavia kundrejt Kosovarëvet, duke vrarë krerët e tyre dhe duke i shtrënguar fshatarët që të shpërngulëshin. Më 1929, Serbët kishin vrarë Shqiptarin e kulluar At Shtjefën Gjeçovin. Në verën e vitit 1932, u zbulua edhe komploti ose lëvizja e fshehtë e Vlorës, ku bënin pjesë disa nacionalistë, shumica prej atij qyteti, me qëllim që të rrëzonin, ose më mirë të zëvendësonin Zogun, për të cilin mendohej se ishte shumë i sëmurë dhe mund të vdiste. Një vit më parë, ky kish vajtur për t'u mjekuar në Vienë, ku i qe bërë edhe një atentat prej të mërguarve politike. Komploti i Vlorës pasqyronte pakënaqësinë e përgjithshme të Shqiptarëvet, shkaktuar prej gjendjes së brendëshme dhe ndërhyrjevet t'Italisë. Por njerëzit që merrnin pjesë në të nuk ishin të gjithë element i saktë, dhe kishte sigurisht ndonjë shtytje të jashtëme prapa perdesë. Pas zbulimit, komplotistët u kapën dhe disa prej tyre u dënuan me burgim të rëndë. Në Prill 1933, Zogu bëri shtetëzimin e shkollavet. Kjo masë kishte për qëllim sidomos t'i vinte një kufi ndikimit italian në Shqipëri. Përveç shkollavet italiane dhe atyre të Grekofonëvet, u mbyllën edhe ato të klerit katolik, në Shkodër. Greqia u ankua në Lidhjen e Kombevet dhe çështja shkoi në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës, i cili vendosi kundër Shqipërisë. Kështu, pas nja dy vjetësh, kjo u detyrua t'ua hapte shkollat përsëri Grekofonëvet. Kurse Italia zemërimin e saj e tregoi me ndërprerjen e huas. Menjëherë pas shtetizimit të shkollavet, Zogu pushoi nga shërbimet lart nga 60 instruktorë ushtarakë italianë të cilët, bashkë me gjeneral Parianin, u larguan n'Itali. Ftohja e marrëdhënievet me Italinë dhe pezullimi i huas e vështirësuan më shumë akoma gjendjen ekonomike: nëpunësit mbetën pa rroga, disa ndërmarrje ndërtimesh botore u ndërprenë, papunësia u shtua. Zogu desh të gjente një tjetër mhështetje dhe provoi t'afrohej me Francën, kundërshtarja e Italisë. Po edhe ajo, për t'i dhënë një hua, paraqiste kushte jo më pak të rënda nga t'Italisë fashiste. N'atë gjendje ekonomike ku ishte katandisur Shqipëria, pas dhjetë vjet abuzimesh e shpenximesh të kota për ushtëri e salltanete, nuk i kish mbetur asnjë rrugë-dalje. Mussolini desh të përfitonte prej ngushticës së shtetit shqiptar dhe i vazhdoi presionet. Porsa mori vesh se Zogu kish nisur përçapjet për t'u afruar me Francën, provoi t'a trembte me anën e forcës. Në Qërshor 1934, një pjesë e flotës italiane e përbërë prej 22 luftanijesh erdhi e qëndroi përpara Durrësit, pa i bërë asnjë paralajmërim qeverisë shqiptare. Zogu e kuptonte se n'atë kohë Italia nuk ishte në gjendje të prishte ekuilibrin në Mesdhe, prandaj nuk u tremb nga ato profka. Iu drejtua Anglisë dhe Francës, të cilat i kërkuan shpjegime Italisë. Më në fund çështja u rregullua miqësisht dhe flota italiane u tërhoq. Por marrëdhëniet ndërmjet dy vendevet mbetën akoma të ftohta me gjithë përpjekjet që bëri qeveria shqiptare për t'i ndrequr. Mbasi shteti shqiptar s'kish mundur të krijonte asnjë bazë ekonomike dhe arkat e tija ishin bosh, s'mund të mbahej më këmbë pa u pështetur në ndihmën financiare t'Italisë. Shqipëria nuk mori pjesë në Lidhjen Ballkanike, pakti i së cilës u nënshkrua n'Athinë prej Greqisë, Turqisë, Jugosllavisë dhe Rumanisë, në Shkurt 1934. Dhe s'kish sesi të merrte pjesë, mbasi pakti ballkanik kishte më fort një qëllim mprojtjeje kundrejt Italisë fashiste me të cilën Shqipëria qëndronte e lidhur. Po edhe ky shkak sikur të mos ishte, ndërmjet Shqipërisë, nga njëra anë, Jugosllavisë dhe Greqisë, nga tjetra, kishte shumë vështirësi afrimi. Më 1935, ngjau një trubullirë m'e bujëshme nga komploti i Vlorës, e cila u quajt "kryengritja e Fierit". Kjo e tregoi më haptas akoma pakënaqësinë e përgjithshme kundrejt regjimit Zogist. Sepse n'atë lëvizje ishin lidhur elemente të ndryshëm prej gjithë Shqipërisë: nacionalistë të vjetër, djem të rinj enthusiastë, po edhe disa komunistë, si edhe borgjezë e bejlerë të mëdhenj. Organizimi ishte bërë keq, me anë pështëllitjesh vesh më vesh; shumë nga pjesëmarrësit nuk dinin se ku ishte kreu i punës dhe çdo të bëhej pas përmbysjes së Zogut. Është e vështirë të besohet që të mos ketë pasur edhe këtu shtytje nga jashtë, të paktën tek disa nga krerët e mëdhenj. Por mbasi edhe kjo lëvizje kishte formë komploti, dështoi si të tjerat. Më 14 Gusht, ngriti krye vetëm gjindarmëria e Fierit, e cila arrestoi nënprefektin dhe vrau gjeneral Gilardin tek udhëtonte për në Vlorë. Me gjindarmërinë u bashkua një pjesë djemuri dhe popull prej rrethit të Fierit. Në Skrapar u ngrit Riza Cerova, i cili ishte kthyer disa muaj më parë prej mërgimit, ku qe bërë komunist. E shumta e atyre që ishin lidhur gjoja me lëvizjen, nga borgjezia dhe bejlerët, nuk luajtën vendit. Kështu kryengritësit e Fierit arritën vetëm gjer në Lushnje, dhe aty u thyen prej fuqivet qeveritare. Riza Cerova desh t'arratisej në Jugosllavi, por u vra malevet. Kryengritja u shtyp brenda 24 orësh dhe u bënë shumë arrestime, sidomos në qarkun e Beratit dhe në rrethin e Fierit. Disa nga të burgosurit u torturuan keq dhe shumë prej tyre u dënuan me vdekje e burgime të rënda. Por u pushkatuan me njëherë, pa kaluar fare nëpër gjyq 11 gjindarmët e Fierit që kishin filluar kryengritjen. Kurse për të dënuarët e tjerë pati ndërhyrje e protestime nga organizata ndërkombëtare të jashtëme e deri nga Lidhja e Kombevet. Çështja bëri bujë në botë. Kështu Zogu u detyrua të mos e zbatonte dënimin me vdekje për të tjerët "përveç 11 gjindarmëvet që ishin pushkatuar". Kryengritja e Fierit e tronditi mjaft gjendjen e Shqipërisë përbrenda, aq sa Zogu mendoi për një çast të ndërronte udhë. E mënjanoi skuadrën e vjetër dhe emëroi një qeveri të re, "liberale", nën kryesinë e Mehdi Frashërit. Duke e marrë punën me optimizëm siç e kishte zakon, Mehdi Beu premtoi se do të spastëronte administratën, do t'a lironte popullin nga frika e gjindarmërisë "gogol" dhe do t'a bënte Shqipërinë shesh me lule. Filloi të sillte disa njerëz të rinj nëpër pozita me rëndësi, desh t'ekuilibronte buxhetin e shtetit dhe balancën e tregëtisë së jashtëme, por me se? Sidoqoftë gjithkush nisi të merrte frymë më lirisht, shtypi filloi të shante "skuadrën e vjetër" dhe të ngrinte Zogun me lëvdata gjer në qiell, disa djemuri vunë menjëherë në qarkullim ideologjinë e "diktaturës së ndritur". Ky enthusiazëm ishte si një dehje e përkohshme, dhe s'mund të shkonte gjatë për dy arësye: e para, as Zogu as regjimi i tij s'mund të ndërronin natyrë, mbasi ishin ngritur dhe s'mund të mbahëshin veçse mbë një sistem bajraktarist. E dyta, Shqipëria n'atë kohë ishte varfëruar aq fort përbrenda sa që s'mund të mbahej pa një ndihmë financiare të jashtëme, dhe këtë s'mund t'ia jepte veçse Italia, kundrejt konçesionesh të tjera ekonomike që mund të merrte. Prandaj edhe Mehdi Beu s'gjeti dot rrugë tjetër përveç asaj që çonte në Romë. Qysh përpara kryengritjes së Fierit, Zogu kish nisur t'i përulej përsëri Italisë, i shtrënguar prej nevojave financiare. Në Shkurt 1935, Mussolini i dha qeverisë shqiptare një ndihmë prej 3 milionësh franga ari për të plotësuar disi deficitin e buxhetit. Pastaj i bëri edhe disa ndihma të tjera të vogla, por duke shtrirë përsëri kontrollin mbi ushtërinë shqiptare. Në verën e atij viti, Tirana kishte nisur bisedimet me Romën për t'u kthyer në miqësinë e mëparshme, duke lypur ndihma gjithmonë më të mëdha. Bisedimet i vazhdoi dhe i përfundoi qeveria e Mehdi Frashërit, në Mars 1936. Sipas marrëveshjevet të reja që u nënshkruan më 19 t'atij muaji, Italia i jepte Shqipërisë disa hua të tjera, i falte ato që i kish dhënë gjatë vjetëvet 1931-1932 në bazë të huas së 100 milionëvet e cila u anulua, dhe pezullonte për pesë vjet detyrimet e shtetit shqiptar kundrejt Shoqërisë SVEA. Por nga ana tjetër, e shtrinte më tutje akoma kontrollin mbi ekonominë shqiptare dhe ruante pozita të privilegjuara në tregëtinë: më të shumtat e importimevet Shqipëria do t'i bënte prej Italisë, kurse kjo blinte vetëm disa lloje e sasi të kufizuara nga prodhimet shqiptare, nëpërmjet të shoqërisë bujqësore-tregëtare italiane EIAA. Italia do të dërgonte përsëri organizatorë ushtarakë dhe inxhenjerë për ndërtimin e disa rrugëve me karakter strategjik. Parashikohej zgjerimi i skelës së Durrësit për t'a bërë të përshtatshme për shkarkime të mëdha, në përputhje me planet strategjike t'Italisë. Me këto marrëveshje të reja, gjendja financiare e regjimit të Zogut u përmirësua disi përkohësisht, por dara italiane u shtrëngua më shumë akoma rreth Shqipërisë. Kur Zogu zgjodhi Mehdi Frashërin për të formuar qeverinë, pati dy qëllime: për të qetësuar gjendjen e brendëshme, mbasi Mehdi Beu shikohej si atdhetar liberal e përparimdashës, dhe për t'ia ngarkuar këtij përgjegjësinë e marrëveshjevet të reja me Italinë, si zëdhënës i rrymavet nacionaiste e përparimtare. Kur Mehdi Beu ia kreu këto dy shërbime dhe Zogu, prej lidhjevet të reja me Italinë, e ndjeu vehten më të sigurtë, nuk kish më nevojë të shurdhohej prej llomatitiesh "liberale" të cilat ai s'mund t'i dëgjonte. Prandaj, me shtytjen e tij, parlamenti hodhi poshtë një projekt-ligj të parëndësishëm të qeverisë duke mos i dhënë kësaj votëbesimin. Atëhere qeveria e Mehdi Beut dha dorëheqjen, më 7 Nëntor 1936, dhe Zogu, duke ua prerë këngën në gojë koristëve të "diktaturës së ndritur", solli në fuqi "skuadrën e vjetër": Koço Kotën, Musa Jukën dhe shokët e tyre. Në Maj 1937, Et-hem Totua, ish-ministër i Punëve të Brendëshme në qeverinë e Mehdi Frashërit, ngriti krye në Delvinë e Gjirokastër, i mori këto dy qendra me ndihmën e gjindarmërisë, si edhe Tepelenën, dhe iu nis Vlorës. Por u shpartallua prej forcavet qeveritare dhe u vra. I vëllaj i tij, Ismeti, ideologu i "diktaturës së ndritur", u kap, u dënua me vdekje dhe u var. Më të shumët e kundërshtarëvet të Zogut, përbrenda, ose të pakënaqurit, shpresonin tek t'arratisurit politikë përjashta, të cilët fantazia popullore i kishte idealizuar. Kurse këta s'kishin asgjë nga cilësitë ose zotësitë që iu vishte aq bujarisht përfytyrimi i popullit. Dhe e treguan më 1924 se sa vlenin. Kur e lanë Shqipërinë nga frika e Zogut, u ndanë në dy-tri grupime. Pjesa e të rinjvet të Shoqërisë Bashkimi, me Fan Nolin në krye, anoi nga komunizmi, nga Rusia sovietike, dhe formoi në Vienë, në Mars 1925, Komitetin Nacional-Revolucionar, ose KONARE-n, siç u quajt shkurtimisht, nën kryesinë e Fan Nolit. Këta hynë menjëherë në lidhje me Federatën Komuniste Ballkanike dhe me Kominternin. Zunë pastaj të futëshin më çdo birucë ku kishte punëtorë ose studenta shqiptarë përjashta për të bërë propagandë komuniste. Disa prej tyre si Llazar Fundua, Sejfulla Malëshova, Riza Cerova etj., shkuan për haxhillëk në Bashkimin Sovietik. Pjesa tjetër e të mërguarve politikë, "nacionalistë", "demokratë" a thuaju si të duash, u ndanë më dysh sipas shtetit të jashtëm që zgjodhën për patron: me Jugosllavinë ose me Italinë. Ata që zgjodhën Jugosllavinë dhe që paguhëshin me rroga muajore prej kësaj, si Qazim Koculi, Ali Këlcyra etj., formuan "Bashkimin Kombëtar", me qendrën në Paris. Të tjerët që paguhëshin prej Italisë kishin në krye Mustafa Krujën, agjentin e përhershëm të Romës. | |
| | | Sofra Admin
Numri i postimeve : 7564 Registration date : 13/08/2007
| Titulli: Re: Kush ishte Abdurahman Dibra Sat Apr 05, 2008 2:32 am | |
| Duke menduar se i erdhi koha për të themeluar një perandori koloniale, Italia fashiste sulmoi Abisininë në Tetor të vitit 1935 dhe e pushtoi në Maj 1936. Kështu Viktor-Emmanuel-i III u bë edhe perandor i Ethiopisë. Mandej Italia erdhi duke e zgjeruar veprimtarinë e saj në Ballkan. Në Mars 1937, ministri italian i Punëve të Jashtëme, Galeazzo Ciano, i dhëndërri i Duce-s, bëri një vizitë në Belgrad dhe nënshkroi me qeverinë jugosllave një pakt miqësie. E shtrënguar ndërmjet Gjermanisë dhe Italisë, Jugosllavia po shkëputej nga rrethi i politikës frënge për t'u afruar me Romën dhe Berlinin. Ndërmjet Ciano-s dhe kryeministrit jugosllav, Millan Stojadinoviç-it, u bisedua sigurisht edhe për çështjen e Shqipërisë. Duket se Jugusllavia nuk e kundërshtoi, ose nuk kish fuqi t'a kundërshtonte, ndërhyrjen e mëtejshme t'Italisë në Shqipëri, por, në rast të një pushtimi, donte edhe ajo pjesën e saj. Në verën e vitit 1937, u nënshkrua edhe një marrëveshje jugosllavo-turke, e cila përmbante shpërnguljen në masë të Kosovarëvet për në Turqi. Por këtë pikë të marrëveshjes nuk pranoi t'a zbatonte Qemal Ataturku. Italia u përpoq të mbante një politikë miqësore edhe me Greqinë, ku ishte vendosur diktatura fashiste e Metaksajt. Në këtë mënyrë, Mussolini po pregatiste pushtimin e Shqipërisë. Në faqet e mësipërme, kemi parë sesi veproi Zogu, sesi Shqipërinë e përdori më fort si një mjet për ambicjet e tija dhe, bashkë me rrethin e vet të dobët, shtetin shqiptar e përdorën si një pronë të tyren. Kemi thënë gjithashtu, në fillim të kësaj kaptine, se Zogu, sikur të kishte qënë një udhëheqës i madh, i frymëzuar nga dashuria e krijimit dhe e lartësimit të popullit shqiptar, mund të kish gjetur elemente për të formuar një rreth të shëndoshë, se i tërë kombi nuk ishte një kalbësirë. | |
| | | dhori Fillestar/e
Numri i postimeve : 10 Vendi : Ne dhome :P Registration date : 04/04/2008
| Titulli: Re: Kush ishte Abdurahman Dibra Sat Apr 05, 2008 2:37 am | |
| po boll shkruajte brockulla ore ti se si lexon kush....kjo qe shkruan ti seshte asgje tjeter vecse nje histori e shtrembuar!!! | |
| | | Sofra Admin
Numri i postimeve : 7564 Registration date : 13/08/2007
| Titulli: Re: Kush ishte Abdurahman Dibra Sat Apr 05, 2008 2:50 am | |
| - dhori shkruajti:
- po boll shkruajte brockulla ore ti se si lexon kush....kjo qe shkruan ti seshte asgje tjeter vecse nje histori e shtrembuar!!!
Bac u kry,Nuk je vetëm ti në këtë forum që të mirren shkrimet ashtu si ty të përshtaten në mendime. Nëse ke të shkruash diçka për temën që e ke hapur shkruaj e mos u merr me shkrimet e postuesve e të cilsosh në mënyrë të pahijshme. Së pari lexo rregulloren se nëse në tema bënë replik chit chat dhe nuk shkruan asgjë për temën të fshihen postimet. Lexoje pikën tre në këtë link > http://www.bashkimikombetar.com/rregullorja-f32/rregullorja-e-forumit-bashkimi-kombetar-t642.htm#48815 | |
| | | dhori Fillestar/e
Numri i postimeve : 10 Vendi : Ne dhome :P Registration date : 04/04/2008
| Titulli: Re: Kush ishte Abdurahman Dibra Sat Apr 05, 2008 2:59 am | |
| mir mooo...regullat i di une.........po ti jepi shkruaj cte te doje qejfi pasi te pelqen ashtu..pffffff | |
| | | Sponsored content
| Titulli: Re: Kush ishte Abdurahman Dibra | |
| |
| | | | Kush ishte Abdurahman Dibra | |
|
Similar topics | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| |