Mithat Frashëri: Tre gjarpërinjtë që udhëhoqën rebelimin
E Diel, 02-01-2011, 06:07pm (GMT)
Tre gjarpërinjtë që udhëhoqën rebelimin
http://www.zemrashqiptare.net/images/articles/2011_01/19315/u1_MithatFrasheri.jpg
Nga Mithat Frashëri
Ata të Konferencës, në është se ranë lehtëzi në godi për kontrollin ndërkombëtar dhe oficerët e huaj të gjindarmërisë, hoqën mjaft vështirësi për të zgjedhur një Sovran: kandidatura e princ Ëilhelm de Ëied u pranua me gëzim prej shqiptarëve dhe Fuqitë e Mëdha dukeshin në aparencë të bashkëta në këtë zgjedhje, tërë duke pasur fshehtazi dhe nga një kandidat të dytë të tyre. Një brengë e madhe nga ana tjetër, i kishte dalë Shqipërisë si një lungë e helmuar: në qoftë se rënia e Janinës kishte pasur për konseguencë përparimin e grekëve gjer në Llogora, Gurin e Ylynecit dhe Guri i Prerë, ajo e Shkodrës u vazhdua prej lirimit të një pjese të Shqipërisë nga ushtritë serbe dhe malazeze. Mjerisht gëzimi i lirimit do të shpërblehesh fort lidhur me personin e Esadit. Ky njeri u bë foleja drejt së cilës rrodhën gjithë ç'mund të kishte të keqe në Shqipëri: tradhti, konservatorizëm, ambicion, lakmim, neqezëri, shpagë, frikë prej dritës dhe së mirës. Esadi, për të cilin flitesh (se kishte bërë - red) një marrëveshje me shtetet fqinjë sa pa rënë fare mirë Shkoda, u bë qendra e gjithë atyreve që ndiqnin një qëllim kundër Shqipërisë. Fuqia e tij i vinte aq prej shokëve të brendshëm, sa edhe prej relacioneve të jashtme: mbi intrigat që kishte lidhur me Serbinë dhe Malin e Zi, pa vonuar shumë u shtuan edhe marrëdhëniet me Greqinë. Edhe kjo fuqi nefaste u instalua në Tiranë, duke krijuar një reaksion me emër "Qeveria e Shqipërisë së Mesme". Në këto kondita dhe si kishte vënë pak rregull në punët Komiteti i Kontrollit dhe oficerët holandezë të gjindarmërisë arriti në Durrës princ Ëeidi me titullin mbret Ëilhelm i parë. Ardhja e mbretit e normalizonte pak gjendjen e Shqipërisë, sadoqë shtatë marsi nuk e fiku esadizmin, edhe në ia pakësoi fuqinë e kryetarit të saj. Por ajo që duhesh rregulluar, vështirësia e madhe që duhesh prapsur, ishte lirimi i kufirit të Shqipërisë: Konferenca e Londrës kishte vendosur që kazaja e Korçës gjer te hunda e Stilos dhe nisia Sazan do t'i mbeten Shqipërisë; sa për vendin ndërmjet këtyre pikave ekstreme, do të caktohesh në vend, gjë që e bëri një komision mikst duke vajtur në ato krahina, duke konstatuar karakterin shqiptar të popullsisë dhe duke ngrehur vijën e kufisë në atë akt të emëruar Protokoll i Firences. Të dy provincat e jugës gjendeshin në dorë të Greqisë. Serbia dhe Mali i Zi para atitudës energjike të Austrisë ishin shtrënguar të lirojnë vendet e njohura Shqipërisë. Për Greqinë s'dilte ndonjë pushtet të merrte një pozitë energjike. Situata politike inkurajoi Greqinë, pasi legalisht e kishte humbur të drejtën e okupimit të krahinave jugore, të përdorë një dredhi duke krijuar organizatën e fshehur që mori titullin Autonomi e Epirit, me ushtarë, oficerë, burra shteti, armë dhe municione të Greqisë zyrtare. Në qoftë se qeveria zyrtare e Athinës nuk merrte dhe s'guxonte të merrte një pozitë çiltazi në kundërshtim me vendimet e Konferencës së Londrës, krijesa okulte (e fshehtë - red) e saj, Autonomia, pandehte se ishte e lirë të marrë masa kriminale. Një buçitje e fanatizmës greke në verë të motit 1914 u shoqërua nga një furi destruktive, e nderë mbi gjithë katundet e të dy provincave prospere Korçë dhe Gjirokastër, ku plaçkitja dhe djegia e afër treqind katundeve të lulëzuara shkaktoi eksodin e më tepër se njëqind e ca mijë frymëve, prej të cilëve një shumicë do të gjente një vdekje mizerabël në malarje të Vlorës dhe një pjesë, jo më pak e amdhe, do të shtrëngohesh të kërkojë një strehë duke ikur në dhe të huaj. Në kohën që kjo tablo e zezë po vizatohesh në shekull të njëzet, një skenë jo më pak çuditërisht dramatike po zhvillohesh në Shqipëri të Mesme: Esadizma mori trup dhe formë nën një trini apokaliptike: Esad Toptani, myftiu Musa Qazimi, Haxhi Qamili, tre krerë të një hidre që përfytyronin ambicionin, tradhtinë dhe lakmimin, fanatizmën e verbër dhe injorante nën maskën e fesë, marrëzinë brutale jo në figurë letrare po reale. Qamili, një katundar nga Sharra meqënëse kishte ndjenjur në hekura si i prishur mendsh. Edhe kështu në atë mot Shqipëria u bë dëshmonjëse e një sendi të paparë gjer atëhere: agjentët e Greqisë dhe të Patrikanës të lidhur ngushtë me "fetarin" Musa Qazim; njerëzit që pretendonin se luftonin për din dhe dovlet bashkëpunojnë me çetat destruktore greke; Esadi dhe partizanët e tij të "Sadai Mil-letit" bëhen vegla të shqehve dhe grekëve. Por një pjesë e esadizmës, fytyrat më shtazore të saj, ato që inauguruan bolshevizmën në Shqipëri me djegie, plaçkitje dhe rrënime, tre vjet më parë se sa të buçasë bolshevizma në Rusi, partia e Haxhi Qamilit dhe e Musa Qazimit, ktheu armët edhe kundër kryetarit dhe inspironjësit të tyre dhe Esadi u bë aq i urrejtur sa edhe shteti, qeveria, rregulla, patriotizma; kaq është e vërtetë se, ay që lot me zjarrin shpesh digjet dhe vetë. Në këtë katastrofë, përpara sulmeve të jashtme dhe të brendshme, mbetur pa një mbështetje morale, përkundrazi e marrë nëdrmjet dy zjarreve të dy grupeve rivale të dy pushteteve të mëdha që buçitja e luftës europiane i kishte ngrehur çiltazi kundër njëra-tjetrës, Shqipëria, shteti dhe qeveria, u ndodhën përpara një shkatërrimi fatal: duke kuptuar se sulmet nga çdo anë që vinin kishin për burim kryesor rivalitetet dhe intrigat e Fuqive të Mëdha, qeveria shqiptare u shtrëngua, duke mos gjetur udhë tjatër, të dorëzojë fuqinë te Komisioni Ndërkombiar i Kontrollit-emëruar prej pushteteve të mëdha- dhe mbreti të largohet nga Shqipëria. Eshtë e vërtetë se autoriteti efektiv i qeverisë kishte katër muaj që ishte pakësuar dhe kufizuar fort tepër; por mërgimi i saj solli një kaos të vërtetë, një anarki materiale dhe morale: prestigji dhe posibiliteti i punimit të Komisionit të Kontrollit gjendeshin të reduktuar në minimum, në një mënyrë që rebelët "ehli kijami" gjetën fare shesh të lirë në Tiranë, u ndenë në Elbasan dhe Berat; prefekturat e Gjinokastrës dhe Korçës i okupuan zyrtarisht grekët duke i dhanë fund komedisë epirote dhe Italia zbarkoi në Vlorë, duke mos vonuar edhe malazezët me serbët që të zbresin nga veriu. Barka e Shqipërisë kishte mbetur pa komandant, pa timon, pa rema, e lëkundur në një det të shfryrë, e rrahur prej tallazeve të pasionit. Në këto kondita çdo organizim, çdo politikë ishte e pamundur. Populli, rënë në mizerje dhe anarki, po priste ngjarjet në një mënyrë passive, pa zhvilluar dot asnjë vullnet"..
Revista "Diturija" (nr.6 fq.201-210) të vitit 1928)