Në orën 10:00, pikërisht atëherë kur duhej të fillonte intervistimi i disa banorëve të Vitisë për t’i përfshirë në Ekipet Përgatitore për sajimin e komunës së Kllokot-Vërbocit, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! shkarkuan një furgon me pleh shtazësh para Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në Prishtinë. Ky pleh ishte produkt i Sadri Feratit që ky e kishte sjellur në Viti dhe që sot Lëvizja VETËVENDOSJE!, bashkë me disa banorë të Vitisë, po ia kthente Sadri Feratit në ahurin e tij. Në vijim është dhënë teksti që u lexua me megafon para ministrisë, por edhe që iu shpërnda gazetarëve dhe qytetarëve.
Mos e pranoni plehunNë vend se të integrohet veriu i Kosovës, përmes decentralizimit po dezintegrohet Anamorava.
Në vend se të shtrihet sovraniteti në veriun e Kosovës, nëpërmjet decentralizimit gjendja në veri po riprodhohet edhe në Anamoravë.
Në vend se të mbrohet kufiri në pikat veriore të Kosovës, po sajohen kufij të rinj përbrenda Kosovës.
Në vend se të shpërbëhen strukturat paralele, po legalizohen ato.
Në vend se të bashkohet Mitrovica, po ndahet përgjysmë edhe komuna e Vitisë përmes komunës së Kllokotit. Për ta legjitimuar ndarjen e Vitisë, sot nis pranimi në punë i banorëve vendas në ekipet përgatitore për decentralizim. Në mesin e atyre që do të intervistohen janë edhe Refik Halili, Selver Fejza, Besim Arifi dhe Pajazit Ramadani. Këta janë nga fshatrat Mogillë dhe Skifteraj të Vitisë. Ne u bëjmë thirrje atyre dhe të gjithë të tjerëve që të tërhiqen.
Ne u bëjmë thirrje edhe serbëve të Kosovës që të integrohen në komunat ekzistuese të Kosovës dhe jo në komunat e reja. Ndoshta ka serbë që mund t’iu duket e dobishme të jenë të privilegjuar, t’iu duket atraktive që ta zgjedhin komandantin e policisë me instruksione nga Beogradi dhe t’i mësojnë fëmijët me planprogramet e Serbisë, mirëpo, kjo gjë do t’i acarojë marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, dhe do të na mbajë gjithmonë në prag të konflikteve të reja.
Decentralizimi është projekt i Serbisë për ta kantonizuar Kosovën. Në vjeshtën e vitit 2002, këtë projekt Michael Steineri e bëri ofertë për strukturat e Serbisë në veri, ndërkaq në verën e vitit 2004, Jakup Krasniqi e Bajram Rexhepi, e nënshkruan fillimin e tij. Sot, Sadri Ferati po përpiqet ta zbatojë decentralizimin në terren. Është pikërisht ky Sadri Ferati i cili nuk e bashkoi Mitrovicën si kryeshef ekzekutivi atje, i humbi zgjedhjet lokale në Mitrovicë në nëntor 2007, dhe tash ka për mision që t’i bëjë shumë Mitrovica të ndara anekënd Kosovës, duke filluar me Vitinë.
Nuk kemi nevojë të presim për verësimet e historisë për ta kuptuar se Sadri Ferati do të përfundojë në plehërat e saj. Prandaj, Refik Halilit, Selver Fejzës, Besim Arifit, Pajazit Ramadanit dhe të gjithë ju të tjerëve që po ua ofrojnë këtë punë të pandershme, ju bëjmë thirrje që të mos i bashkoheni Sadri Feratit. Mos e shitni Kosovën pse po ua jepin 500 euro. Rrini me qytetarët e Kosovës, me vullnetin dhe interesat e tyre, e që do të thotë: sa më larg plehut. Me punën e tij të deritashme, Sadri Ferati e ka rezervuar një vend të veçantë në historinë e Kosovës. Mos u bëni pjesë e kësaj historie.
Prishtinë, 8 qershor 2009
Lëvizja VETËVENDOSJE!