Në dhjetëvjetorin e Masakrës së Mejes
DHJETË VJET PAS MASAKRËS SË MEJES
Masakra e Mejes po i mbush dhjetë vjet, që kur ushtarët dhe policët serbë masakruan më shumë se 377 civilë shqiptarë të moshave prej 15 deri 75 vjeç. Asnjë prej kryesve të kësaj masakre nuk është dënuar. Shkruan: Faton Ismajli - Prishtinë, 26. 04. 2009
__________________________
Foto: Jetmir Ferizi - Valentina Kuçi pranë varrit të vëllait të saj Shpendit, në varrezat e Mejes
Argjentina Kuçi (21) nuk e do pranverën, gjelbërimin, e as rrezet e diellit që fillojnë të ngrohin tokën. Kjo për shkak se dhjetë vjet më parë, në kohën kur fillojnë të çelin lulet, asaj serbët ia kishin vrarë vëllanë (Shpendin). Prej atëherë, Argjentina asnjëherë nuk i është gëzuar fillimit të stinës së pranverës. “Ky është varri i vëllait tim. E nxorën nga kolona e refugjatëve dhe e pushkatuan bashkë me meshkujt e tjerë. Për mu pranvera nuk ka.....”, rrëfen për Express Argjentina, e cila nuk mund t`i ndalë lotët, derisa shpaloste kujtimet për vëllaun e saj.
Me një palë gërshërë që mbante në dorë, Argjentina të shtunën largonte barin, i cili kishte mbuluar varrin e Shpendit. Shpendi është viktima e 377 e Masakrës së Mejes, ku ushtarët dhe policët serbë vranë dhe masakruan civilë shqiptarë. Për këtë masakër askush deri më tani nuk ka dhënë llogari, derisa kohë më parë janë dënuar pesë zyrtarë më të lartë serbë për krimet e tjera që janë kryer në Kosovë.
Dy ditë para se të mbushen dhjetë vjet nga kryerja e Masakrës, familjarët përgatiteshin për të shënuar këtë përvjetor. Ndryshe prej Argjentinës, edhe njëzet e shtatë familje të tjera nga Masakra e Mejes nuk dinë asgjë për eshtrat e familjareve të tyre të zhdukur. Familja e Xhevat Nikës është njëra prej tyre, që e ka të zhdukur vëllaun, Kolën. “Të paktën eshtrat t`i kishim gjetur, se kështu nuk po shkon më”, thotë motra e Xhevatit, Vjollca.
Ajo pret nga institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare që të bëjnë më shumë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, në mesin e të cilëve hyjnë edhe 27 viktima të Masakrës së Mejes.
Sipas banorëve të Mejes, policët dhe ushtarët serbë para dhjetë vjetësh kishin ndalur meshkujt në kolonat e refugjatëve, ku kishin grumbulluar grupe nga mosha 15 - 75 vjeçare. Masakra kishte filluar në orët e hershme të mëngjesit, ku ishin goditur 15 fshatra të rrethit të Gjakovës, duke i ekzekutuar të gjithë meshkujt që gjendeshin në kolonat e refugjatëve.
Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk kishte arritur të dilte i gjallë nga kjo masakër. Por, derisa eshtrat e Shpendit ishin gjetur më 2005, eshtrat e Kolës ende nuk dihet se ku gjenden. Familjarët e të pagjeturve vazhdimisht kanë bërë presion te Qeveria për zbardhjen e fatit të tyre, por deri më tani nuk ka pasur rezultate.
Me ndihmën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar janë zhvilluar disa raunde të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por këta të fundit ende vazhdojnë të mos i sjellin të gjitha kufomat që gjenden në Serbi. Petrovosella, Batajnica janë vetëm disa nga vendet ku janë gjetur shqiptarë të vrarë, të cilët pastaj janë transportuar për në varrezat masive në Serbi.
Pas luftës, gjatë viteve 1999 - 2001, një pjesë e eshtrave të tyre janë gjetur në varreza të ndryshme masive në Kosovë dhe për të tjerët janë marrë informata se gjenden në Serbi. Mirëpo edhe përkundër kërkesave nga Qeveria e Kosovës, të nxitura nga shoqata të ndryshme humanitare dhe të afërmve të të ndjerëve, organet serbe kanë zhagitur dorëzimin e tyre.
Martirëve të rënë në këtë masakër iu është ngritur Qendra Përkujtimore 27 Prilli në Lëndinën e Pikëllimit, në fshatin Meje të Gjakovës. Më 18 qershor 2005, është bërë rivarrimi i mbetjeve mortore të 21 viktimave të masakruar.
Në luftën e fundit në Kosovë, janë vrarë më shumë se 15 mijë shqiptarë, derisa më shumë se 1 milion ishin depërtuar nëpër vendet e ndryshme të botës. Sipas të dhënave të fundit të Kryqit të Kuq, ende nuk dihet për fatin e më shumë se 2 mijë shqiptarëve dhe të 400 serbëve që janë të evidentuar si të zhdukur. ( Gazeta „Express“ )