Pafundësia e negociatave
Glauk Konjufcag
Para tri ditësh OKB-ja filloi atë që pritej. Përfaqësuesi i saj, Andrew
Landley, tashmë ka përgatitur planin e ri gjashtëpikësh të negociatave, që priten të zhvillohen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar për disa çështje që prekin drejtpërdrejt sovranitetin e Republikës së Kosovës, tri më të rëndësishmet prej të cilave janë doganat, gjykatat si dhe decentralizimi e ndarja e policisë mbi baza etnike.Planin e tij Landley ua ka dërguar edhe zyrtarëve nga vendet e Quintit. Ky zyrtar deri sot ka kryer një sërë takimesh edhe me politikanët e Kosovës dhe Serbisë. Kjo nismë ndodh përbrenda vazhdës së zhvillimeve që pasuan shpalljen e pavarësisë së Ahtisaarit më 17 shkurt, me ç'rast Kombet e Bashkuara në përpjekje për ta përmbyllur çështjen e statusit të Kosovës në mënyrë legale, po synojnë arritjen e pajtueshmërisë së Beogradit. Faza e negociatave të cilat tashmë kanë filluar të marrin formë, u paralajmërua dhe u kërkua nga letrat që Sekretari i Përgjithshëmi OKB-së, Ban Ki-moon ua dërgoi presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë më 12 qershor 2008. Atë botë ky i fundit kërkonte negociata të reja për fushat e sipërpërmendura. Siç duket, një gjë e tillë fatkeqësisht do të ndodh. Aq më tepër kur kemi parasysh se në krye të politikës në Kosovë janë
po të njëjtin njerëz të kompromiseve të deritashme.Politikanët e Kosovës vazhdimisht deklarojnë se me Serbinë nuk do të ketë kurrfarë negociatash. Por ata
kështu deklaruan edhe para negociatave të Vjenës të viteve 2006 e 2007.
Prej këtyre negociatave doli Plani I Ahtisaarit, që përbëhet kryesisht nga decentralizimi etnik (ndarja e Kosovës) dhe përgjegjësitë ekzekutive që do t'i
ketë misioni i ardhshëm ndërkombëtar (cungimi i sovranitetit). Për Planin e Ahtisaarit populli i Kosovës nuk u pyet fare. Politikanët e Kosovës nuk do të duhej ta pranonin këtë plan. Por më e pakta që do të duhej të bënin (edhe pasi e pranuan), do të kishte qenë kushtëzimi në emër të çmimit. Ta zëmë që marrëveshja të jetë me afat kalimtar të përcaktuar qartë, që me të të pajtohej edhe Serbia, që sovraniteti i institucioneve të shtrihej në veri etj. Kushtëzimet do të duhej të ndodhnin si kompensim relativ ndaj lëshimeve që kërkohej t'i bënte Kosova. Ky do të
ishte minimumi moral, logjik apo çfardoqoftë ai. Por kjo nuk ndodhi. Në fakt po ndodh e kundërta skandaloze: Kosovës i mbeti Plani, kurse Serbia po e lufton atë. Dhe duke e luftuar ka arritur ta bind OKB-në që të kërkojë thellimin e kompromisit nga ana e Kosovës.Në të njëjtën kohë Serbia po zhvillon një fushatë ndërkombëtare dhe paralelisht me të një tjetër përbrenda Kosovës. Në arenën ndërkombëtare
Serbia po synon shpalljen e pavarësisë së Ahtisaarit si ndërmarrje të paligjshme nëpërmjet kërkesës së saj e cila u pranua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Po qe se GjND e shpall të paligjshme shpalljen e kësaj pavarësie të cunguar, atëherë
Serbia nëpërmjet këtij veprimi së pari synon procesin e ndaljes së njohjeve tjera. Së dyti, nëse politika vendore do të vazhdojë të jetë tërësisht indiferente përballë vendosjes së sovranitetit, vendimi eventual i gjykatës do ta rikthente në rend të agjendës së bashkësisë ndërkombëtare çështjen e shqyrtimit të raportit mes Rezolutës 1244 dhe ligjshmërisë së pavarësisë së
Ahtisaarit. Siç dihet, shtetet perëndimore që përkrahën këtë pavarësi të përgjysmuar ia dhanë dritën e shpalljes institucioneve të Kosovës nëpërmjet Rezolutës 1244, sipas të cilëve ka hapësirë për një vendim të tillë. Po qe se gjykata konkludon që kjo shpallje nuk ka pasur kurrfarë hapësire juridike që të kalojë përmes Rezolutës 1244,
ashtu siç e interpretuan këto shtete perëndimore, atëherë ekziston rreziku
që kjo rezolutë të rikthehet me tërë fuqinë e saj negative. Krejt lufta serbe
është që të ruhet sovraniteti nominal I Serbisë mbi Kosovën, duke e shndërruar
kështu çështjen e Kosovës në një problem aktual të ngrirë gjeopolitik dhe
gjeostrategjik, për të cilin duhet pritur deri në ndonjë ndryshim eventual minimal
të konstelacionit të forcave mes fuqive të mëdha. Kurse përbrenda Kosovës Serbia po I ysht serbët e Kosovës që ta kundërshtojnë pavarësinë e Ahtisaarit si dhemisionin e ardhshëm ndërkombëtar.Bile para dy ditësh serbët e Kosovës filluan organizimin e një peticioni të gjerë kundër vendosjes dhe shtrirjes së EULEX-it nëpër territoret e banuara me serbë. Kur të kombinohet strategjia e jashtme e Serbisë për arritjen e një procesi të ri negociator, gjë që ia ka arritur, me strategjinë e brendshme për territorializimin dhe etnizimin e problemit, atëherë mund të thuhet që sot Kosovës i kërcënohet një rrezik shumë i madh i ndarjes. Qeveria e Kosovës
nuk ka kurrfarë plani kundër këtyre dy strategjive komplementare serbe. Në
rastin më të mirë ajo e ka një plan ndërkombëtar, që nuk është i saj, të
cilin e supozon, por nuk e njeh.