Dy fshatra të së njëjtës dramë
Akti I
Zhivadini hyn në shitoren e Ramës diku në një fshat të Anamoravës. Blen gjësende ushqimore. Po përgatitej për një si lloj banketi. Djali i tij, student në Nish, pardje kishte mbaruar shërbimin ushtarak në Uzhice.
Rama: Zhivadin, a po ma shet tokën? Ngusht i kam punët. Djemtë m’janë rritur dhe nuk po mund t’dalin jashtë. Thashë se ndoshta mund t’merren me blegtori por kemi krejt pak tokë.
Zhivadini: Nuk mundem, Ramë. Ti e din se unë ta kisha shitur tokën. Edhe vetë jam n’zor për pare. Ama nuk guxoj.
Rama: Por, atë arën e gjatë e pate shitur. Pse nuk po ma shet edhe këtë që e ke te shtëpia? Njësoj, tokë ajo e tokë kjo është.
Zhivoradi: Beogradi nuk më len, Ramë. Beogradi nuk më len.
Rama: Eiii Zhivadin, ku e din Beogradi çka bën ti këtu? Ai ka punë më të mençura e më të mëdha. Plus, pse Beogradi nuk të tha kurrgjo kur e shite arën e gjatë? Ëë, pse?
Zhivadini:Eeee more Ramë. Beogradi e din çdo gjë. Na ka thënë që tokat që i kemi në anën tjetër të asfaltit bën t’i shesim sepse Serbia do t’i marrë prapë me këto komunat e reja të decentralizimit. Kurse tokat në këtë anë të asfaltit, ku edhe e kam shtëpinë, nuk bën t’i shesim pasi që ato nuk dihet se kujt do t’i mbesin në fund. Edhe... çka po ta merr mendja ty Ramë se bëjnë ky Milenkoja dhe Strahinja në fshatin tonë? Sonte do të më shikojnë shtrebër pse kam blerë në shitoren tënde. Por, do t’iu them që të gjitha mallrat që i mora ishin të Serbisë dhe mbase do t’i zbus pak...
Zhivadini del nga shitorja duke e përshëndetur Ramën që tashmë kishte humbur në mendime. Seç i kujtohet këtij stërgjyshi kur si fëmijë i fliste për tokat e humbura në Bllacë të Sanxhakut të Nishit, gjyshi që i rrëfente se si kishin qenë të pasur para reformës agrare, baba i përgjakur në dimrin e Rankoviqit të cilit i kërkonin pushkë dhe e lanë pa tokë... Iu kujtua edhe vetja e tij në kohën e Milosheviqit kur e dëbuan nga shtëpia pasi që ia morën traktorin dhe bagëtinë. Iu kujtua edhe Ahtisaari që me këto komuna të reja të Serbisë po i dënonte shqiptarët që i ruajtën serbët pas përfundimit të luftës...
Me sytë që i digjnin nga lotët, Rama pa se një dorë që po shëndriste e hapi derën e dyqanit. “Hajde babë se buka është gati!” – e thirri vajza e vogël Vlora.
Akti II
Kollitja që vjen nga balli i oxhakut i hesht të gjitha pëshpëritjet. Askujt nuk do t’ia merrte mendja se kjo odë do të mund t’i zinte gjithë ata njerëz...
Qazimi: Nga të kemi o dashamir?
Idrizi: Jam prej këtu bac, prej komunës së Burimit, afër fshatit t’juj veçse n’anën tjetër t’lumit. Djali i Isës s’Ahmetit jam.
Qazimi: Ëhë, i Isës s’Ahmetit. Gjyshin e ke pasur burrë t’mençur e luftëtar t’madh. Për juve rininë s’po di tash. Po, çka ka të re andej nga ju? A i ka hy uji katundit tuej?
Idrizi: Nuk po të kuptoj bac. Qysh..., uji?
(Të gjithë qeshin e Idrizi skuqet.)
Fadili: Po të pyet nëse kanë nisur t’i shtrojnë gypat e ujësjellësit te ju.
Idrizi: Ah, jo. Te ne ende nuk ka ujësjellës. I kemi puset, disa edhe me hidrofor tash. Nuk vijnë te na për ujësjellës sepse nuk kemi qenë t’pajtimit me kthimin e serbëve. Në lista për t’u kthyer kishte pasur edhe asi që i kemi parë kur na i kanë djegur shtëpitë. Por, edhe në fshatrat tjera ku janë kthyer, Serbia menjëherë i ka përfshirë ata në strukturat e saj.
Kola: Po de po. S’po kthehen serbët qysh po thojnë lajmet por Serbia.
Qemali: Bile edhe rrugët po i shtrojnë asfalt vetëm atje ku katundarët shqiptarë e kanë pranuar kthimin e serbëve. I thashë Fadilit që nëse n’fshatin e tij i kthejnë disa familje serbe atëherë aman le t’i çojnë në fund të katundit e jo n’fillim sepse ju mbetet asfalti vetëm deri në hyrje të fshatit!
(Shpërthen gazi të cilin mezi e ndal kollitja e dyfishtë e Qazimit.)
Ibrahimi: Hajt se bëhet mirë. Mos u bëni shumë merak. Kohëra tjera janë këto tash por edhe ky pushteti ynë ndoshta nuk han kashtë.
Nika: O Brahë, ty po më duket të kanë zbutur atje n’Prishtinë. Si shpesh po shkon atje. Serbia nuk ndryshon. M’arumë na shqiptarët tue mbush pushkën për lepur e tu na dal ujk masandej.
Idrizi: Nuk ka as ujk e as lepur. Ka vetëm pushkë për ujk e pushkë për lepur. Pushka për ujk edhe ujkun e bën lepur, e pushka e dobët për lepur ban vaki edhe lepurin e trimnon e ta bën ujk.
Plaku Qazim ende po e shikonte me admirim Idrizin kur u hap dera. Prej tisit të dendur të tymit që rrinte pezull në odë, burrat e ulur këmbëkryq nuk e dallonin dot fytyrën e personit që me tabake po sillte çajin e ngrohtë…