Thaçi në Tiranë - takoi Topin dhe Berishën
Kryeministri Hashim Thaçi, i cili mbërriti mbrëmë në Tiranë do të nisë sot takimet e ngjeshura me autoritetet dhe përfaqësuesit më të lartë politikë të Shqipërisë, presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli etj.
Në vizitën e tij të parë si kryeministër i Kosovës, Thaçi nuk do të inaugurojë hapjen e ambasadës së Kosovës në Tiranë. Kjo ceremoni u anulua për shkak të një konflikti pronësie.
Takimi i parë në agjendën e tij është ai me kryeministrin Berisha. Pas ceremonisë së mirëseardhjes dy kryeministrat do të zhvillojnë për 20 minuta një takim kokë më kokë për të vazhduar më pas me takimin zyrtar midis dy delegacioneve, nënshkrimin e marrëveshjes dhe praninë në një konferencë të përbashkët shtypi për të gjitha mediat e interesuara.
Më pas, Thaçi do t’i drejtohet selisë së Parlamentit ku do të pritet nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe më pas do të mbajë dhe një fjalim përpara deputetëve. Ndërkaq pas këtij fjalimi kryeministri kosovar do të pritet edhe nga presidenti Bamir Topi.
Pasdite Thaçi ka parashikuar të zhvillojë një takim me kreun e LSI, Ilir Meta. Agjenda e ngjeshur e takimeve për ditën e sotme do të mbyllet me një darkë të ofruar nga kryeministri shqiptar Sali Berisha.
Të premten kryeministri kosovar do të nisë agjendën e tij të takimeve me kreun e PS dhe njëkohësisht nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Më pas do të udhëtojë drejt Durrësit ku do të përurojë Pllakatin “Pavarësia” në zonën e plazhit të këtij qyteti. Në mesditë Kryeministri Thaçi do të udhëtojë drejt Vlorës. Atje do vendosë kurorë në monumentin Pavarësia si dhe do të takohet me kryetarin e bashkisë, dhe do të nderohet me titullin “Qytetar Nderi”. /Balkanweb/
Menimi im per ket vizit,sa historike e shpres dhense aq edhe e vonuar..