Është pyetur Muhamedi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, për veprën e cila më së tepërmi e fut njeriun në Xhennet, ka thënë "devotshmëria dhe morali i lartë"
Mbi gjithë këtë, me moral të lartë arrihet dashuria ndaj Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, afërsia ndaj tij Ditën e Kijametit - e ky është synimi më madhështor:
"Më i dashuri tek unë dhe më afër meje Ditën e Kijametit është ai që ka moral më të lartë, kurse më i urrejtur tek unë dhe më larg meje Ditën e Kijametit janë llafazanët, mburracakët që me gojën plotë flasin fjalë që nuk i kuptojnë njerëzit dhe dashalavdët kryelartë"
Dije se nuk ka virtyt e as vepër të mirë që nuk ia ka përshkruar Allahu, subhanehu ve teala, fesë.
Transmeton Ibën Ebi Dunja nga Humejd ibën Hilali i cili thotë: "Udhëtova për në Kufe dhe atje vizitova Rebi' ibën Hajthemin i cili më tha: o vëllai im"! Te porosis që t'i përvetësosh cilësitë e larta morale. Vepro në bazë të tyre, bëhu shoqërues i pandarë i tyre dhe dije se Ai që i ka krijuar vlerat morale nuk ka urdhëruar në to gjersa i ka dashur ato vlera dhe i ka bërë të dashura tek ata që i posedojnë."
Seid ibën Asi thotë: o biri im, po të kishin qenë vlerat morale të lehta do t'ju kishin paraprij të pamoralshmit; mirëpo ato janë të vështira, nuk bën durim në to përpos atij që e di vlerën e tyre dhe shpreson shpërblimin e tyre.
Fudajl ibën Ijadi thotë: Nëse shoqërohesh me ndokënd atëherë zgjedhe atë që ka moral të lartë sepse ai nuk të shpien përveç se në mirësi, ai jeton i lumtur. Të më shoqërojë një mëkatarë i moralshëm është më e dashur për mua se sa të më shoqëroj një i dhënur pas adhurimit e që ka moral të ulët, sepse mëkatari nëse ka moral të mirë jeton me logjikën e tij, është i lehtë për njerëzit dhe i dashur për ta, kurse adhuruesi nëse ka moral të ulet është i vështirë për njerëzit dhe i urrejtur tek ata.
Esmeiu një rast tha: Gjyshi im Alij ibën Esmeijj në prag të vdekjes i mblodhi bijtë e tij dhe u tha: O bijtë e mij, silluni me njerëzit ashtu që nëse ndaheni prej tyre t'ju gjakojnë me gjithë zemër e nëse vdisni të qajnë për ju."
Ibën Kirijju thotë: Bëhuni të edukuar se nëse jeni mbretër fitoni lumturi, nëse jeni mesatarë bëheni të famshëm e nëse jeni të varfër pasuroheni.
Gjëja më e mirë që ia lë prindi trashëgim fëmiut është sjellja e mirë. Rëndësinë e kësaj e kuptojmë në tregimin e Hidrit me Musain, alejhi selam. Ata kur arritën në një qytet, kërkuan prej banorëve të tij për të ngrënë, por ata nuk pranuan që t'i mirëpresin. Pastaj ata gjetën aty një murë që ishte gati duke u rrëzuar, ndërsa Hidri e rindërtoi atë. Musai, alejhi selam, i thotë Hidrit: Po të kishe dashur do t'ju kishe marrë pagesë për të! Hidri më pas i sqaroi Musait, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, se muri ishte pronë e dy bonjakëve babai i të cilëve kishte qenë njeri i mirë dhe ai e ngriti murin për hirë të babait të tyre. Allahu, subhanehu ve teala, thotë:
"Përsa i përket murit ai ishte i dy djelmoshave jetimë të atij qyteti e nën të ata kishin një thesar (ari) dhe babai i tyre ka qenë njeri i mirë, e Zoti yt dëshiroi që ata dy (jetimë) të arrijnë pjekurinë e vet dhe ta nxjerrin vet thesarin e tyre. Kjo ishte mëshirë e Zotit tënd (ndaj tyre)."
Disa njerëz të urtë kanë thënë: trashëgimia më e mirë që ia lënë baballarët fëmijëve të tyre është sjellja e mirë, edukata e dobishme dhe vëllezërit e drejtë.
Lus Allahun, subhanehu ve teala, që të na udhëzojë neve dhe juve drejt moralit të lartë, në fjalë dhe vepra, të na mundësojë përfundim të mirë në këtë botë, vërtet bujaria e Tij është e pakufishme.