Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...
Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...
Bashkimi Kombëtar
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.



 
ForumForum  PortalliPortalli  GalleryGallery  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 Lidhësia në trinomin: “Poeti, Zagoria, Kombi" nga Elda Dilo

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Kristaq F. Shabani
Miqte e Forumit
Miqte e Forumit
avatar


Male
Numri i postimeve : 11718
Age : 64
Vendi : Gjirokaster, Albania
Profesioni/Hobi : Poetry
Registration date : 04/07/2008

Lidhësia në trinomin:  “Poeti, Zagoria, Kombi" nga Elda Dilo Empty
MesazhTitulli: Lidhësia në trinomin: “Poeti, Zagoria, Kombi" nga Elda Dilo   Lidhësia në trinomin:  “Poeti, Zagoria, Kombi" nga Elda Dilo EmptySun Apr 17, 2016 10:51 pm

Lidhësia harmonike në trinomin:  “Poeti, Zagoria , Kombi … Risia, ritmi, impulsi figurimi kreativ në poemën Zagori e Përtej jetës“
Skicim kumtues për veprën  “Maja Çajupiane”, mbajtur në Tiranë , më datën 27 Mars 2016, në veprimtarinë ndërkombëtare  për 150 VJETORIN E DITËLINDJES SË POETIT KOMBËTAR  ANDON ZAKO ÇAJUPI “NDERI I KOMBIT”  
nga Elda Dilo, shkrimtare
Ne sot po nderojmë një atdhetar e poet të shquar. Është një nderim i harmonizuar me një vepër të madhe të një burri të veçantë të Atdheut, i cili me punë titanike e me mendje drite arriti që nga lugina e Zagorisë të nxjerrë një “det” të diturisë . Për t’u njohur më nga afër me Çajupin na duhet të shkojmë në vendlindjen e tij, atje ku nis atdheu për të. Nisem herët në mëngjes. Rruga është e vështirë dhe moti mund te bëhet kapriçioz. Sa dal nga Përmeti ngjitem në një të përpjetë që të nxjerr në Leusë, një fshat i dëgjuar që i ka dhënë atdheut njerëz të ditur dhe martirë për çështjen shqiptare. Atje, më del përpara një kishë, nga më të vjetrat e më të ruajturat me dhembshuri atdhedashurie, një krua me ujë të ftohtë e të bollshëm nga zemra e malit që të fton të ndalesh dhe, pasi e kam lënë fshatin, marr rrugën drejt majës së bukur të Dhëmbelit. Eci ngadalë nën hijet e para të pemëve të pyllit. Por në këtë udhëtim s’jam vetëm më shoqëron poema: ”Zagoria, lugina e përtej jetës“ e poetit me mendim shumëdimensional,  Kristaq  F.  Shabani.  Tashmë, kjo poemë është shkëputur prej tij, ka gjetur lexuesit e saj, magjeps jetë, bën të lumtur, lind vepra të reja, bëhet shpirt për mendime e veprime ;  me një fjalë ajo jeton si një krijesë që ka mish e shpirt, megjithëse nuk është njeri. Në këtë poemë, gjithçka që ndodh, lidhet me një fortësi të jashtëzakonshme me atë që do të ndodhë. Pra ajo ka njohur të vetmen pavdekësi të vërtetë qe ekziston, atë të lëvizjes. Ajo udhëton në shtigjet e kësaj bote, ku për një çast zhduken kufijtë përmes ëndrës dhe reales. Kjo poemë ka nuancat dhe tendencat e një poeme Universale e ngritur nga filtrimet e përtejndjesisë. Ajo krijon traditë të re në stilistikën letrare, ka shtjellim të qartë të idesë dhe figuracion, ka frymëzim dhe produktivitet mendimi. Ajo shpreh ngjyrimet e kohës dhe sfidat drejt ngjyrimit poetik të së nesërmes,  shpreh filozofinë e mendimit më të përparuar dhe modelin poetik të së ardhmes. Për nga stili, gjetjet artistike, forma poetike, muzikaliteti, metrika, dhe metaforave të ndjekura me mjeshtëri është një nga poemat më mbresëlënëse.  
Në këtë poemë të bën për vete, jo vetëm eleganca e penës, pasioni me të cilin përshkruan bukurinë e natyrës, lidhja shpirtërore me vendlindjen, por, mbi të gjitha, thellësia e mendimit të poetit. Gara midis qiparizave dhe plepave, kuvendi i lisave, përbashkimi i rrënjëve të rrepeve, konkurrimi i kaltërsisë së ujit të lumit me qiellin, apo kuvendi i bimëve aromatike dhe kurruese për shpirtin dhe trupat e lodhur , që veshin shpatet e atyre maleve hijerendë të kësaj krahine kanë një kuptim të thellë metaforik.  Lexuesit i del përpara një tablo me ngjyra mahnitëse, por që e vënë në mendim të zbulojë domethënien, idenë që ka dashur të na përcjellë poeti.  Më tingëllon në vesh vargu i poemës: “Shpirti, si burim i zjarrtë,/ nxjerr flakëartën , ….” e më duket, sikur do të më orientojë. Shiko nga lart. Kjo më kujton thënien e Anjshtajnit, të cilin, kur e pyetën nga ndryshon nga të tjerët, ai u përgjigj : “Unë shikoj nga lart, nga kozmosi. Të tjerët që të shikojnë rrumbullakësinë e Tokës u duhet shumë kohë. Unë e shikoj menjëherë”.
Kështu dhe poeti shikon nga lart dhe, nëpërmjet vendimit të tij moral dhe shpirtëror, ka kryer një çarje në kohë dhe është bërë bashkëkohor me krijuesin në përjetësinë e çastit. Fjalëarta, si një relike e gjallë,  e cila  bart në vetvete urtinë njerëzore ndër shekuj, në lindjen dhe zhvillimin e saj historik, sepse, sikundër  thotë  Gjergj Zheji,  fjala është e aftë të shpjegojë vetveten, mbasi ajo përfaqëson njeriun, është vetë njeriu me forcën e tij të pavdekshme,   mendimin.
“Protagonistë: Pompejt, Çezarët,/Napolonët, Bismarket,Pukëvilet,/Washingtonët,Ali Pashatë…./pjesë e trimërive perëndore,/Në emërtime Kastelanesh,/lënë taktika e strategji kohësh, /Harkon udhëtimin njerëzor bebezja e syrit /nën rrethorin e Arushave /vetëtimat e shikimit”.
Në këto vargje ndjehet fuqishëm depertimi i thellë i autorit, duke shikuar nga poshtë - lart, midis të gjitha lidhjeve, të cilat shikon, ai përqëndrohet tek ato që shprehin diçka më të rëndësishme. Vala e mendimit merr formën e një spire, në të cilën më e vogla vjen nga më e madhja dhe na jep kështu idenë se të gjitha janë brenda të gjithave. Bebeza e syrit ka formën e rrethit.  Si të gjitha format dhe rrethi zë një dimension simbolik. Rezonanca simbolike e tij është personifikuar në natyrë dhe në mënyrë subkoshiente dhe në trurin tonë. Ai paraqet një cikël të përjetshëm, sikurse dhe “rrota” e kohës. Ai është simbol i tërësisë dhe i vazhdueshmërisë. Ai është, në fund të fundit, simbol i qiellit dhe i irracionalitetit të natyrës të dijenive enciklopedike dhe, si i tillë, harkon udhëtimin njerëzor.
“Zgjat dorën dhe përkëdhel qiellin,/herë të qelqtë e herë të prushuar,/ herë me re kalimi, herë harta resh,/ ngjasues me Globin/”.
Duke lexuar këto vargje të bukura dhe kuptimplote, ndjen qartësinë e mendimit të poetit, i cili ka zgjedhur me mjeshtëri shprehjet më të forta në këtë mënyrë ka lindur një efekt drite i ngjashëm me ndriçimin e pishtarëve në shtigjet e ngatërruara të pyllit. Më duket sikur jam para një tabloje, në njërën anë të së cilës shikojmë një qiell të qelqtë dhe në anën tjetër një qiell të prushuar. Këto interpretime të holla të bëjnë të gjurmosh mendimin e poetit. Mendim, i cili na jep mundesinë e gjetjes së rrugës drejt një numri të madh shtigjesh. Shpirti i ndjeshëm i poetit prek pafundësinë në çfarëdolloj gjëje, në çdo veçanti të botës, sepse e pafundmja shfaqet në format e së fundmes. Ajo që ekziston, në një çast të caktuar të historisë së botës, nuk ekziston mirëfilli, ndaj në qiellin e Luginës së tij, ai shikon globin e gjithë botës, i cili,  herë është i pastër e herë është i prushuar. “Në hapësirën e qiellit tim/ shfaqen forma,/trajta të çuditshme figurinash,/u ngjajnë Ëngjëjve, Djajve“. Ëngjëj dhe djaj, dashuri dhe urrejtje. Dashuria që bashkon, urrejtja, e cila  ndan. Urrejtja që sjell errësirën. Dhe na del natyrshëm pyetja: “ A ka patur momente që kjo urrejtje errësoi Luginën?”
Po t’i referohemi historisë, nënës të së vërtetës, themi, me keqeardhje, që po. Errësirë, e cila  pati pasojat e saj. Por njerëzit me shpirt fisnik të kësaj krahine të edukuar nga ato nëna, të cilat  në nusërinë e tyre, sikundër  thotë poeti: ”…u stolisën me kurora me aromë gjethesh dhe lulesh epiko –lirike”, ndezën qirinj, jo për ta mallkuar, por për ta ndriçuar atë”.
Edhe pse jemi nisur me një kohë të mirë, papritmas, në këtë vend, ku mbi kokë ke vetëm një shoshë qiellprerë nga majat e maleve, retë i mbledh era; errësohet, bëhet pus. Pus quhet dhe vendi. Mund të na zërë shiu, të nisin shkrepëtimat, vetëtimat e të gjëmojë mali. Ndjehesh në fund të një pusi gjigant. Mure ka majat e larta, gdhendur prej natyrës me daltën e saj. E vetmja dalje është një e çarë shumë e thellë, mu në zemër të malit gjigant, kurse rruga gjarpëron buzë një greminë të frikshme. Dhe  mendja më shkon në 24 marsin e vitit 1300, kur Dante Aligeri humb rrugën në një pyll të errët, por, nëse ai do të ishte duke shkuar drejt Luginës së Peërtej jetes nuk do të ishte e nevojshme t’i shfaqej hija e Virgjilit, dërguar nga qielli prej Beatriçes. E të zbrisnin, më pas, në ferr, ku në 9 rrathë dënoheshin mëkatarët për fajet, të cilat Dantja i ndan sipas teorisë së Aristotelit. As të ngjiteshin në 7 rrathët e Purgatorit për të bërë pastrimin e shpirtit nga fajet, të cilat Danteja i ka ndarë sipas teorisë së Platonit. Atë do ta shpinte fluturimthi Beatriçja në qiejt e parajsës nëpër 9 qiejt dantesk. Sepse, siç thotë poeti :”Kush shkel e udhëton / në mrekullinë e luginës sime ,/Toka e saj i le gjurmë …./Gjurma e Tokës sime, /Ky mesazh i perëndive, shugëruar në rrethin e jetës njerëzore,/në një rreth anti “Dante”...?/Dhe kush ikën në pertej jete /rikthehet, sa herë, u nevojitet të Gjallëve…”.  Eci me kujdes, sepse rruga është e vështirë sa dhe “zogu shkon ngadalë” , e megjithëse rruga është e gjatë unë nuk ndjej lodhje, sepse jam duke shkuar drejt luginës, që si/ lexojmë në këto vargje të poems: “…në hapësirën qiellore, /si në një pasqyrë gjigante,/çuditen me veten dhe reflektohen/ relievet, njerezit, gjallesat ;/Të pranishme cicërimat, bilbilimet,/koncerti i ansamblit të zogjeve”.
Kjo natyrë e mrekullueshme harmonizohet me bukurinë fizike të grave që poeti i krahason me sorkadhet, me trimërinë e burrave, që i kanë rezistuar me heroizëm stuhive të mëdha të kohërave nuk janë mposhtur, sepse kanë qenë të bashkuar : ”Në luginën time ka qindra rrepe,/në dhjetë qyteza,/kanë shtrirë rrënjët,/i përbashkojnë në një pike;/Pikat centruese,/urë lidhëse e nëndheshme,/Forcë rilievore”.  Kanë ruajtur me fanatizëm fenë dhe gjuhën kombëtare. Ata dinë të respektojne pronën e njëri –tjetrit.
“Si nuk e pashë njëherë kodrën /të spostojë kodrën, apo pylli pyllin…/”thotë poeti. Ata janë paqësor s’e njohin vëllavrasjen. “Asqë mund të mendohet kjo për Luginën time …/Të arkitekturuar prej Zotave”. Shquhen për demokratë: “Lisat mblidhen në kuvend lisash ,/Në kuvendin e tyre të  Hoshtevës;/Sa lezet paskërka Parlamenti i Lisave!”. Për njerëzit e kësaj krahine demokraci do të thotë zbatimi i ligjit. ”Të gjithe lisat e ditur…/u ka lezet fjala, /u ka lezet vendimi dhe ligjet,/të zbatueshëm për gjithë Fisin e Lisave…/Dalja jashtë vendimeve e dënueshme me ligj”.  Të tërheq vëmendjen vargu : ”Shfaqur në ditën e tetë të javës“. Numri “8” simbolizon një fillim të ri, një balancim të botës materiale dhe jo material. Po të përdorim konceptin Pitagorian mbi numrin “8” do të thoshim se ai është simbol i dashurisë ,miqësisë dhe i produktivitetit të mendimit. Numri “8” është numri i parë kubik, i cili prezanton gjërësinë, gjatësinë dhe thellësinë e mendimit. Madhështia e intelektit profilizohet në vargjet : ”Në Luginën time /mendjet jetojnë në vetminë e tyre,/por mblidhen në planetin e mendjeve”.
Zagoria është një nga krahinat me vitalitet të fuqishëm e të hijshëm të Shqipërisë . Historia e një vendi është historia e personaliteteve. Zagoritët kanë të drejtë të ndjehen krenarë për ata burra të shquar që janë godina universale, ku nga çdo dritare e tyre lëshojnë drita veprat e shumta me aq rrezatim të gjatë e të çmuar. Ata ecën në jetë me vështrim përtej kohe e kanë zënë vend në historinë e Kombit . Dhe këtyre lisave madhështorë ju lëviz i vetmi shqetësim. Sikundër  thotë poeti Agim Shehu: “Mos vallë radhët e shqiptarëve janë rralluar, apo gjaku i tyre është holluar?“ Mbajnë vesh dhe dëgjojnë 10 kambanat e së ardhmes që po vjen. I gëzohen brezit të ri që krijon projekte te reja e kjo pasqyrohet shume bukur në këto vargje të poemës së Kristaq F. Shabanit : “Nisin trumbat e zogjeve perëndore drejt Qiejve”. Ata gëzohen se ”Shkrepëtijnë vetëtimat e rilindjeve…../Tejformohen konturet e reja /në shtratin e lindjes”.
Kemi “mposhtur” malin. Kemi lënë pas Qafën. Sheshet e Lenës. Pusin. Rrugën e vështirë buzë greminash.  Dhe, sikundër shprehet poeti:  “Pas perdes ...madhështia, /Ngjyrimi të çudit/ ... O njeri, sa e gjërë , e paane është fantazia, shpirti i bukurishëm të trondit/ ... Lugina e katër grykave shfaqet ,/ Luginë e ëndrrave të rralla,/ Malet kapin me dorë qiejt,/ Shpaloset para syve perralla...”.
Nga njëra anë, kënga e zogjve që ka vërtet vlerë, kur ka kush e dëgjon; nga ana tjetër, brenda vetes sonë, kënga që bashkon e lidh brezat, e cila  dëshmon historinë; të dyja, të dëfrejnë e të mallëngjejnë,  të lidhin me kujtime… Nëse, do të hyjmë në këngë, mund të shohim “nga larg”, në thellësinë e shekujve, gjejmë legjenden a mitin që “pjell” historinë; folklorin që ruan historinë. Ecim në këtë faqe mali, ku “Era punë e madhe/  Bilbili ia thotë/ gratë si sorkadhe”. Sa e sa herë do të jetë ngjitur Çajupi në këtë mal, Ai do të jetë  mrekulluar nga bukuria e natyrës dhe, sikundërse  thotë Platoni: “Natyra nuk është një makinë e vdekur, por një botë e formave virtuale, një botë shpirtërore përtej botës së ndjenjave”.  Pra Çajupi harmonizoi vendin, historinë dhe natyrën dhe, kur harmonia u realizua,  shkroi poezi.
”Ku na duket balta, më e ëmbël se mjalta?” Vargje me erën e barutit e me aromën e këndshme të mjaltit nga trendelinë e këtyre maleve.  Kur arriti të bëhej personalitet i dëgjuar, sa herë me zemër të ngrohtë për arritjet e reja, ka zbritur këtej, ka përshkruar këtë fushë, për t’u prehur në gjirin e fshatit të tij! Kur e ka pasur të pamundur të kthehej,  çpërmallim për truallin amtar!  “Dërgomë një gur, dërgomë, /Ta vë jastëk ndër krye…” shkruante Çajupi.Të lodhurve  e të dëshpëruarve kjo tokë u jepte fuqi, si Anteut që kanë krijuar grekët e vjetër, pasqyrë e mendimit të tyre të mprehtë që del në pah në situata e në gjendje emocionale të caktuara dhe i ka ndihmuar të formonin Unin e tyre, si komb. Shqiptarët , atdhetarët e zjarrtë e demokratët e vërtetë, midis tyre dhe atdhetari zagorit, luftonin për Unin e tyre si komb… Balta e poetizuar e Mëmëdheut, gatuar me djersë e me gjak, me pluhurin e eshtrave të të parëve tanë, malli i pashuar për vendlindjen :  “Besomë, - shkruan Çajupi,-  zemra m’u mallëngjye”.
 Pres të na shfaqet ikona e shtëpive “me kishë e me varre/ rrotull ca shtëpi/ të vogëla fare...”, mes tyre shkolla, ku ngrihej shtëpia e Çajupit. Vetëtimthi, vegëtime miturake me zërat e njerëzve më të dashur, me zërat gazmore në shkollën e bukur që na mësoi “Kush ka qenë trim një herë”. Pak e nga pak do të kuptonim kush e deshi Mëmëdhenë. “Ecim” tani me atë botën e bukur fëminore rrugës, e cila gjarpëron lëndinave. “Ecim“ me Çajupin, Rilindësin zagorit që u studiua dhe mbeti i njohur për të gjithë. I mirënjohur anë e mbanë Kombit më 1902 me “Baba Tomorrin”, vargjet e tij u bënë, si thonë kritikët tanë, bombë e flamur. ”Ja të vdesim, ja të rrojmë, për Shqipëri!”. Ndezën flakët e atdhetarisë: “Ku kemi lerë?/ Ku na bëjnë nderë?…”. Ndriçonin udhët, u bënë flatra shqiponje: ”Luftën që prish njerëzinë,/ nuk do ta doja kurrë,/ Po, po të më shkelnin kufinë,/ do të luftoja si burrë”. ”Shqipëria është e Shqiptarëve, shkruan Çajupi, qofshin Muslumanë, qofshin të Krishterë.  Besime ... mund të ketë shumë në këtë botë, Atdheu është vetëm një.”
Ishte koha, kur kristalizohej shqiptarizmi si ideologji nacionaliste: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Çajupin e kemi në radhët e para të atdhetarëve. Po si e kemi në kujtimet e sheperiotëve? Në Sheper, sipas kujtimeve të sheperjotëve, veprimtaria atdhetare e Çajupit nis  “në vitet e fundit të shekullit XlX… Çajupi kërkoi shkollë shqipe”. Më vonë, kur kishte aguar shekulli i ri, XX, fëmijët, sa nisnin të belbëzonin, mësuan diçka nga vjershat e “Baba Tomorrit”; pastaj, e kishin në orën e mësimit, në teatër, në festa e gëzime, në librat më të dashura, që mbanin në duar; kurse në polifoninë e gjerë të poezisë sonë, narcistika çajupiane, me zërin e ëmbël thithur prej gurrës së pashtershme popullore zagorite, me zërin e historisë e me zërin e jetës, mbeti model komunikimi me lexuesin. Derdhet mallëngjimi: “Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë…” dhe të rrëngjeth në këngën popullore. Mungëllon malli i dashurisë për vendlindjen, për atdheun e largët: “Atdhe, me male të lartë,/ ti që më rrite që djalë,/ dërgomë një grusht me baltë/ ta puth, të të nxjerr mallë…”. Kur vjen Andoni i Çakajve në Shqipëri, në Sheperin e tij, të shikojë atdheun, “nënë e babë” sy më sy e jeton me hallet në Shqipëri, me zemër të lënduar do të shkruajë: “I dashur mëmëdhe",/ të dua dhe kështu siç je,/ po, kur të të shoh të lirë,/ do të të dua dhe më mirë”. Qoftë si romantik te “Baba Tomorri” "Fron Perëndie", të bukur, madhështor ; qoftë si realist ("...Mëmëdhe,/ Të shoh me buzë të plasur,/ si me she"), e ka të gatuar poezinë e tij me frymë të thellë atdhetarie e humanizmi, e cila  që buron nga zemra e vuajtur, nga jeta që ka njohur në Sheper e Zagori, nga dëshira që shqiptari të jetë më shqiptar. Në krejt veprën, shpaloset karakteri i tij, shpesh me atë temperamentin zemërak zagorit...
“Ju që mbroni skllavërinë,/ ju që bëni të këqia,/ ju që mundoni njerinë/ e gjeçi nga Perëndia!” “O Shqiptarë të mjerë, / ç’u ka marrë koka erë/ derdhni gjakun për të tjerë!” Shqiptarët flijohen për interesat e të tjerëvet, pa e kuptuar interesin e vet! Mish për top! “E gjeçi nga Perëndia!”, “I ka marrë koka erë”, shprehje popullore në Zagori, i ka bërë të flasë, si kambanë alarmi në poezi. Zemërimi që buçet në vargjet e tij, të hedh në historinë e largët e të afërt. U bë kushtrim. Në luftë për vetvete dhe me vetveten, për të çliruar mendjen e për të fisnikëruar shpirtin, në luftën për çlirim. Sheperiotët, të cilët  e kanë njohur nga afër, të thoshnin që fjalën e kishte me një forcë të madhe logjike dhe shakanë në majë të gjuhës… Shqipërisë i duhej të forconte shpirtin dhe të ndriçonte fytyrën. Andon Çako - që i mori emrin asaj pllaje të bukur, Çajup, rrethuar nga maja malesh, ku lulja i thërret lules e zihen në valle,  bir i thjeshtë i këtyre maleve të Zagorisë, u bë një nga bijtë e shquar të Shqipërisë në misionin për të forcuar shpirtin, për të ndriçuar fytyrën e atdheut të tij, për të parë triumfin e dritës që do ta çante errësirën.
Zëri i tij buçiti në Shqipëri si krisma e armëve të malësorëve në Kosovë e Labëri. Sikundërse  thote poeti Kristaq F.  Shabani:”Çakoja notoi në dallge lumi,/Ndjeu antiveprimin , / u ndodh i pranishëm ne dhimbjet,/në kontrastin e vjetëranes me dritën,/Thurte kurora librash pa morte ..../për Mëmëdheun, e lënë përtej deteve”.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://kristaniada.tripod.com  http://pegasialwriters.tripod.com
 
Lidhësia në trinomin: “Poeti, Zagoria, Kombi" nga Elda Dilo
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
»  "Zagoria of beyond life". by Elda Dilo
» Feja apo Kombi.?
» Kombi Malazez dhe Kombi” Kosovar”!
» Esse nga Jorgo S. TELO
» Zagoria, publicistikë

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Bashkimi Kombëtar :: Arti dhe kultura :: Gjuha dhe Letërsia Shqiptare-
Kërce tek: