Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...



 
ForumForum  PortalliPortalli  GalleryGallery  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

Share
 

 Koha e Urrejtjes

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Kristaq F. Shabani
Miqte e Forumit
Miqte e Forumit
avatar

Male
Numri i postimeve : 11559
Age : 60
Vendi : Gjirokaster, Albania
Profesioni/Hobi : Poetry
Registration date : 04/07/2008

Koha e Urrejtjes  Empty
MesazhTitulli: Koha e Urrejtjes    Koha e Urrejtjes  EmptyWed Oct 21, 2015 10:55 am


ARDIAN DEDI




KOHA E URREJTJES


Skica dhe tregime





2015









ARDIAN DEDI

KOHA E URREJTJES
Skica dhe tregime


Copyright Ardian Dedi, 2015







DIALOG NË PARAJSË

- Do ta pimë një kafe, - foli Zoti.
- Kafja më jep ndjesinë e superiorit etik, dehjes, - shtoi Jezu K.
Dikush shërbeu kafen, ndërkohë që Jezu K. ishte, si mbi gjemba.
- U bazova mbi arsyen, intuitën dhe, megjithëse, si fillim, doja të martohesha, u martova me mësimet e Perëndisë.
- Po, sigurisht, lind instikti, i cili është pjellor dhe jo arsyeja, - foli Zoti, - Megjithatë, instikti mund të përkufizohet si pavetëdija e mendimit.
- Pavarësisht, se më njeh apo nuk më njeh, si djalin tënd, unë s’e bëra këtë për ndonjë përfitim personal, - shtoi Jezu K.
- Mos kërko të bësh mirë se, po bëre mirë, në prag ke të keqen, tha Zoti. - Kjo do të thotë se nëse vjen në fuqi platforma e së Mirës, ajo do të rrëzohet, por kjo s’e prish marrëveshjen tonë…
- A ka një ekuilibër mes të Mirës dhe të keqes?- foli Jezu K.
- Jeta tënde flet për një fitore të së Mirës mbi të keqen, për një evolucion të së drejtës, - tha Zoti.
- Kjo më qetëson dhe tregon atë që jeta ime s’ka shkuar kot, - shtoi Jezu K.
- Nëse të njoh ty, këtë do ta bëj për bamirësi , por nuk është bamirësia që e shtyn universin të ecë përpara, - foli Zoti. - Është lufta dhe pas luftës vjen bamirësia.
- Mua nuk më rritet mendja, por po më njohe, po më dhe fuqi do të ketë ndryshime dhe lufta për drejtësi me bekimin tënd do të shndërrohet në evolucion, - shtoi Jezu K. – Dimensioni largpamës dhe hyjnor shpresoj të më udhëheqin.
- Nuk e mohoj që më duket një rregullator aty poshtë, si ndihmës, - foli Zoti, - edhe unë, në këtë mes, kam fitimet e mia.
- Unë me këtë kontratë mbetem, përjetësisht skllav dhe ju padroni im, - tha Jezus K. - Ndërkohë që të gjithë njerëzit jetonin jetën e tyre , unë isha ushtar.
- Çdo pardon e ka një fund, - foli Zoti, - dhe ti u përpoqe të më ndihmoje.
- Duke më njohur ke një shtysë për të jetuar, - foli Jezu K. dhe shtoi: “Ligjet e reja të bamirësisë janë inspirim dhe një mundësi për të qenë i lumtur”.
- Lufta ime është të bëj fëmijë dhe, duke ditur që fëmija i fundit del më i mirë; dihet se edhe për mua ekziston një fund. Unë po të njoh ty, - foli Zoti
- Nuk e shoh, si mëshirë, këtë fakt, por si evolucion, - tha Jezu K. dhe shtoi: “Ky bashkëbisedim është logjik, por jeta, jo pak herë, nuk i bindet logjikës”.
- Kjo bamirësi në thelb është kujtimi i jetës, shkaku për të cilin kam evoluar, - foli Zoti dhe shtoi: “Kjo rrugë shtrohet për fëmijët. Ata janë e ardhmja…”.









Dritarja



Teksa dëgjonte në radio këngët polifonike, e kaploi një mjerim i përgjithshëm, të cilin nuk e mori vesh nga i erdhi. Kënga ishte e thellë, me karakter shumë të fuqishëm dhe me katër zëra. Një perlë e vertetë.
“Mos vallë burrëria ishte një mjerim?”- mendoi.
Ndërkohë, jashtë shtëpisë, kaloi një BMV x 6 dhe shoferi ishte një burrë i fuqishëm leshtor, me mustaqe.
“Ja, - mendoi sërish,- një mashkull në krye të zinxhirit ushqimor, i cili ka tiparet e një vrasësi të lindur”.
“Sigurisht, - iu përgjigj po vetë, - njeriu është energji negative dhe ai që ështe në krye të Universit apo Njerëzimit, është futur dorëzanë duke qenë se e urren negativen.
Sa për burrërinë, për sa kohë që pasioni dytë, arsyeja, do të mbetet në letër, do të vazhdojë të jetë një mjerim.
Kur evolucioni të ngrejë në krye arsyen, atëherë burrëria do të jetë lumturi”.
Mori dylbitë, që kishte në tavolinë, dhe i drejtoi për nga pallati përkarshi. I pëlqente të vëzhgonte një çift të sapomartuarish që kishte komshinj.
- Tregoje udhëheqësin e vërtetë të Botës, - iu drejtua gruaja burrit.
Burri, i cili po bëhej gati për seks, në shënjë kuptimplotë, pas pyetjes hoqi mbathjet.
Njerëzimi, Universi është më i mirë se hiçi.
“A është një përpjekje e mjerueshme, kjo kërkesë e vazhdueshme për arsye? – provokoi ai vetveten. -
Jeta më anoi nga vdekja, së cilës s’kam ç’t’i trëmbem më.
Është e pashmangshme, në këtë moshë, një bilanc: Dështim apo sukses?
Në planin personal ishte një dështim, ndërsa më gjërë, ndoshta sukses.
Moment ky që shënon një plus.
Nëse eksplorimi bëhet lufta e gjithkujt, atëherë ky është një sukses.
Mesa duket, e vetmja e vërtetë që ekziston, nuk është gjë tjetër veçse kjo letër, e cila ka lindur, si pjellë e trurit, në kontakt me realitetin.
Librat më prishën mendjen, ndërkohë që paraja është inspirimi kryesor në jetë. Lufta e arsyes me abstrakten për një realitet të ri është ideologjia e kësaj egoje që përbën një univers vlerash.
Ky shfrytëzim i arsyes sjell zhvillim, përparim.
Odiseja e përballjes me vdekjen të bënte të vlefshëm për të ardhmen,” - mendoi.
Ndërkaq ditët rrokulliseshin, pa u ndalur, dhe, s’bënte gjë tjetër, veçse i numëronte, duke pritur më kot të hipte në fuqi ekuacioni i dashurisë në mbijetesë.


Loja e shahut


Vapë. Korrik. Një qershi, që ndodhej pranë shtëpisë, i nënshtrohej një ere, e cila i përkëdhelte gjethet. Ndodhej nën pushtetin e qetësisë, një gjendje shpirtërore kjo, të cilën ia jepte hija.
Atë moment, trokiti fqinji, me kutinë e shahut në dorë.
- Bëjmë një lojë shah, - iu drejtua ai.
- Mirë, - foli Ariani.
Hapën kutinë, rregulluan gurët.
- Kam në plan të bëhem bletërritës, - foli Ariani.
- Profesion interesant, - tha fqinji. - Bleta është energji pozitive.
- Mbretëresha është personazhi kryesor, - foli Ariani- që, nëse heq një paralele, është e krahasueshme me Energjinë e Errët.
- Dëshmitarët e Jehovait po predikojnë në të gjithë Botën se po jetojmë ditët e fundit.- foli fqinji, duke shtuar. - se, pas këtij sistemi, do të vijë Mbretëria e Perëndisë , ku mbreti do të jetë Jezu Krishti.
- Shah - Mat! – foli, këtë moment, Ariani.
- Fitove, - foli fqinji, duke hequr një paralele për Mbretin, të cilin, mund ta krahasosh, fare mirë, me Materien e Errët, ndërkohë që lojtari më i rëndësishëm është Mbretëresha.
- Unversi po zgjerohet me shpejtësi, fakt ky, që tregon se fundi është afër, madje edhe loja e shahut përfundon pa Mbretin.
- Kam frikë, - foli fqinji, - se, organizimi i një lufte për shkatërrim të Universit, ka pasoja të pakthyeshme, ndërkohë që vazhdimësia, si e kundërt, është një status prej protagonisti që ruhet dhe ngelet në përjetësi. Shumë krijesa ngordhin, pasi sigurojnë trashëgiminë, fakt ky që bie në kundërshtim me fatin e Universit.
- Nesër do të të qeras me një birrë, - vazhdoi Ariani, se fqinji, në atë çast, u ngrit.
- Mirë, - u përgjigj ai, miqësisht dhe, instiktivisht, shtoi: “ A nuk të duket qesharake dhe naive që lufton për një kauzë të tillë, sidoqoftë që është e drejtë?
- Jo, - u përgjigj ftohtë, qetë dhe qartazi Ariani, – duhet të ishte dikush. Fati më zgjodhi mua.
Fqinji, papritur, u bë therës dhe këmbëngulës:
- A nuk është kotësi t’ia kushtosh jetën një ideali të tillë?
- Jo, dokushdo do të ishte në lartësinë e kësaj detyre, - foli shkurt Ariani. - Gjithsesi, ky është një moment krenarie. Përpara se të gjykosh duhet të mendohesh shumë. Në fund të fundit, përballë absurdit, të ardhmes kaotike, unë vura platformën e arsyes, - përfundoi ai.
- Ti je i çmendur! – Me sa duket fqinji, s’donte të tërhiqej lehtë.
- Pa këto ideale jeta është çmenduri. - i mbylli derën, para syve, Ariani.
- Kështu, siç e ke nisur, do ta vrasësh veten, - e mbylli bisedën fqinji, këtë herë.

KOHA E URREJTJES

Ora 14.45 e ditës. Verë . E premte.
Sa të premte, si kjo, kam kaluar?
E megjithatë, asnjë kuptim.
Kam gjitonë, kushërinj, miq, të cilët i takoj që prej 20 vjetësh. Diskutojmë për familjen dhe për ato që na shqetësojnë, duke pretenduar një jetë më të mirë. Kjo është jeta e njeriut tjetër, që, gjithsesi, mbetet e huaj.
Kur ndodh ndonjë vdekje, dhëmbshuria tre ditë zgjat.
U martova, jetova ëndrrën e dashurisë, por përsëri mbetem egocentrik. Ndoshta, dhe për 20 vjet të tjerë, do të vazhdojë e njëjta histori, ku e përditshmja, pasi të lodh, të çon drejt vdekjes.
Kur isha i vogël, kisha gjiton një plak. Ai ishte plak, kur unë u bëra adoleshent. Gjithashtu, ai vazhdonte të ishte plak edhe kur u martova dhe u bëra me fëmijë, derisa, kur mbusha 40 vjeç, vdiq.
Në këtë moment, ndoshta jam nën vëzhgim dhe jeta ime shërben si pikë reference për dikë.
Vallë kjo ishte ëndrra e jetës? Vetëm, kur të vjen fundi, tregohesh i sinqertë, qoftë me vetveten, qoftë me shoqërinë.
Por, sidoqoftë, jeta vazhdon dhe këto ideale janë të pavdekshme.

Në këtë kohë, bota zbardh, u çkombëtarizua prej diellit; ngjyrat u zhdukën dhe gjithçka u vesh në një kontrast bardhë e zi.
I vetmi kuptim i jetës është e mira, e cila nuk ka sens, sepse shërben si ushqim për të keqen.
Pas këtij handikapi, e keqja zbukurohet dhe duhet shkruar kushtetuta e së mirës. Moment ky i pashmangshëm, të cilin nuk e injoron dot. Në momentin që gjithçka shkon keq, bota udhëhiqet nga e mira, ndërsa, kur e mira ka pushtuar çdo skaj qeveris doktrina e shkatërrimit. Nëse jetoj deri në fund të botës, ajo e universit ç’kujtim ka?
Heronjtë kanë jetë të shkurtër, ndërsa të jetosh gjatë, do të thotë të jetosh së gjalli vdekjen e veprës tënde.
Nëse, më kërcënohet jeta, unë do të reagoj me të gjitha instiktet për të mbijetuar.
Por jam në kurth, sepse kam një vdekje të ngadaltë. Vdekja ime s’është gjë, por pa botën, ku jetojmë, universin, jeta, pa trashëguar stafetën, është tragjike.
Cila ështe e ardhmja?
Pushteti frymëzohet nga urrejtja, atëherë, kur idealet përballen me një numër, ekstremisht në rritje, të rrymave të ndryshme.
Por a mund ta fitojë urrejtja këtë luftë, kur dashuria është një forcë që qëndron mbi çdo vullnet. Duhet të humbasësh në të gjitha frontet krysore të jetës që të luftosh për gjithçka, duke u bërë kështu idealist. Nëse, në kohën e urrejtjes, përhapet dija, atëherë e ardhmja e gënjeshtërt sfidohet prej së drejtës.
Ideja e këtij investimi madhështor përbën arsyen e vetme të vazhdimësisë, ndryshe jeta vetmimtare është diçka idiote dhe qesharake me perspektivë: asgjëkundin.
E ardhmja është një nocion abstrakt, sepse as e tashmja, nuk është e sigurt.
Tiparet e momentit janë të miratuara te çdo fytyrë. Vetëm drita e një dashurie të përjetshme mund të mbijetojë, një rezistencë pozitive, kjo e aftë ta shmangë këtë shkatërrim. Vullneti për rrugëzgjidhje bazohet te sakrifica. Pavarësisht, se jeta shumë herë ndodhet nën perimetrin e vdekjes, ky kompromis, me të mirën, të bën optimist.
Në një kohë, kur as e mira, as e keqja nuk kanë perspektivë, kjo luftë e brendshme sjell zhvillim.
Ndoshta mënyra e fjalës “identitet” është “ide” ose “Eden “ , pra
“ Kopshti i Edenit”.
Fjala “ide” shpjegohet në shqip dhe zbërthehet “ I dhe jetë”, pra “Ide e jetës”, ku lidhësja “dhe”, përveç kuptimit të parë “mori” ka dhe kuptimin “tokë”.
Fjala “besë”, në shqip, zbërthehet në formë primitive “ zë be”. Pas pjesës “be “ ka të ngjarë të vijë nga hebraisht, ku paraqitet si “bet” dhe është e pranishme në fjalët “beton’” “diabet” dhe “betohem”.
“Bethel” në hebraisht do të thotë “Shtëpia e Zotit”.
Që klasa e artistëve të mos jetë përjetësisht nën këtë doktrinë, duhet që, kjo e fundit, të njohë këtë kastë intelektualësh dhe kështu do të forcohet ndërgjegja, ndërkohë që dhunën s’ke pse e përdor, sepse e keqja është e mundur.
Ulërima e gjakut shërben si trampolinë që të çon nga gënjeshtra drejt arsyes, qetësisë, lirisë dhe paqes.


















RRUGA QË S’TË KTHEN MË

Sa afronte stina e dasmave dhe bashkia miratoi një plan të ri urbanistik, që qyteti të zhvillohej në fushë.
U ndërtua bulevardi kryesor dhe, në të dyja krahët e tij institucione, si: bankat, spitali, pallate, farmacitë, lulishte, gjykata, prokuroria, dyqane, teatri, policia, kisha, klube, restorante, univesiteti, burgu dhe, në fund të tij, varrezat dhe aeroporti.
Arjanit, në moshën 21 vjeçare, iu mohua e drejta e studimit. Nuk u dekurajua dhe i pëlqente të mendonte se ishte skllav i lirisë. Ai dinte se, ligjet e atyre që tashmë ishin në varreza mbizotëronin në jetën e përditshme. Pas gjithë këtyre telasheve vështron përpara dhe mbështjell me mospërfillje gjithçka, por është gjithmonë dikush që s’harron.
- Duhet të iki, sa më shpejt, këtej, - mendoi Arjani, duke lënë pas mosmirënjohjen. - Dyert e këtyre institucioneve janë të mbyllura për mua. Jam në hasmëri me këtë pushtet. Dhe, vërtet, të gjitha ruheshin me policë. Këtu të gjithë më konsiderojnë si armik, një rrugëtim me problem ky.
Kaloi shumë kohë me këtë monotoni, derisa, në këtë rrugë, u hap një konsullatë. Aplikoi për vizë dhe, ditën që do të ikte, bleu dhe një aparat fotografik. E ndiente që po nisej në një rrugë nga ku nuk do të kthehej më, ndaj shtrëngonte në duar aparatin fotografik. Donte ta dokumentonte të ardhmen. Sapo u nis avioni, ra në gjumë të thellë. Midis reve, iu bë se në sediljen, përkrah, u ul një plak.
- E ndiej që ky fat ishte i paracaktuar, - iu drejtua Arjanit. – Pse gjithë kjo urrejtje?
-Ti do të kesh tagër ta trashëgosh arsyen, - iu përgjigj plaku. - Mos u mërzit.
- Unë zgjodha rrugën e letërsisë, por nuk e di sa real është ky projekt, që, në fakt, është rruga e së vërtetës. Dola në përfundim se edhe liria është një një farë skllavërie.
Në këtë qytet m’u shkatërrua e shkuara. Ç’të ardhme mund të kem unë?- foli plot dëshpërim Arjani, - kur e vërteta, arsyeja, e drejta, shkatërrohen prej etjes së verbër për shumim.
- Ky drejtim është i duhuri, gjendet gjithmonë një hap përpara, shmang pikëpyetjen dhe pikëçuditësen në fund të epilogut, të cilat s’janë gjë tjetër, veç miopi.
- Ky aksion i përgjithshëm mbizotërohet nga e mira. Gjithashtu ato që na bashkojnë janë më të shumta, se ato që na ndjejnë. Të dyja këto janë një arsye pse ngrihesh në mëngjes, - shtoi plaku.
- Si lindja, si vdekja, që të dyja janë jashtë kontrollit , ndërkohë që të zotërosh energji, do të thotë që të jesh dhe i dhunshëm.
- Kur jeta e humbet kuptimin, humbet dhe ekuilibrin. Megjithëse jam dëshmitar i shumë vdekjeve, kjo e vërtetë, më shtyu të jetoj, duke më frymëzuar. Gjithashtu, si bir i denjë i këtij universi që rrotullohet rreth vetes dhe unë, duke kryer xhirron në bulevard, çdo ditë, deri në fund, kthehesha në shtëpi, - foli Arjani.
- Tani s’je më i dobishëm këtu, - iu përgjigj plaku, duke shtuar, - se ta jetosh jetën për ato ideale që luftove ti, është i vetmi kuptim i jetës.
- Ku vemi kështu ?- pyeti Arjani
- Drejt shpresës, - foli plaku në mënyrë enigmatike, gati- gati, si i dehur dhe shtoi, pas një grimase të shkurtër:
“Duke kërkuar paqen. Ky udhëtim epik është rruga e mbijetesës.
- Duke jetuar çdo ditë, në këtë qytet, pata përshtypjen e gabuar të pafundësisë, por s’qenka kështu! Dhe kjo masë e papritur vjen në një moment triumfi, - foli, pa u menduar shumë, duke i vënë pikë bisedës Arjani.












Kriza

- Ngelëm nëpër kësolle, – i foli gruaja, – tek i sillte kafenë në mëngjes.
- Epo ç’ti bësh, kur vinë të 50 –tat fillojnë dhe vdesin kushërinjtë e afërt dhe të largët dhe do, apo s’do, je i detyruar të vesh, – iu përgjigj.
Ditët po çmendeshin, muajt u tërbuan prej lajthitjes, ndërsa festat e fundvitit s’po u bënin më përshtypje.
Martesa ishte në krizë, e kishte humbur kuptimin. Ndërkohë larg prej këtej, nga kryeqyteti gjithnjë e më shumë po vinin lajme. Pushtetin e kishin marrë të rinjtë dhe dukej se testosteronin e kishin të lartë se kudo po ndodhnin vrasje, të cilat justifikoheshin me arsye.
Është e natyrshme që të rinjtë të mos jenë dakort me teoritë e baballarëve. Pa e kuptuar po përcanin kombin. Pas detyrimit, që kishin, për të martuar fëmijët, ata, tani kishin ngelur vetëm dhe, jo pak here, edhe grindeshin.
Kishte si detyrim të psoniste.
Një gjiton i tij, gati – gati moshatar, kishte vrarë gruan dhe, kur kishte mbetur, krejtësisht vetëm, sepse fëmijët janë për vete, ishte hedhur edhe vetë nga ballkoni. Pa mbërritur në spital, kishte vdekur. Filloi të pinte, por në mëngjes, kur bëhej esëll, ndihej shumë keq.
Mjerimi është mizerje, fatkeqësi. Nuk hante dot vetëm dhe humbi pusullën.
“Në kohë krize, duhet ndërtuar,” – mendoi, duke i dhënë kurajë vetes.
Njihet në shumë popuj legjenda e lashtë e flijimit të vëllait të vogël, që u shit nga vëllezërit, të cilët vuanin zinë e bukës, apo edhe nuses së vëllait të vogël në mënyrë që ura ose kështjella të ndërtohet që të mos ketë urrejtje, e cila të shkatërron. Ndoshta “urë – urrej” kanë rrënjë të njëjtë. “Urra”, formë brohoritje, gëzimi, pasi ndërtohet ura.
Mori kredi nga banka dhe hapi një fermë kafshësh. Në fermë hapi edhe një kishë, për të flijuar ndonjë kafshë, për të ushqyet të varfërit, ndërkohë, që vetë vendosi të ishte vegjetarian që të mos zëmëronte Zotin.
Ushtronte dhunë mbi kafshët, që kthehej në energji për qytetarët, të cilët i mbante me ushqim. Pa e kuptuar, që kishte rënë në kurth, donte t’i njihej me doemosdo statusi, si rregullator në natyrë. Ai i shikonte që kafshët ishin grabiqare të rrezikshme, që cënonin ekulibrin e natyrës. Ra sëmundje në fermë dhe s’e shmangu dot ndienjën e tiranisë, e kultivuar në gjithë këto vite, krejt pa u kuptuar. Këto grabiqare me oreks të shfrenuar, tani nuk janë më dhe natyra mund të zhvillohet lirisht, derisa të lindi një grabiqar i ri. Në këtë kohë midis, priste se çdo të bëhej më të.
-“Kjo fermë, – mendoi - duhej të vazhdonte, por sa keq që kërkonin të shkatërronin gjithçka. Aty kisha kuaj që pranonin zgjedhën time, në emër të dashurisë, sesa të harboheshin nëpër lëndina, duke u riprodhuar në kaos dhe liri, ashtu sikurse dielli që pranon një trajektore të pavetëdijshme në galaktikë, gjë që e bën të dobishëm. Po, për mua vallë, ç’mendon Zoti? Po, sigurisht, ai që është i drejtë është edhe në kurth dhe mua më pëlqen që të vëzhgoj. Të vëzhgoj dhe, njëkohësisht, të shkatërroj.
A ka një ekulibër mes dhunës e dashurisë?
Pa dyshim, mbijetesa në kushte rreziku, përbën evolucion”.
Kur kishte fermën gjithë komuniteti e respektonte. Tani vinte re se, të gjithë ata tipa të dashuruar me momentin, ishin të suksesshëm, si diktatorë të vegjël. Nuk e pranonte realitetin dhe jetonte në një botë iluzionesh të humbura. Ngeli vetëm. Vetëm edhe atëherë, si dikur në kohërat që s’mbahen mend, por edhe tani.
Megjithatë, kjo vetmi i jepte fuqi. Një lumturi konfuze e bëri të përlotej. Ndodhej në udhëkryq, mes jetës dhe vdekjes.







MBIJETESA E ËNDRRËS
Kaloi nga tregu. Bleu një kalendar dhe, kur vajti në shtëpi i lodhur nga pesha e viteve, bashkë me ato që kishte psonisur, mendoi se ky vit, që po vinte ishte edhe i fundit për të.
Kishte mbi 20 vjet që errësira, dalngadalë, me një sulm sistematik po sulmonte jetën e tij. Me sa dukej, e kishte të humbur luftën. Mbështetem tek instikti i jetës, i cili më bën edhe të verbër. Mbështetem te dashuria dhe jo urrejtja. Jam i arsyeshëm. Por, nga ana tjetër, vdekja ime është një gjë e mirë: sigurisht për të tjerët. Sado të luftoj, fundi dihet: është një për të gjithë. Bota po jetonte kohën e demokracisë me një shtet teknokratësh, ku idealizmi ishte demode dhe i dalë mode. Shekuj me radhë demokracia ka qenë një ëndërr. Zoti e kishte bekuar me fëmijë, të cilët ia zbardhnin pleqërinë.
- Familja është e shenjtë, - mendoi.
Kudo të planetin tokë, si trashëgimtare e university, mbizotëron seksi. Njeriu, si projekt, është edhe mbetet materie. Çfarë ka pas erës njerëzore në univers? Arinjtë, tigrat, peshkaqenët i sulmojnë të vegjlit, duke i nxitur femrat nëna, të çiftohen sërisht. Por, këto të fundit, i shmangen dhe, njëkohësisht, i mbrojnë të vegjëlit, i mësojnë. Në planetin tokë, në univers, ka lindur jeta dhe dihet se jeta ka të bëjë me femrën. Ndërkohë, që universi është një botë mashkullore. Megjithëse midis së resë dhe së vjetrës ka vazhdimisht luftë, përpiqem të jem i dobishëm. Në fund të fundit, në një martesë midis këtij instikti të çmendur seksual dhe ndërgjegjes, ka llogjikë e vullnet. E gjitha kjo në emër të jetës. Kur mendimi fillon dhe lulëzon instikti, duhet të bëjë një hap pas. Ky është i vetmi kusht që mendimi të përparojë. Pa eksperiencë, s’ka mendim. Që të gjithë njerëzit e mëdhenj kanë pasur, si ëndërr fillestare, një lumturi borgjeze. Vetëm, në sajë të katarsisit, kanë arritur ëndrrat e synuara. Vetëm, duke u ndeshur mendimi shndërrohet në ndërgjegje. Kjo aspiratë është njëkohësisht mbijetesa e ndërgjegjes. Dalja nga ky plan i dytë në plan të parë është realizimi i objektivave për një botë më të mirë. Orjentimi drejt këtij ideali, do të thotë të luftosh për të ndërtuar të pashkatërrueshmen. Kjo akt –marrëveshje deklamon se në horizont do të lindi gjithmonë një mëngjes i ri.


MONOLOG

Natë. Kaos. Boshllëk. Më duhet të pohoj se, megjithëse, kam vendosur të shpik universin, ligjet e tij të fizikës janë jashtë kontrollit tim. Nëna ime është Asgjëja. Në këtë univers, i cili është i destinuar të shkatërrohet, fatkeqësisht lindi një planet, në të cilin ka jetë. Aty po zhvillohet dija, janë hapur universitete, është zhvilluar teknologjia, bujqësia, blektoria dhe po bëhen përpjekje titanike për kujtesën. Po luftohet koha, pavetëdija, krimi, kriza dhe kotësia. E gjitha kjo, në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të shenjtë. Por është djali që ka në dorë gjithçka. Nga boshllëku, zbrazëtia, lindi pasioni, i cili nuk është gjë tjetër, vecse pasioni seksual dhe më vonë kotësia. Rreth vicioz, ku gjithçka është e rrethuar prej gënjeshtrës. Ky univers është i destinuar të plaket dhe kur të shkatërrohet, se kam ende të qartë, nëse do të jem i aftë të shpik një të ri. Por kjo varet prej moshës sime. Fati i këtij universi është shkruar shumë kohë para se të lindte. Ndoshta Asgjëja do të lindi një univers të ri. Ndoshta fatin e tij mund ta shpëtojë dashuria dhe e vërteta, dija. Sigurisht, në këtë mes fitoj edhe unë. Kjo luftë, ashtu, si dera e varrezave, ngelet e hapur. A ka një shans të dytë për Asgjënë. A do të përfitohet përsëri energji nga Asgjëja? Po ç’mund të presësh përsëri prej saj po nuk evoloi. Por edhe njeriu ç’mund të bëjë pa ndihmë. Në njërën anë të peshores, kemi boshllëkun, seksin që shndërohet në kotësi dhe, nga ana tjetër, dashurinë e përjetshme, të vërtetën, absoluten, dijen. Nga ana tjetër, pa njohur gënjeshtrën, s’arrin kurrë tek e vërteta. Ndaj të luftosh për të drejtën është e vetmja vlerë që i jep kuptim ekzistencës, pavarësisht sakrificave të panumërta. Superprodhimi i së mirës lind automatikisht të keqen. Ky është një rrugëtim që të mirën ta trashëgojnë brezat. Forcimi i vetëdijes sjell mos përsëritjen e së keqes, pra ndërtimin e një materie të re dhe funksionimin e një demokracie të vërtetë, ku dashuria shijohet deri në kockë. Shpresa është naive, ndaj duhet të njohë rrezikun, nëse do të lulëzojë.
“Kështu jeta ime i shpëton komedisë dhe merr një kuptim të madh”
Në luftën midis së mirës dhe të keqes, dikush duhet të jetë protagonist.
Ky evoluim shënon shpresën e Asgjësë, sepse, pas shkatërrimit të Universit, pashmangërisht dhe përfundimisht do të shkatërrohet dhe Asgjëja. Që të lindi një Univers i ri, vezë kozmike e re, gravitet, pak të ngjarë ka. Pas bashkimit me Andromedën, i cili është dhe pasioni i dytë, vjen menopauza, epokë , që s’ka të bëjë me ëndrrat. Që pas një Universi gjithmonë të ndërtohet një i ri, kjo është e çuditshme dhe s’ka kuptim. Të bësh një fëmijë me njeriun që dashuron është gjëja më e bukur.



PASQYRA VRASTARE


“ Sa e bukur që jam” - mendoi, duke vështruar veten në pasqyrë.
Ishte e dashuruar me imazhin e vet. Kur je i lumtur, momenti ikën, pa e kuptuar, ndërkohë që mendimet, ia kushton së ardhmes. Dashuronte, si e marrë jetën. Energjia pozitive e shndërruar në eksperiencë nostalgjike, është lumturi. Nuk e mendonte dot veten, në një realitet, pa pasqyrën. E kishte si shoqe. Pasqyra i jepte fuqi, energji pozitive. Megjithëse, po merrte rrugën e viktimës. Nuk e dinte se ajo copë xhami kishte për ta shkatërruar. Megjithatë, gëzohet, kur më sheh, por çfarë do të bëjë pa mua. Një ditë do të plakej dhe ajo copë qelqi do t’i thoshte të vërtetën.
- S’jam dritëshkurtër, – komentoi këtë kumt të pasqyrës.
Atëherë, ajo copë qelqi nuk do t’i duhej më, do të kishte kujtime të shndërruara në plagë. Nganjëherë, kur kujtonte rininë qante, që ta prekte. Kur të vdiste ajo copë qelqi, do të filmonte, rregjistronte me këmbëngulje vdekjen e saj dhe, atëherë, vajmedet. Pasqyrë vdekjeje, gjithçka e kotë. Por vdekja e saj do të shkatërronte dhe pasqyrën. Kë do të rrënonte pastaj? Një vit pas zisë, fëmijët me shpresën e marrë të ringjalljes, porositën një statujë të artë dhe i ndërtuan një tempull. Dihet që ari është i pashkatërrueshëm dhe asaj i rrezatonte vështrimin bashkë me trupin një dritë të pëlhurtë floriri, ashtu siç e mbajnë mend të gjithë në ditët më të mira. Monument i përhershëm që përhapte dashuri në formë arome.
Ç‘kuptim ka koha para saj? Për një periudhë të gjatë admiruan njëra – tjetrën, pa e ditur që shikonin vetveten. Një ditë pasqyra do të thyhej në 400 copa dhe, pas këtij karshillëku, ndoshta, do të jetë fundi i gjithçkaje. Copë qelqi e thyeshme dashurie që nuk u shndërrua dot kurrë në kujtesë. Tingëllimi i thyerjes në hapësirën e shurdhët. Triumfi dhe shtatërrimi i “unit”.





AKSIDENTI

Sot kishte ditelindjen. Mbushte 44 vjeç dhe hynte për 45. Mblodhi gjithë farefisin, shokët dhe e festoi.
Ishte i emocionuar se i sollën dhuratë një makinë të re. Nuk e fshehte dot gëzimin. Kishte kaluar një periudhë të gjatë stresi dhe gjithçka i dukej e pakuptimtë.
“Ndoshta, ky gëzim më vjen prej wiskit, “ – mendoi.
Duke ditur që paraja të shkatërronte, gjendjen financiare s’e kishte te keqe. Jeta vazhdonte e qetë me lindje, dasma, vdekje, burgosje.
Mori makinën ta përuronte, krejt i dehur prej gëzimit. Shkeli gazin deri në fund. Ngriti kokën drejt qiellit dhe u trondit nga ajo që pa.
“I njëjti qiell, pohoi, si para 20-30 vjetësh, gjithashtu dhe gjithçka në qytet”.
Në këtë momet u kryqëzua me nje maunë; u hutua nuk reagoi, si duket dhe përfundoi në kanal.
Ra në pavetëdije. Padashur, gjatë rrotullimeve, kishte aktivizuar celularin dhe heshtja e tij shqetësoi familjen.
Erdhi autoambulanca dhe, si fillim, përpara operacionit, e futën në terapi intensive. Gjithë familja ndodhej në spital, tejet e shqetësuar.
Nuk po dilte dot nga kllapia dhe, kur i vunë narkozën, ishte, si një vdekje e dytë, për të.
“Këtu je në parajsë, “- iu bë prezente Vdekja.
“Jam mirë këtu. Nuk dua të iki, ”- iu përgjigj.
Në atë moment, iu kujtua, përpara syve, gjithë jeta. Vdekja e shikoi në mënyrë tinzare dhe i komunkoi: “Edhe po u shërove, zilia, urrejtja, pesha e armiqësisë, pleqëria kanë për të sjellë tek unë. Dorëzohu! S’ke perspektive…”.
Vazhduan për një kohë të gjatë bisedën me këtë temë, në mënyrë të çrregullt dhe kaotike, ai duke u dridhur, kurse ajo krejt e ftohtë.
Ju kujtua fëmijëria. Në këtë pragvdekje, iu ndezën mendimet flakë. S’ e kuptonte këtë arsye, pikërisht tani, që e kishte punën pisk.
“Po vdiqa, nuk do të shoh më, dhe, si rezultat, nuk do të kuptoj asgjë. Që të kuptosh do frymë dashurie, e cila është e vetmja vlerë për ta jetuar jetën. Vdekja e kësaj ëndrre është fundi i gjithçkaje. Gjithmonë kam luftuar për të drejtën, ndaj kjo kauzë duhet çuar deri në fund, ndërkohë që të vëzhgosh diçka që është gjithmonë në ndryshim, është një art thelbësor. Megjithëse , gjithçka është kotësi, nuk e kuptojmë, nuk jepemi dhe luftojmë deri në fund. Kjo do të thotë të mbijetosh, pavarësisht se, pas përjetëmit të kotësisë, çlirohet vdekja. Jeta ime, që nga dita, kur linda e deri sa të vdes, nuk është në kontrollin tim. Mbreti “Instikt” shpalos me kryelartësi flamurin e tij fitimtar. Pas dhimbjeve, dashurisë së shndërruar në lot, shfaqet një fytyrë e pandjeshme, mospërfillëse, shkatërruese dhe pa shprehje, që të trondit , kur e sheh, sepse idealet nuk janë gjë tjetër, veçse brazda mbi lëkurë të rreshkur, ku kujtesa është fshirë, duke kryer biznes, i cili edhe e ka deformuar. Mund i shkuar dëm, nëse këto ideale nuk materializohen, ashtu sikundërse u materializua femra.
Vetëm kështu ka kuptim e ardhmja.
Kishte qenë i prapë. Atëherë zotëronte një trup dhe shokë dhe shkonte në shkollë. Më shumë luante, sesa mësonte. Po ç’lidhje kishte ajo kohë me të tanishmen, sidomos me trupin që zotëronte tani? Më vonë kishte rënë në dashuri. Po bashkë me shokët, me trupin e tij, kishte ndryshuar gjithçka edhe shoqëria. U bë njësh me mendimet. Sa keq që s’kishte pasë kurrë kaq kohë për t’u menduar. Donte vetëm të mendonte me shpresën e ndryshimit, qoftë edhe të shërimit.
“Po sa mund ta ndryshojnë mendimet, librat botën?... Por, edhe nëse dal nga reanimacioni, ç’gëzim më pret me këtë trup, këtë shoqëri, këtë botë? Gjysma e jetës ka kaluar dhe si mund të jem vetvetja në të ardhmen?”- pyeti veten.
“Ç’fitim do të ketë vdekja me vdekjen time? Ndoshta, më nxit për të jetuar, ndoshta është çështje instiktive që s’ka të bëjë me mendimin. Vdekja është një pasion i fuqishëm që, pasi të shkatërrojë gjithçka, tashmë, e kuptonte se nuk kishte një ide të qartë për veten, se çfarë do të bëhej me të”.
Universi nuk është veçse një praktikë e thjeshtësi puna e Revolucionit që ha bijtë e vet. Po nëse revolucioni kërkon të shpëtojë Krijuesin e vet?
Kështu nuk digjet e ardhmja dhe shpëtohet trashëgimia e vyer e ndërgjegjes. Njeriu sakrifikon në emër të shpresës dhe, nëse lufton deri në fund, pa shitur kënd, kjo është një vlerë, e cila e bën jetën më të qetë dhe fundin e bukur.
Që ëndrrat të mbijetojnë duhet që gjithmonë dikush të vdesë për to.
*
Nuk u mor vesh sa kohë kaloi, kur kuptoi se po bënte banjë me ujë të ngrohtë. Poret
thithnin oksigjenin me gulshe. Një frymëmarrje, si mesazh dashurie, i shpërndante në të gjithë trupin. Oksigjeni që thithte i jepte përshtypjen e një mëngjesi pranveror.
Ndjeu një pranverë të përgjithshme në trup, lumturi transparente, magjike. Donte të ikte andej. Kaloi vrulltazi pranë njerëzve të familjes, rrëmbeu një aparat fotografik dhe u nis.
“Unë nuk mund të humbas shansin e dytë, - mendoi, - jetën e re”.
Kjo deklaratë ishte një akt lufte. Mjekët e kuptuan që nuk po dorëzohej dhe, ashtu të djersitur, dhanë maksimumin. Më së fundi, këta mjekë heronj e sollën përsëri në jetë. Ia komunikuan familjes suksesin e operacionit.
Ky aksident e mësoi si të jetojë jetën, sepse ajo ishte e shenjtë.
Ia kushtoi jetën familjes dhe ishte vazhdimisht i shqetësuar për një të ardhme më të mirë. Megjithëse, këto përpjekje ishin tepër modeste, sepse dihet që lumturia e familjes ka emocione të shumfishta, kjo jetë, tepër tradicionale, ishte shumë e vështirë në kohët moderne.
Nuk kishte më arsye pse të pinte duhan , sepse jeta e re është : Ndërgjegje. Kjo tendencë shpreh statusin e një udhëheqje shpirtërore, sjellje, e cila të nderon dhe që ka përbrenda një durim stoik. Familja është sakrificë, një ndjeshmëri kjo, pa të cilën, nuk ka të ardhme. Kjo dashuri ka besën dhe është e shoqëruar me paqe të përjetshme, çlirim energjie positive, plot vetëdije dhe art.
Kjo është gjuha e së ardhmes e shkruar tërësisht me gjak në një libër hyjnor.
Para dashurisë dorëzohesh pa kushte , sidomos , kur ke njohur vdekjen.
Por kjo dashuri e vonë që ka për ilaç sinqeritetin, s’është veçse një ngushëllim, të cilin s’ka mjekësi që e shëron.













Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://kristaniada.tripod.com  http://pegasialwriters.tripod.com
 
Koha e Urrejtjes
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Bashkimi Kombëtar :: Arti dhe kultura :: Gjuha dhe Letërsia Shqiptare-
Kërce tek: