Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...



 
ForumForum  PortalliPortalli  GalleryGallery  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

Share
 

 DR. AGIM SERHATI - NJË DOKTOR MARTIR...

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Mexhid Yvejsi
Anëtar
Anëtar
Mexhid Yvejsi

Male
Numri i postimeve : 429
Age : 69
Vendi : Gjakovë, Kosovë
Registration date : 04/05/2009

DR. AGIM SERHATI - NJË DOKTOR MARTIR... Empty
MesazhTitulli: DR. AGIM SERHATI - NJË DOKTOR MARTIR...   DR. AGIM SERHATI - NJË DOKTOR MARTIR... EmptyThu Feb 14, 2013 9:40 pm

DR. AGIM (SADIK) SERHATI –
NJË DOKTOR MARTIR,
NË SHËRBIM TË ZOTIT,
NË SHËRBIM TË POPULLIT!
(Përkujtim në 20-të vjetorin e vdekjes)
(1993-2013)

Gjakova është një qytet i veçantë, të veçantë i ka edhe disa personalite që ka nxjerrë ky qytet gjatë shekujve në fusha të ndryshme jetësore, gjatë jetës së përkohshme tokësore.
Të dhënat e para për Gjakovën si qytet i kemi nga udhëpërshkruesi i madh osman, Evlia Çelebiu, i cili e vizitoi Gjakovën në vitin 1662, ku ndër të tjera, në kujtimet, shënimet e veta, shkruan:
“Gjakova i ka dy mijë shtëpi të stolisura që ndodhen mbi një fushë të gjërë. Ka dy xhami të bukura, mesxhide (xhami të vogla), hane të mbuluara me plumb. Ka një hamam të bukur që të kënaqë zemrën dhe nja treqind dyqane të ndryshme, të mbushura me mallra e me njëmijë lloj mjeshtrish. Meqë e ka klimën e këndshme, banorët janë të bukur dhe të dashur!”
Dyqind vjet pas Evlia Çelebiut, dijetari, atdhetari, ideologu kryesor i Zgjimit Kombëtar, Sami Frasheri (1850 – 1904), në kryeveprën e tij Kamus al Alam, botuar me 1889, në faqen 4.787 të vëllimit të VI-të, për Gjakovën, ndër të tjera, shkruan:
“Në Gjakovë ka 16 xhami, dy medrese, një shkollë ruzhdie dhe disa mektebe, një bibliotekë, kishë dhe mekteb të veçantë për katolikë e orthodoksë. Ka afro 1000 dyqane, ka bujtina e banjo publike. Popullsia e Gjakovës është e njohur për ruajtjen e traditave dhe kanë prirje për tregti e zejtari. Është popull guximtar dhe i aftë për armë. Nga gjiri i këtij qyteti ka pasur gjithmonë dijetarë të dëgjuar e myderrizë…”
Për qytetin e Gjakovës, me popullsi që ishte e njohur për ruajtjen e traditave, që kishte prirje për tregti e zejtari, me burra guximtarë, të aftë për armë, me banorë të bukur e të dashur, me dijetarë të dëgjuar e myderrizë, kanë shkruar edhe shumë dijetarë të tjerë në Lindje; kanë shkruar edhe shumë dijetarë, misionarë, historianë, shkencëtarë aq më shumë në Perëndim, siç janë Mylleri, Nopça, Hekardi, Mehju etj.
Ndër personalitet të ndyshme të Gjakovës, në shërbim të Zotit, të popullit, hyn, pa dyshim edhe dr.Agim S.Serhati.

Kush ishte dr. Agim S. Serhati?

Agim Serhati vjen nga një familje intelektuale gjakovare, një familje besimtare, bujare, atdhetare, është djali i Sadik Serhatit nga Gjakova, është nipi i Emin Serhatit, po nga Gjakova, një burrë intelektual, zotni, i njohur në tërë Gjakovën e përtej...
Djali i Emin Agës, Sadiku Aga, siç e quanin, qysh në moshën 18 vjeçare kishte punue si nëpunës në Ambasadën e Mbretërisë Shqiptare në Beograd, gjatë viteve 1933-1936, pranë ambasadorit shqiptar z.Rauf Fico (1881-1944) i cili ishte ndër intelektualët, atdhetarët, diplomatët më të shquar të shtetit shqiptar që nga themelimi i tij me 20 Nëntor 1912...
Sadik Aga ka lënë shtatë fëmijë, katër djem e tri vajza, të shtatë fëmijët kanë krye fakultete. Agimi është djali i dytë prej katër djemve, është fëmija i dytë edhe prej shtatë fëmijve, por ishte i pari në mësime, në studime, në veprimtarinë e tij përplotë njerëzi...!
Agim S. Serhati lindi më 11 shkurt 1947, në mëhallën e “Haxhi Ymerit” në Gjakovë, ku kreu tetëvjeçarën dhe shkollën e mesme, Gjimnazin, me rezultate të shkëlqyeshme.
Në vitin 1966 regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb, Kroaci, ku diplomoi në kohë rekord, në vitin 1971.
Pas diplomimit në afat rekord, kthehet në vendlindje, Gjakovë, ku punësohet si mjek i praksës së përgjithshme në Spitalin e Gjakovës apo në Q.M “Isa Grezda”. Gjatë shërbimit si mjek në Spitalin e Gjakovës, dr.Agimi, edhe pse i ri, aty u vërejtën aftësitë e tij...!
Në vitin 1972, sapo kishte mbushur një vit përvoj pune, dr. Agimi tregoi dëshmoi, jo vetëm aftësitë e tij, por edhe qëndrimin e tij të papërkulur, luftarak, ndaj sëmundjes Variola Vera, ku qëndoi si vullnetar pranë të sëmurëve për afër gjashtë muaj në Spitalin e mbyllur, karantinë, të Gjakovës, ku dha një kontribut të madh, u kujtue ndër vite, kujtohet sot e kësaj dite...!
Si rezultat i kësaj përvoje, edhe pse të hidhur, dr.Agim Serhati dha një kontribut të çmueshëm, të paharrueshëm, duke hartuar librin Universitar “Variola” si bashkautor, njëkohësisht ishte edhe bashkëpunëtor shkencor i firmës së njohur sllovene për prodhimin e barërave “Krka”.
Aftësitë e Agim Serhatit ishin përcjellur qysh kur ishte student në Zagreb, një student i shoqërueshëm, por në studime i pakrahasueshëm. Për suksesin e tij gjatë studimeve, Shoqata Ndërkombëtare e Shëndetësisë ia kishte ofrue bursën pas-universitare nga lëmia e toksikologjisë, por ai e kishte refuzue...!
Pas afër shtatë vjetëve përvojë pune, si mjek i praksës së përgjithëshme, dr.Agimi S.Serhati, në vitin 1978 specializoi në Beograd, ku ishte më i shquari, më i dalluari, prej specialistëve të rinj në internistikë.
Pas specializimit në Beograd, dr. Agimi u kthye në Gjakovë, ku filloi menjëherë shërbimin e tij në Spitalin e Gjakovës. Deri në vitin 1981, në Spitalin e Gjakovës kishte vetëm dy specialistë të internistikës, dr. Osman Hoxha dhe dr. Agim S. Serhati, të cilët, që të dy, shërbyen me përkushtim, jo vetëm të sëmurëve nga Gjakova me rrethinë, por edhe nga Rahoveci me rrethinë e deri në Klinë!
Pas vitit 1981, për shkaqet që dihen, Kosova e shqiptarët që sapo kishin fituar pakëz të drejta në shtetin e quajtur Jugosllavi, filluan këto të drejta t’i humbin një nga një...
Helmimet e rinisë shqiptare në Kosovë në pranverën e vitit 1990, të shkaktuara nga shërbimet sekrete serbe, përbëjnë një ndër periudhat më të dhimbshme që ka përjetuar populli shqiptar gjatë pushtimit gjatë 100 vjeçar serb, deri në atë kohë..
Qëndrimi zyrtar i pushtuesve serbë lidhur më këtë krim të bërë nga shërbimet shtetërore, ka qenë jo vetëm cinik por edhe ofendues. Të gjithë mjekët shqiptarë që ua dhanë ndihmën fëmijëve të helmuar u akuzuan nga mjekët serbë, si të paaftë dhe në shërbim të strukturave nacionaliste dhe irredentiste shqiptare në Kosovë.
Kurse për nxënësit, për fëmijët e helmuar, mjekët serbë i quajtën “aktorë të Kanës”!
Sikur në vitin 1972, me rastin e sëmurjes Variola Vera, ku dr. Agimi ishte dalluar në shërbim të popullit, duke u mbyllur vullnetarisht në Spital të Gjakovës për gjashtë muaj, ashtu edhe me rastin e helmimeve në pranverën e vitit 1990 të rinisë shqiptare, dha kontributin tij aq sa të gjithë ishin dëshmitarë me sy, në veçanti ajo që quhej polici....!
Më 9 korrik 1992 policia e kërkonte dr. Agimin kudo, më në fund e gjeti në shtëpi, me dhunë e arrestuan, aty pranë tek “Metaliku” i vjetër, natën, e torturuan deri në alavinosje...! Nga pasojat e këtyre torturave të policisë, dr. Agimi S.Serhati, pas shtatë muajve ndrroi jetë, kaloi në jetën e vërtetë, në moshën 46 vjeçare, në shërbim të Zotit, të popullit, të çështjes shqiptare...!

Mexhid YVEJSI, Gjakovë
Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
DR. AGIM SERHATI - NJË DOKTOR MARTIR...
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Bashkimi Kombëtar :: Shqiptarët-
Kërce tek: