Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...



 
ForumForum  PortalliPortalli  GalleryGallery  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

Share
 

 Gjashtëdhjetëeteta - dasmë e madhe llapjane I.

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Andi Ballshi
Fillestar/e
Fillestar/e
Andi Ballshi

Male
Numri i postimeve : 50
Age : 59
Vendi : Prishtine
Registration date : 03/09/2009

Gjashtëdhjetëeteta - dasmë e madhe llapjane I. Empty
MesazhTitulli: Gjashtëdhjetëeteta - dasmë e madhe llapjane I.   Gjashtëdhjetëeteta - dasmë e madhe llapjane I. EmptyTue May 18, 2010 11:50 pm



Gjashtëdhjetëeteta - dasmë e madhe llapjane

Edhe një herë për organizimin e demonstratave ’68 në Podjevë (Me rastin e 41-vjetorit)

Jo vetëm atyre që ranë në ballë për lirinë e Kosovës historike dhe Dardaninë antike por edhe atyre që vdiqën me mallë pa e pritur lirinë

Shkruan: Abdullah Nishefci
Postoi: Andi Ballshi


REZISTENCA E LLAPJANËVE


LNÇ-në e filluam si popull, por e mbaruam si pakicë Kombëtare

Tashmë saherë është shkruar e vërtetuar se LNÇ-ja shqiptarëve nuk ua solli lirinë aq të pritur, për të cilën kishin luftuar me shekuj. Historiani Tahir Abdyli, shkruan se shqiptarët e Kosovës LNÇ-në e filluan si popull, por e mbaruan si pakicë kombëtare. Edhe kësaj here shqiptarët u mashtruan. Edhe pas kësaj lufte, në të cilën dhanë shumë viktima, shqiptarët mbetën të ndarë, të përçarë, e të shpërndarë nëpër shtete, republika e krahina. Idealet, dëshirat dhe shpresat e rilindasve- të Lidhjes së Prizrenit, të Konferencës së Bujanit, për bashkim kombëtar nuk u realizuan.Për shqiptarët, si shumë herë më parë, vendosën të tjerë, pa përfillur fare vullnetin e tyre, në Berlin, Londër, Paris, Moskë e Beograd.

Në Llap, ashtu si në mbarë Kosovën dhe në viset tjera ku jetojnë shqiptarët, herët u kuptua se edhe komunizmi ua bëri me hile, ua punoi me dredhi. Ende pa u ftohur tytat e pushkëve, që s’kishin pushuar kurrë kundër armiqve të ndryshëm, llapjanët, ashtu si të gjithë shqiptarët në trojet e veta, u detyruan të dalin përsëri në mal, që ta luftojnë e ta vrasin tradhtinë. Historia shqiptare vetëm vazhdoi të përsëritet. Golgota shqiptare nuk u shua, por u thellua dhe thollohej vazhdimisht. Pra, edhe pas të ashtuquajturit çlirim, ndaj shqiptarëve vazhdoi e njejta politkë, që ishte kundër çdo gjëje shqiptare si në kohën sulltanëve, si në kohën e kralave, si në kohën e bugarit, si në kohën e fashizmit. Politika zhandare tash zëvedësohet me atë policore e ushtarake. Armiku i vjetër kishte ndryshuar vetëm rrobat, lëkurën, metodat e gjenocidit, ndërsa qëllimi kishte mbetur i njëjtë. Njësoj kishin vazhdur përndjekjet, burgosjet, torturat psikike e fizike dhe pushkatimet. Shumë llapjanë i zinte nata por nuk i çilte dita. Në rradhë të parë, siç shkruan historiani Hakif Bajrami, ishin shqiptarët me influencë, që duhej të pushkatoheshn në prani të popullit, ndërsa vendpushkatimet, ashtu siç ishte Taukbashçja në Prishtinë, e Varret e Moravës në Gjilan, në Podjevë vendpushkatimi ishte te “Tabet e Llapashticës”. Pushkatimet shumë bëheshin edhe natën, pa kurrfarë gjykimesh. Kështu ishin pushkatuar Hoxhë Visoka, alias Shaqir Halili e Ali Ahemti, dy intelektualë e atdhetarë të njohur të kësaj ane, që as sot nuk u dihen varret. Jahja Fusha u mbyt në burgun e Prishtinës nga torturat më barbare. Mulla Ramë Govori e anëtarë të tjerë të NDSH-së, si vëllezërit Mulla Hysen e Vesel Statofci me nipin e tyre Rrustemin, Ramadan Ajvazi etj, u dënuan me pushkatim e burgim të gjatë e të përjetshëm. Këtë fat e patën edhe shumë llapjanë të tjerë si Selim Obrança e Ismail Ajeti-Bushi, i cili dy herë u dënua me vdekje. Musli Dumoshit, vritete në tradhti, në sofër të bukës... Por lufta më e paskrupullt u bë kundër intelektualëv, filizave të arsimit. Kështu vazhdoi gjer më 1966, për të pushuar pakës sa për të marrë hov të ri në vitet e tetëdhjeta e nëntëdhjeta.

Vitet e përpjekjeve për formimin e grupeve ilegale

Megjithë kurthet dhe dhunën e vazhduar Llapi nuk u dorëzua. Përveç NDSH-ës, që kishte vepruar menjëherë pas “çlirimit “(gjat luftës dhe pas luftës), në Llap ashtu si në të gjitha viset tjera shqiptare, ishin formuar dhe vepronin edhe shumë organizata të tjera ilegale.

Lidhur me rezistencën politike shqiptare në Llap, në Librin “Llapi gjatë historisë” të dr. Fehmi Pushkollit, shihet se që nga vitet e dyzeta, deri në vitin 1968, gati në çdo 2-3 vjet, në Llap, ishin bërë përpjekje për formomin ose ishin formuar grupe, siç i quante UDB-ja organizatat atdhetare. “Sa burgosej një grup e fillonte punën grupi tjetër” thekson dr. Pushkolli, që sipas tij, nga viti 1945 deri në vitin 1968, ishin zbuluar dhe dënuar, këto grupe:

Grupet e zbuluara dhe të dënuara -

1945/46 u zbulua Grupi i Halil Visokës;

1946 u zbulua veprimtaria e Komitetit të rrethit të NDSH-së në Llap, (ishte formuar 1945;

1952 NDSH-ja (themeluar më 28 Nëntor, 1949, në Obrançë;

1954 zbulohet organizata politike e formuar nga Nazmi Ejupi, Riza Musliu e Halil Feta;

1956 burgoset Shaban Shala me grupin e tij;

1959 zbulohet organizata patriotike e Sabit Kapitit, (për së dyti);

1962 përsëri burgoset dhe dënohet Shaban Shala (vdes në burgun e Prishtinës, më 20 janar 1963, po atë ditë që duhej të lirohej,);

Më 1964 zbulohet dhe dënohet Lëvizja Revolucionare e Bashkimit të Shqiptarëve (LRBSH) e Adem Demaçit, dhe në vitin 1968 demonstratat e 27 nëntorit.

Demonstratat e 27 Nëntorit 1968- Një hallkë e rëndësishme në vargonjtë e historis dhe së traditës sonë

Për demonstrata e 68-shit, si një lëvizje gjithëkosovare, që është një hallkë e rëndësishme në vargonjtë e historisë dhe së traditës sonë të lavdishme kombëtare, ishim mësuar të dëgjojmë e të lexojmë vetëm sipas gjuhës zyrtare të Beogradit, gjuhë e propogandës kundërshqiptare serbe, “Gjuhë të cilën, siç u theksua me të drejtë, e kishte pranuar si gjuhë të veten edhe udhëheqësia politike kosovare”.Mbi kushtet dhe rrethanat, nën të cilat u organizuan këto demonstrata, si dhe karakterin e tyre kombëtar, të parët shkruan dy nga organizatorët kryesorë të tyre, Selatin Novosella dhe Adil Pireva. I pari shkroi në revistën “Koha”, ndërsa i dyti në gazetën “Bashkimi”. Adili, më 1994, botoi librin: Gjashtëdhjetëeteta Shqiptare, ndërsa Selatini disa fejtone dhe monografinë “Kosova ‘68”. Pati edhe disa shkrime në formë të memoareve dhe intervista...

68-ta, sipas mendimit tim, nga disa injorohet, nga të tjerët stërmadhohet. As nga historianët, as nga politikanët, nuk ka zënë vendin e merituar. Dr. Fehmi Pushkolli, në librin “Llapi gjatë historisë”, Prishtinë, 1998, këtyre ngjarjeve ua kushton 3-4 faqe, dhe fare pak dallon nga shkrimet e Selatin Novosellës, (kur është fjala pë organizimin e demonstratave në Podjevë, a.n.). Mendoj se e ka me të drejtë sa i për ket Ismail Dumoshit, që vërtetë ishte ideatori dhe motori i gjithë lëvizjes së viteve të 60-80-ta… Sheradin BERISHA, demonstratave në Besianë (ish-Podujevë), në fejtonin, Nëntor 2005, në gazetën “Zëri”, ua kushton disa rreshta, ku ka të vërteta, gjysmë të vërteta, por edhe të pavërteta. Historianët tanë mendoj iu mbetën borxh. Historia jonë demonstratave të 68-shit nuk ua dha vendin e merituar...

Unë, në këtë vështrim, duke u mbështetur në disa kujtime të mia, por edhe të shokëve, e duke iu përmbajtur porosisë së Isokratit: Nuk duhet të heqim dorë nga tema për të cilat kanë folur të tjerët, po të mundohemi t’i zhvillojmë më mirë se ata…” synoj që sa do pak, të ndriçoj disa momente, rrethana dhe atmosferën politike e shoqërore në Llap, para dhe pas Plenumit të zhurmshëm të Brioneve /66, që mendoj, krahas disa ngjarjeve edhe më të hershme, i paraprijnë organizimit të demonstratave të 27 Nëntorit 1968 në Podjevë. (Synimi, qëllimi im nuk është që t’i zhvilloj (të shkruaj) më mirë se ata që shkruan për këto ngjarje, që edhe ata ishin, jo vetëm dëshmitarë por edhe ideatorë dhe kreatorë të këtyre ngjarjeve, por të plotësoj për disa momente që janë lënë përgjysmë ose nuk janë përmendur fare, si dëshmitar i drejtpërdrejtë edhe unë i këtyre ngjarjeve).

Në Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, bënin pjesë edhe shumë llapjanë, si Azem Beqiri, Zeqir Gërvalla, Abdyl Lahu, Enver Mehmeti-Gërguri, Hazir Shala, Elhame Shala, Sabit Retkoceri, Selman Berisha, e të tjerë. Anëtarë të LRBSH-së, kishin qenë edhe llapjanët Nazmi Sejdiu, Sallah Ademi e Bajram Nishefci, të cilët, falë qëndresës titanike të Azem Beqirit, Zeqir Gërvallës dhe Sabit Retkocerit, nuk ishin zbuluar. Këta tre dhanë një ndihmesë të madhe në organizimin e demonstratave të 68-shit në Podjevë, por edhe më gjërë. Edhe disa të tjerë individualisht, nga dëshira dhe, duke ndier njëfar borxhi ndaj të të burgosurve, si Xhafer e Bislim Ejupi, pas burgosjes së anëtarëv të kësaj Organizata organizuan aksione të veçanta, duke vendosur flamuj nepër disa vende në Llap.


PLENUMI I BRIONEVE NJË MASHTRIM TJETËR (Ne ishim një brez i iluzioneve)

Plenumi i Brioneve: një mashtrim tjetër

Për propogandën e fortë sllavokomuniste, me të drejtë u tha se ajo ishte shumë e fortë dhe tërhiqte masat e gjëra ashtu siç tërheq magneti metalet tjera...

Derisa një pjesë e rinisë në fillim kishte njëfarë besimi në pushtetin e “ri” dhe ishte entuziaste, një pjesë e madhe e popullatës që në ditët e para të “çlirimit” e pa se përsëri populli shqiptar u mashtrua dhe ra në kurthet e ngritura me mjeshtri nga shtrukturat shtetërore sllavokomuniste. “Ne ishim një brez i iluzioneve”, do të thotë poeti ynë i shquar, Esad Mekuli, gati pas një gjysmë shekulli, ndërsa porosia kuptimplote e atdhetarit të madh dhe urtakut të njohur të kësaj ane, Bajram Ajvazit, që “Qerren shqiptare kurrë mos ta lidhim pas qerres së shovenizmit sllav”, mbeti një porosi largpamëse, një amanet historik, për brezat e ardhshëm. Sipas kujtimeve të Riza Vokrrit, atdhetari Bajram Ajvazi kishte thënë edhe këtë: Edhe me dreq të mallkuar të bëhemi, a me shkaun kurrë. Ai është i pabesë, është hasmi ynë edhe i kombit edhe i dinit, a më duhet t’i nderojmë si komshi e nuk duhet t’u bëjmë keq, e as t’i urrejmë, edhe ata janë njerëz-kull të Zotit. “Le të vijë kush të dojë veç shkau JO! Ishte një mendim, një dëshirë e të gjithëve; Iljaz Agushi, njëri ndër figurat më të njohura të kombit shqiptar, këshillonte: bashkëpunim më çdo aleatë, përveç serbve, çofshin çetnik apo komunist ata kanë për të tradhtuar dhe për të robëruar popullin shqiptar.

Sadik Tafarshiku, atdhetari e luftëtari i LNÇ, i përndjekuri dhe fymëzuesi e shpërndarësi i librit edhe kur shqipja ishte e ndaluar... lidhur me këto mashtrime, ndër të tjera do të thotë edhe këtë: Të gjithë ne komunistët shqiptarë ishim shumë të mashtruar në ta… (serbët, a.n) edhe pse qysh në 1945 dhe më vonë, sidomos ata që ishin në vende udhëheqëse filluan t’i shohin tradhtitë dhe mashtrimet që i bëheshin popullit shqiptar. Lehtë është të flitet e të merren në gojë ata shqiptarë të cilët kanë qenë të kyçur në PK dhe në disa poste udhëheqëse, por sot është edhe më vështirë për ta bindur dike se gati të gjithë kanë qenë të kyçur për një ardhmëri dhe për të mirën e popullit shqiptar. Ne në këtë vetëbesim shumë ishim mashtuar...

Kurse gjenerallejtanti, Rrahman Pallaku thotë: Në luftën e përbashkët antifashiste ne shqiptarët besojshim se në të ardhmen do të jetonim në paqe me popujt fqinjë, por ky qe një besim naiv për arsye se Serbët ruanin në sirtarët e tyre planet për shfarosjen e shqiptarëve. Ndërsa malësori gjeneral Tomë Berisha thekson se parulla e PKJ për një vëllazërim-bashkim të të gjithë popujve në Jugosllavi, ishte një rrenë, një mashtrim...

Për propogandën e fortë sllavokomuniste, me të drejtë u tha se ajo ishte shumë e fortë dhe tërhiqte masat e gjëra ashtu siç tërheq magneti metalet tjera...

Tubim i zjarrtë në sallën e kinemasë

Është shkruar dhe thënë, se pas Plenumit të të IV të KQ të PKJ, të njohur si Plenumi i Brioneven, kur shovinizmi e hegjemonizmi serb përjetoi një goditje me përmasa jugosllave, edhe Kosovës iu hap një dritare e perspektivës për ringjallje nga gjendja e robërisë dhe shtypjes koloniale. Fadil Hoxha me bashkëmendimtarë... shohin shansin e një rilindjeje dhe avancimi drejt synimeve të barazisë së Kosovës mbi bazën e statusit të një republike në kuadër të Federatës Jugosllave…Duhet pranuar se këto përpjekje rezultuan në përmirësimin e statusit të Kosovës, avancimit të saj në vitin 1974.

Pas këtij Plenumi, vërtetë ndodhën shumë ndryshime. Mund të thuhet se si në mbarë Jugosllavinë titiste, ashtu edhe në Kosovë, pas vitit 1966 u bë një kthesë e madhe por jo aq sa kishin pritur disa, të cilët, siç theksuam edhe më lart, ishin mashtruar si shumë hera tjera gjatë historisë…

Pra, Koha pasbrioniane, (66-68), edhe pse ishte periudha kur përkohësisht dukej se pushoi fryma policore rankoviqiane dhe filloi një frymë paksa më e lehtë për shqiptarët, përkundër arritjes së disa rezultateve, siç u tha më lartë, ishte edhe një mashtrim i madh për shqiptarët… një iluzion, madje edhe eufori te politikanët e kohës se tash, Kosova, fare leht, pa Rankoviqin mund të shpallet republikë... Megjithatë, është e vërtetë se në jetën kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve në Kosovë dhe Jugosllavinë e asaj kohe, ky plenum, pati një rol të rëndësishëm, madje disa edhe e quatën “çlirim të dytë të shqiptarëve”... ”Këto nuk ishin rezultat i PKJ, siç trumbetonin disa politkanë kosovarë, por ishin fryt i rezistencës së të rinjve, popullit, punëtorëve e intelektualëv, meqë edhe në këtë kohë udhëheqës ishin po ata që kishin shërbyer me besnikëri Rankoviqit” konstaton Demaçi, për të vazhduar më poshtë: “Në esencë asgjë nuk kishte ndryshuar. Çdo gjë vazhdonte me të vjertrën, përsëri sundonte klasa burokratike-parazitore. Ndryshimi ishte tash vetëm e dhëna se ajo të shumtën fliste shqip. Në pushtet ishin Fadil Hoxha e Xhavit Nimani me kompaninë e tyre. Ata vazhdonin të punonin ashtu si ishin urdhëruar nga Beogradi. Rezultatet që kishte arritur populli nuk janë meritë e Nimanint, Bakallit apo Shukriut, as e të tjerëve, por ato janë të arritura nga shtytja e rezistencë së popullit, nga vitalitetei i tij dhe nga vendosmëria që treguan rinia, populli, punëtorët e intelektualët… Në vend të atyre që ishin caktuar, zgjedhur, emëruar nga komitetet, UDB-ja e PK-ja rezistuan: studentët, minatorët, mësuesit, nxënësit, punëtorët dhe fshatarët... “ata asgjë nuk flijuan”, përfundon Demaçi.


“Plagën nuk mund ta shërojë ai që e shkakton”, thotë rilindësi ynë i madh, i urti Sami Frashëri.

Enver Hoxha, lidhur me Plenumin e Brioneve do të shkruan: Pas eleminimit të Rankoviçit nga skena politike, duhej që Titoja të lëshonte diçka edhe në Kosovë, siç thuhet nga halli jo nga malli për të kundërbalancuar rrezikun serb-rankoviçian, dhe për të fshehur krimet e tij shovinistë ndaj shqiptarëve, këto t'ia hidhte Rankos dhe vetë të merrte flamurin e liberalizimit. Me një fjalë t'u hidhte hi syve kosovarëve, për t'i qetësuar ca, për t'i mbajtur nën zgjedhë etj. Tash në fund Titoja gjoja u njohu atyre "të drejtën të ngrenë flamurin kombëtar të Shqipërisë"… Prandaj Titoja mendoi ta shuante zjarrin… Milenko Karan shkruan: “Tito ishte mjeshtër i mashtimeve, e nisi me famulltari, duke ia shitur mlyshin e ngordhur për të gjallë, e përfundoi me Çerçilin, kur ia futi një mlysh, por tani politik në xhep…madje edhe Stalinit.... Dinte të premtonte e të mos e mbante premtimin, por këtë e bënte me një farë sharmi, njëfarë naiviteti teatral, për çka, që më parë, në të vërtetë gjysma i falej”.

Për Titon të gjihta mjetet ishin të mira dhe të përdorshme, edhe vetë djalli, nëse mund të ndihmonin në qëllimet e tija, nëse sillnin fitime. Andaj kur të shikohet kjo mjeshtri e tij edhe faji i politkanëve tanë, mendoj është më i vogël. Vërtetë ai dinte të premtonte dhe nuk mashtroi vetëm shqiptarët e papërvojë. Kishte edhe të tillë që heret e kishin kuptuar mjeshtrinë e tij për të premtuar, por nuk kishin rrugë tjetër. Andaj edhe nuk mund të pajtohem se të gjithë politikanët shqiptarë ishin karrieristë dhe se të gjithë, pa përjashtim tradhtuan dhe shikuan vetëm interesat e veta…Me të drejët u tha se Titoja plenumin e Brioneve e organizoi për hesape të veta e jo për shqiptarët. Ai me gjithë shtabin e tij, dinte të shfrytëzonte me mjeshtëri e me dhelpëri politiken aktuale ndërkombëtare për intersa të shtetit jugosllav, andaj me një poltikë të tillë Titoja ishte edhe Mesi edhe Neron, sipas nevojës, zjarrin që ndezte natën e shuante ditën!


Politikani, pseudo intelektuali dhe intelektuali i vakët... (legen)

Megjithatë, përkundër gabimeve dhe mashtrimeve të shumta, përkundër bindjes së shumicës, se Poltikani dhe intelektuali ynë ose ishte tradhtar ose atdhetar – i përhimë as i vakët kurrë! te Grupi ynë mendoj, ishte lekundër ajo bindje, politikanët tanë nuk konsideroheshin krejt tradhtarë as krejt atdhetarë. Edhe Idriz Hasani, edhe Mulla Rama edhe Meha i Hasanit sikur porositshin: intelektualët tanë duhet t’u afrohen sa me shumë poltikanëve… Nuk hyjnë të gjithë në një thes…Duhet të bëjmë përpjekje që t’i nxjerrim nga thesi i mbeturinave, nuk janë të gjithë sllavokomunistë…. Edhe ata të mashtruarit nuk duhet t’i shajmë, por t’i afrojmë, të bisedojmë me ta dhe ta përfitojnë një bindje se edhe ata i konsoderojmë të dobishëm… Të bëjmë dallime nga ata të mashtruarit dhe tradhtarët. Nuk janë njësoj. Një pjesë e madhe kanë pas besim shumë të madh në PKJ. Nuk duhet t’ua shohim për të madhe. Ata janë të bindur se shqiptarët kanë arritur diç shumë të madhe, gjë që është edhe e vërtet, nëse krahasohemi me kohën në ish Jugosllavi… shkollimi-jemi bë patare (pushkatuar) për një abetare… e nuk mendojnë se çka kemi humbur edhe sa kishim fituar po të zbatoheshin vendimet e Bujanit. Ne besojmë shumë lehtë, edhe kënaqemi me pak… Duhet të bisedojmë me ta dhe t’i bindim se Rankoviqi asgjë nuk ka punuar pa dijen e dhelpërës plakë-Titos… Lufta kundër intelektualëv e ka nisen në Beograd. Titoja me Rankoviqin i kan ndjekur njerëzit me shkollë. Edhe shokët e vetë, bile i kanë burgosur…

Disa të gjitha sukseset, por edhe mossukset, ia mveshin Fadil Hoxhës, i cili në Llap vërtetë ka pasur shumë adhuruesë, edhe para edhe pas Plenumit të përmendur. Për Fadilin, menjëher pas Plenumit filloi të flitej se sikurse të gjithë politikanët dhe intelektualët shqiptarë edhe ky u ishte ekspozuar ndjekjeve e provokimeve nga më të ndryshmet nga UDB-ja. Madje flitej se në Llap, në urën e Peranit, një fshat afër Podjevës, ishin bërë përpjekje edhe për ta vrarë. Fadil Hoxha, për një pjesë të madhe të llapjanëve iu mbeti besnik aspiratave të shqiptarëve meqë ishte njëri nga ideatorët dhe organizatorët e Konferëncës së Bujanit... Natyrisht për disa edhe mbeti tradhtar. Histoira do ta vërtetojë këtë...

Lishur me karakterin e politikanëve - intelektualëve shqiptarë, llapjanët i ndanin në tri kategori:. Karrierist, frikacak, dhe të mashtruar – fanatik të bindur se e kishin mirë, se për shqiptarët që jetonin në Jugosllavi, vetëm rruga që e kishte trasuar partia komuniste me Titon, ishte e drejtë dhe e qëlluar… e që pas “dyzet vjetësh e kishin kuptuar që kishin jetuar në robëri”...

Një pjesë e politikanëve llapjanë, ashshtu si pjesa tjetër shqiptare, e Kosovës, kishin dalë nga medresja e xhamia (Nga xhamia shkuan në komitete dhe nga komitetet u kthyen në xhami) dhe ishin të dëgjueshëm si Adami, në fillim, meqë sipas tyre ishin në parajs… Edhe Adami sa ishte i dëgjueshëm dhe i nënshtruar ishte i mirë, ishte i lumtur, ishte krijesa më e dashur... por kur u rebelua (nga lakmia Për pushtet e para) pasoj dënimi i tmerrshëm, ashtu siç pasonte për këta të mjerë dënimi, në fiilim nga UDB-ja e më vonë nga Komiteti, që ishin tepër të tmerrshme..) ndëshkimi qe shumë i ashpër, edhe për njeriun, edhe për djallin, madje e dhe për tokën, nga e cila ishte krijuar!!! Ndonjëherë më duket se ashpërsia e KQ ishte kopjuar nga ashpërsia e Zotit, të Dhjatës së vjetër, por edhe Kuranit… Idriz Hasani, shpesh thoshte “Të mashtruar si Don Kishoti… Komunat e organizatat që ata drejtonin ngjanin me Mbretërinë dhe Nisinë e Sanço Panços.. Ata ishin mbretër të Nisisë së tyre, e meqë ishin mbretër mund të bënin çka të donin, e meqë bënin çka donin pse mos të jenë të kënaqur, çka i pengonte që të mos ishin të kënaqur...

Një pjesë e tyre në mbledhje të partisë, në zyra, shkollë, rrugë, korzo,kishin një fytyrë tjetër, ndërsa në odë-shtëpi krejt tjetër. Cila ishte fytyra e vërtetë e tyre? Ishte vështir të ta dije. Maska ua mbulonte fytyrën e vërtetë, fytyrën që ua kishte falur zoti… Një intelektual i tillë, mik i shtëpisë, që (pas 27 Nëntorit 1968) as në rrugë, as në dyqan nuk më përshëndette, një mbrëmje vonë erdhi, sapo ishte kthyer nga Shqipëria, dhe më solli Librezën e Partisë së Punës të Shqipëris, në të cilën ishte fot. e E.H. dhe disa citate të tij… Desha t’ia hidhja syve, por nuk munda… U tregova opurtunist, me dy fytyra, me maska, bëra atë që urreja më së shumti... Përse?! Nuk di. Tamam (Pikërisht) ashtu siç na thotë ai i URTI shpesh na ndodhë që të veprojmë në kundërshtim me atë që mendojmë dhe vendosim...


RILINDJA II KOMBËTARE

“Ti, Shqipëri më ep nderë...”

-Tubim i zjarrtë në sallën e kinemasë - Valëvitja e flamurit kombëtar në rrugët e Podujevës –

Pas Plenumit të Brioneve, siç shkruan Dr. Hakif Bajrami, u krijuan kushte më të mira që të realozohet njëfarë barazie dhe baraspeshe në zhvillimin dhe në jetën e popujve që jetojnë në Kosovë.

Dukej se shumë gjëra filluan nga e mbara. Filluan diskutimet rreth deformimeve (loxo krimeve) të organeve të punëve të brendshme. U folë haptazi e pa frikë, (në fillim) nëpër tubime, me emër e mbiemër për udbashët e Rankoviqit e dhunën e tyre të ushtuar ndaj shqiptarëv, (gjatë aksionit të armëve në vitet 55-56; për shpërnguljet e pandërprera; për kërkesat e “tepricave” e për të gjitha format tjera të terrorit, që s’kishin kursyer as moshë e as gjini e as profesion, madje as ushtarët e “vet”. Vetëm në fshatin Ballofc, gjatë kësaj periudhe, nga armata Jugosllave ishin kthyer në arkivole dy djem, kinse kishin bërë vetëvrasje ose kishin vdekur në aksidente komunikacioni.

Tubime të tilla, formale, vetëm sa për të hedhur hi syve, bëheshin kudo edhe nëpër fshatra. (Madje edhe nepër bashkësi lokale e oda). Një tubim i mbajtur në Shtëpinë e Kulturës në Podjevë mbeti i paharruar. Në këtë tubim ishte i pranishëm edhe Fadil Hoxha, të cilit aspak s’i kishte pëlqyer diskutimi i zhvilluar atë natë aty. Ai kishte pritur që do të kalohet mbi të gjitha ato deformime të organeve të UDB-së (lexo krimet që kishte bërë UDB-ja jugosllave), kinse pa dijen e Partisë e të Titos, por do të diskutohej për detyrat që na presin, e për një të ardhme që na pret. Disi kështu ishte shprehur edhe Kolë Shiroka në Plenumin e VII-të të LKS, që ishte mbajtur më 1966 në Prishtinë. “Hajde të punojmë e të shkojmë përpara, e mos ta teprojmë me bisedat tona dhe gazetat tona për vorret”, (lexo varret që kishte hapur UDB-eja e dirigjuar nga Partia më “paqësore” e më “demokratike” në botë). Pra të mos përmendeshin varret, punë e madhe për varre, e kjo do të thoshte të mos përmendeshin as vrasësit. Në tubimin në Podjevë kishin folur shumë intelektualë, me fakte konkrete, por diskutimi i prof. Shefki Sejdiut mbeti i paharruar, e për të u fol shumë dhe një kohë të gjatë nëpër odat llapjane. Madje flitej se edhe vetë Fadili kishte qenë i detyruar ta përmendte këtë fjalim në një mbledhje krahinore.

Historiani Dr. Zekiria Cana kështu e pershkruan këtë periudhë: Viti 1968 doli shumë i bereqetshëm… ishte Moti i kremtimit të përvjetorëve, po edhe i zhvillimit të ngjarjeve historike.. Viti i madh.. Pastaj përmend ngjarjet tjera me rradhë, që sipas mendimit tim ishin nxitje për një parapërgatitje të madhe, si kremtimet sipas rradhës, duke filluar me 500-vjetorin e vdekjës së Skënderbeut, 90-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 60-vjetorin e Kongresit të Manastirit, Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike; takimin me Enver Hoxhën, pas 22 vjetëve me dijetarërt e Kosovës; daljen e g. Fjala.. Hapjen e nstituti Albanologjik…. Formimin e Komisionit për çështje kushtetuese të KSA të Kosovës…zhvillimet e diskutimeve nëpër mbledhjet e aktiveve politike, kërkesat unanime për vetëvendosje.. .. “Ndonjë ditë para demonstratave kisha pasur një bisedë me studentin Osman Dumoshi, thekson zotëri Cana dhe vazhdon.. “Dhe kur populli ishte në pritje të sendërtimit të pikësynimit historik,..Beogradi udhëheqjes shqipatre ia ngrehu veshin dhe ajo u tregua e dëgjueshme, …Ajo as diti as deshi të përfitonte nga situata politike në Jugosllavi, mjaft e përshtatshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ky qëndrim kapitulues, që zhgnjeu popullin tejmase, shkaktoi pakënaqësi të madhe te rinia studentore dhe ndezi indinjatën e saj, e cila pati si epilog demonstratat e 27 nëntorit… thekson ndër të tjera z. Cana.

Disa këtë kohë e quajn ringjallje,- Rilindje e dytë kombëtare e pjesës së dyt të kombit. E disa edhe çlirim i dytë i shqiptarëve në trojet e Jugosllavisë...

Ka mendime, se po të shfrytëzohej kjo periudhë maksimalisht, e po të ishin politkanët tanë më këmbëngulës, me siguri rezultati do të ishte shumë më i mirë, ndoshta edhe do të realizohej Republika e Kosovës në kuadër të Federatës Jugasllave. Mendoj se edhe ky ishte një iluzion. Meqë koha tregoj të kundërtën...

Viti 1968 si romantizëm i vonuar

Viti 1968, shkruan Selatin Novosella, për shqiptarët e Kosovës sikur paraqet një romantizëm të vonuar.

Ky romantizëm i vonuar e kishte përfshirë edhe Llapin, ashtu si gjithë Kosovën. Në këtë kohë, sidomos pas fillimit të ardhjes së SHKA-ave si “Përpjekja” e studentëve të Beogradit, “Liman Kaba” nga Dibra, “Hajdar Dushi” e Gjakovës etj), ndodhën shumë gjëra të këndshme, që më parë as që kanë mundur të ëndërrohen… Mbeti e paharruar mbrëmja e muzikantëve dhe këngëtarëve nga Gjakova, veçanërisht me Marshin e Skënderbeut, ku për herë të parë, pas 27 vjetësh, në Llap publikisht iu këndua Flamurit kombëtar. U tund salla e kinemasë si kurrë më parë. Duartrokitje të përcjella me brohoritje frenetike që s’ishin parë as s’kishin të ndalur. Ishin duartrokitje frenetike, jo të rrejshme e artificiale, siç bëheshin gjatë tubimeve të organizuara nga PKJ ose ndonjë organizatë tjetër...

Posa filloi Marshi i Skënderbeut, e gjithë salla me sy të përlotur u ngrit në këmbë. Vërtet atmosferë ngazëlluese po edhe prekëse.

Edhe SHKA “Josip Rela” me aktivitetin e saj kulturoartistik, me repertorin e pasur të këngëve popullore patriotike për heronjët kombëtarë, i dha një gjallëri kësaj atmosfere... Veçanërisht dueti Mihane Blakçori, Abdullah Vokrri....

Po në këtë kohë në librarinë e qytetit “Rilindja” përherë të parë arritën botimet nga Tirana. Këto botime shiteshin mu si havëll, brenda dite. Blehej “Fjalorthi termash letrare” nga punëtorë e zejtarë, vetëm se ATY për herë të parë publikisht e padroje mund të lexoheshin vargjet e Naimit të ndritshëm: “ Ti, Shqipëri, më ep nderë,/ më ep emërin shqipëtar…

Dasmorët dhe flamuri që u priu demonstratave...

Ende pa u dhënë viza zyrtare, rrugëve të Podjevës, pikërisht më 12 tetor 1968, nga dasmorët e Muçollëve të Bajçinës valoi Flamuri Kombëtar. (Sipas një kënge që tash (2000) po këndohët, nëpër rrugët e Prishtinës Flamuri valoj më 6 tetor 68). Mu ky Flamur, i punuar nga rrobaqepësi Sabri Novosella, sipas porosis së Miftar e Hamdi Muçollit, me dy flamuj të tjerë, të punuar në punëtorinë e rrobaqepësisë “Kosovari”, shqiponja e nxjerrë - kopjuar nga një FRANG e kohës së Zogut nga piktori Selatin Ahmeti, u prinë demonstratave të 27 Nëntorit rrugëve të Podjevës.

Edhe fushata parazgjedhore e zgjedhore për delegatë fedartivë, republikanë, krahnorë e komunalë e veçanërishtë për Kryetar të Komunës së Podjevës, pati një jehonë të madhe. Përkundër kundërshtimit të disa politikanëve komunalë e krahinorë, përherë të parë Llpjanët vetë zgjodhën kryetarin e komunës së tyre. Kryetar u zgjodh Ramush Rama, i cili dha një kontribut të madh, sidomos në zhvillimin e rrjetit shkollor, si nëpër fshatra ashtu edhe në qytet. U hap gjimnazi i plotë në Podjevë dhe paralelet e para të Normales. Filluan të kthehen kuadro të reja llapjane. Profesorëve të brezit të parë, si Shefki Sejdiu, Selman Qerimi-Bryma, Abdyl Sokoli, Ali Muqolli, Selatin Ahmeti, etj, iu bashkuan profesorët e brezi të ri: Nazmi Rrahmani, vëllezërit Murat e Rifat Blaku, Hajrush e Kadrush Rama, Abdullah Vokrri, Ramadan Saliu, etj, që ishin përplot entuziazëm për punë e që dhanë një kontribut të madh, si me konsultime ashtu edhe me pjesëmarrje të drejtpërdrejt në demomstratat e 68-shit. Erdhën gjykatësit e parë shqiptarë të diplomuar si: Adem Ajvazi, vendas, Vesel Latifi, Idriz Gërvalla (më vonë), etj. Kthehen ish-mësuesit e përzën, të përndjekur, të gjykuar e të dënuar si : Xhafer Meta, Nuhi Gashi, Nexhmi Sejdiu, Shaban Zhjeqi e të tjerë (që të gjithë anëtarë të Organizatës së Sabit Kapitit).

Debatit publik mbi ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës të RSFJ

Por, ndër ngjarjet më të rëndësishme të kësaj periudhe, mendoj, ishin tubimet ku diskutohej mbi ndërrimet e Kushtetutës Jugosllave. (debati). Në këto diskutime pothuajse nuk mbeti kategori njerëzish pa u inkuadruar, duke filluar nga intelektuali, zejtari e deri te punëtori më i thjeshtë. Këto ngjarje, jo vetëm që u paraprinë demonstratave të 68-es në Podjevë, por edhe i nxitën dhe i shpejtuan demonstratat e 68-shit.

Në korrik të vitit 1967 Kuvendit Popullor i KA të Kosovës formoi ”Komisionin për studimin e çështjeve që kanë të bëjnë me ndryshimet dhe plotësimet e Statutit”. Kryetar i Komisionit u emrua Fadil Hoxha - kryetar i Kuvendit Krahinor të Kosovës. Ky komision hartoi ”projektin e propozimeve për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të KA Kosovës”,... Projekti në prill 1968 iu dorëzua KE të KK të LK të Kosovës, kështu që u hapën diskutimet rreth Kushtetutës ekzistuese jugosllave.... Sipas disa shkrimeve debati i parë u zhvillua në Gjakovë më 18-20 gusht 1968... Nuk më kujtohet data, por titulli, apo nëntitulli në gazetën “Rilindja”, se Kosova do ta ketë flamurin... dhe “komentet me dajën Faik Zeneli, nga pakashtica, një nëpunës në komunën e Podjevës, i cili ndër të parët futi gjuhën shqipe në administratën e komunës, u ngulit në trurin tim, sa më duket edhe sot e shoh, dhe i dëgjoj fjalët dajas Faik... “Po, po, me u kënaq po por me u shrry jo”. As athere as sot nuk e kupova domethënien e kësaj “Po, po, me u kënaq po por me u shfry jo”.!!!

Në kuadër të kësaj edhe në Podjevë, si në të gjitha komunat e Kosovës, u organizuan debate nëpër organizata të ndryshme që ekzistonin në atë kohë, si Lidhja Socialiste, Lidhja e Rinisë, Sindikata, etj që natyrisht përcilleshin nga syri vigjilent i LKJ, që pas Plenumit të Brioneve kishte zëvendësuar UDB-ën. Me sigurimin shtetëror...

Në të gjitha këto tubime, pa përjashtim, për herë të parë haptas u kërkua që Kosova të barazohet edhe poltikisht edhe ekonomikisht me republikat tjera. Dr. Pushkolli, lidhur me këtë çështje thekson:“Në aktivin e Komitetit Komunal të Podjevës u organizua diskutimi rreth ndryshimeve kushtetutare dhe u kërkua që Kosova të bëhej republikë. Në këtë drejtim u dalluan profesorët e gjimnazit “8Nëntori” në Podjevë. Nga kjo kohë komiteti i LK të Podjevës u nagazhua që t’i largojë nga LK e pastaj edhe nga puna disa profesor. Për këtë qëllim u larguan shumë profesor si Shefki Sejdiu, Selman Bryma dhe shumë të tjerë...
Në këto tubime, si në komunën e Podjevës, edhe në Prishtinë kishin marrë pjesë, i kishin përcjellë me vemendje të madhe, madje edhe kishin diskutuar: Murat Blaku, Xhafer Ejupi, Nazmi Sejdiu, Imer Ajvazi, etj. të cilët përhapën fjalën e Rezak Shalës dhe Hajredin Hoxhës, në Llap. Xhaferit i kujtohet, duke dalur nga salla ku ishte zhvilluar debati, i afrohet një person i panjohur dhe i thotë: Unë jam Nuhi Preteni, punoj në Kishnicë, jam njëfarë shefi, kam mundësinë që, për diskutimin e guximshëm e të qëlluar, të të qeras me një bursë, vetëm paraqitu në drejtori... Diskutimi i Xhaferit u bë sebep dhe vëllai i Xhaferit, Sali Ejupi dhe tre llapjanë të tjerë, fituan bursa dhe sot janë inxhinierë të diplomuar të xehëtarisë... Murat Blakut, pas diskutimit në Podjevë, i afrohet një qytetar, dhe duke ia ofruar karrikën, i thotë: Ulu bre djalë se vallahi na kënaqe...

(Vijon)
Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Gjashtëdhjetëeteta - dasmë e madhe llapjane I.
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Bashkimi Kombëtar :: Shqiptarët-
Kërce tek: