Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...



 
ForumForum  PortalliPortalli  GalleryGallery  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

Share
 

 LETËRSIA SHQIPTARE - Letërsia e bejtexhinjve

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Vizitor
Vizitor
avatar


LETËRSIA SHQIPTARE - Letërsia e bejtexhinjve Empty
MesazhTitulli: LETËRSIA SHQIPTARE - Letërsia e bejtexhinjve   LETËRSIA SHQIPTARE - Letërsia e bejtexhinjve EmptyThu Feb 19, 2009 7:06 pm

Në shekullin XVIII në Shqipëri lindi dhe u zhvillua një rrymë letrare me tipare tepër origjinale për vendin tonë, rryma e bejtexhinjve (nga fjala turke <> - vjershë). Ajo u bë dukuri e rëndësishme dhe pati përhapje shumë të gjerë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, në Kosovë, por edhe ne qendra më të vogla fetare e më pak në fshat.

Rryma letrare e bejtexhinjve ishte produkt i disa kushteve të veçanta historike, i dy palë faktorëve të kundërt.

Nga njëra anë ishte kërkesa për të shkruar shqipen si gjuhën e vendit, për ta përdorur edhe në praktikën fetare e për t'u çliruar nga ndikimet e kulturave të huaja. Kjo ishte më tepër prirje e shtresave që lidheshin me format e reja ekonomike, (tregtare e monetare). Nga ana tjetër, është shtimi i trysnisë ideologjike të pushtuesit. Nëpërmjet fesë dhe kulturës islame synohej të arrihej nënshtrimi i shqiptarëve. Pushtuesi hapi këtu edhe shkollat e veta. Shumë poetë bejtexhinj kishin mësuar në to.

Natyrisht, Krijimtaria poetike e bejtexhinjve ruan ndikimin e poezisë e të kulturës orientale, por ajo është pjesë e pandarë e kulturës së popullit tonë. Ajo është shprehje e talentit, e shpirtit krijues të tij, që, në kushte të caktuara, fitoi edhe tipare në përpothje me to.

Bejtexhinjtë e shkruan shqipen me alfabet arab dhe përdorën një gjuhë të mbytur nga fjalët persiane, turke e arabe.

Letërsia e bejtexhinjve pati dy faza në zhvillimin e saj. Faza e parë shkon gjer nga fundi i shekullit XVIII. Në veprat e kësaj faze më tepër gjeti shprehje fryma laike, kurse në veprat e fazës së dytë, që nis nga çereku i fundit i shekullit XVIII dhe kapërcen në shekullin e XIX, mbizotëroi tema me karakter fetar.

Në krijimet me tema laike mjaft poetë bejtexhinj, në frymën e poezive orientale, i kënduan dashurisë, bukurisë së natyrës e të gruas, lartësuan virtytin, punën, diturinë ose fshikulluan mburrjen e kotë për pasurinë e fisin, goditën ambicjen, hipokrizinë etj. Të tillë ishin Nezim Frakulla, Sulejman Naibi, Muhamet Kyçyku etj.

Një hap i mëtejshëm u shënua me mjaft krijime të disa bejtexhinjve të tjerë, si: Hasan Zyko Kamberi, Zenel Bastari e ndonjë tjetër. Ata pasqyruan elemente e ngjarje të jetës bashkohore dhe shtruan një problematikë të mprehtë shoqërore. Me nota realiste, ata vunë në dukje jetën e vështirë plot vuajtje të masave të varfra të popullit, pasigurinë për të ardhmen dhe pakënaqësinë e tyre në kushtet e sundimit feudal, në shthurrje e sipër. Në vjershën "Tirana jonë si mësoi„ Zenel Bastari, fshatar nga Bastari i Tiranës, jep një tablo të tillë të gjendjes së popullit.

Ymrin(jetën) na e kanë shkurtue
Po na shtrydhin porsi rrush,
bytym kalbi(krejt zemra) na u coptue,
me vner shpirti u mbush.
Bukë pa bukë po rrojnë fakirat,(të varfërit, të shkretët)
Pa opinga, zbathë e zhveshë;
vetë janë mbulue me gjithë të mirat,
si katilët rrinë tue qeshë.

Letërsia e bejtexhinjve nuk arriti të ngrihet në shkallën e letërsisë kombëtare. Megjithatë, bejtexhinjtë me krijimet e tyre dhanë një ndihmesë që duhet çmuar. Ata shkruan shqip në një kohë kur shqipen e kërcënonte rreziku nga përhapja e gjuhës së pushtuesit dhe e gjuhëve të tjera. Ata krahas temës fetare, ishin të parët që trajtuan gjerësisht temën laike.

Gjithashtu dia prej tyre duke qenë më afër jetës së popullit, futën në poezi elemntë të jetës së kohës. Këta trajtuan tematikën shoqërore me nota realiste dhe me një sens kritik të fortë.

Së fundi, me krijimet e bejtexhinjve poezia shqiptare bënte një hap përpara nga ana artistike. Në to shpesh gjejmë mjete shprehëse e figurative shumë të goditura, vlera të vërteta artistike. Poetët bejtexhinj morën edhe nga mjetet e traditës poetike të vendit; p.sh. vargun tetërrokësh; që e bënë vargun bazë dhe që e përdorën të gjithë. Veprat e bejtexhinjve mbetën në dorëshkrim. Ato u përhapën përmes kopjimit me dorë ose me anë të traditës gojore.

Numri i autorëve të letërsisë shqiptare me alfabet arab është shumë i madh. Ata krijuan në qytete mjaft të zhvilluara për kohën, si në Berat, Elbasan, Shkodër, Gjakovë, Prishtinë por edhe në vende më të vogla; si në Kolonjë, Frashër, Konispol e gjetkë.

Ndër bejtexhinjtë, më kryesorë po përmendim Nezim Frakullën, Sulejman Naibin, Dalip e Shahin Frashërin, autorë të dy historive fetare të vjershëruara, Hasan Zyko Kamberin, Zenel Bastarin, Tahir Gjakovën etj. Shumë i njohur u bë edhe Murat Kyçyku (Cami), përkthyes i ndonjë vepre fetare nga arabishtja dhe autor i disa tregimeve të gjata në vargje. Nga këto përmendim poemën "Erveheja„ , me temë nga letërsitë orientale e me natyrë moralizuese. Me këto vepra Kyçyku i çeli rrugën poezisë me subjekt.

Rryma letrare e bejtexhinjve e humbi peshën e saj në jetën kulturore qysh nga fillimi i shekullit të XIX, por në disa mjedise, si në Kosovë, kjo traditë vijoi edhe më tej nga autorë të tillë si Maliq Rakoveci, Rexhep Voka etj.


Edituar për herë të fundit nga Vrana Konti në Thu Feb 19, 2009 7:12 pm, edituar 1 herë gjithsej
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Vizitor
Vizitor
avatar


LETËRSIA SHQIPTARE - Letërsia e bejtexhinjve Empty
MesazhTitulli: Re: LETËRSIA SHQIPTARE - Letërsia e bejtexhinjve   LETËRSIA SHQIPTARE - Letërsia e bejtexhinjve EmptyThu Feb 19, 2009 7:08 pm

Nezim Frakulla


Nezim Frakulla (ose Nezim Berati) është nga autorët e parë të rëndësishëm të letërsisë shqiptare me alfabet arab; në mjediset ku jetoi e krijoi, luajti rol në zhvillimin e kësaj rryme.

Nezimi lindi nga fundi i shekullit XVII në fashtin Frakull të Fierit në një familje të vogël feudale. Që i ri mësoi në medresenë e Beratit, pastaj shkoi në Stamboll, për të studiuar më tej, ku ndenji një kohë të gjatë dhe filloi të vjershëronte turqisht, persisht e arabisht. Bëri shumë udhëtime në vendet e Lindjes, por mbeti i pezmatuar. Në një bejte turqisht shkruante: I rashë botës anembanë, por zemra m'u mbush me gjak. Në vitin 1730 u kthye në Berat, i varfër, kështu që u detyrua të shërbente si qehaja te një bej. Gjatë kësaj kohe filloi të vjershëronte në shqip, sipas frymës së poezisë orientale. Berati, që ishte një nga qendrat kulturore më në zë të kohës, kishte edhe shumë bejtexhinj, të tjerë. Rivaliteti me myftiun e qytetit pati pasoja politike për Nezimin, prandaj u detyrua të shkonte në Elbasan. Mbas një internimi në Besarabi, Nezimi kthehet përsëri në Berat. Vdiq në burgun e Stambollit.

Në gjuhën shqipe Nezimi la një divan(1) dhe shumë vjersha të shpërndara. Një pjesë e krijimeve të tij kanë kaluar gojë më gojë e u bënë anonime. Duke ndjerë që qëndronte mbi bejtexhinjtë e tjerë, Nezimi e afirmon veten si mjeshtër që i pari krijoi divanin shqip.

Divan kush pat folur në shqip?
Ajan(2) e bëri Nezimi.
Bejan(3) kush e pat folurë shqip?
Insan(4) e bëri Nezimi.

Divani i Nezimit duhet të ketë pasur rreth 110 vjersha. Tematika është disi e gjerë. Në krahasim me poezinë e atëhershme dhe me modelet orientale, autori solli elemete të reja, që pasqyrojnë anë të jetës në Shqipëri.

Një pjesë e mirë e vjershave të Nezimit janë gazela(4), ku i këndohet bukurisë dhe dashurisë. Gjithashtu ato trajtojnë një problematikë morale, flasin për miqësinë, diturinë etj. Në vjershat e Nezimit pasqyrohet botëkuptimi oriental, por hasen edhe ide pozitive. Me nota kritike goditen vese, sulmohen me përbuzje miqtë e rremë, ambiciozët e smirëzinjtë.

Në kushtet e shthurjes së së sistemit feudal, poeti hutohet dhe mbetet i tronditur midis së vjetrës që shembej, dhe së resë që po lindte. Në vjershën "Ankimi mbi gjendjen e kohës„ , Nezimi na krijon përshtypjen e një bote të shqetësuar, të një atmosfere të pasigurt, ku është e vështirë të lidhësh miqësi, ku bëhet një ndeshje ë egër për të dalë në krye e ku njeriu nuk ka vendin që i takon sipas virtyteve të zotësisë. Autori thotë: "… sorra sot gaha bilbil nukë dahetë dot„. Edhe sikur keto motive të jenë të marra nga letërsia orientale, ato, sidoqoftë, s'janë pa lidhje me realitetin e kohës.
Jeta boshe dhe parazite e bejlerëve dhe e të pasurve pasqyrohet në vjershën "Teferiçi në Belçë„. Nëpërmjet përshkrimit të një pikniku në fshatin Belçë, poeti tregon për qejfet dhe tekat e feudalëve dhe pasanikëve, për shpenzimet pa kufi, për të mirat e pasuritë që i kanë grumbulluar në kurriz të popullit. Me interes është edhe një vjershë që Nezimi e shkroi kur po niseshin për në Stamboll disa shokë të tij. Në të gjejmë dashurinë për atdheun dhe brengën e dhembjen e një mërgimtari për vendin e lindjes:

O shokë, mos na harroni,
se vemi në dhè të huaj,
një selam të na dërgoni,
bari në tre-katër muaj.

Do t'ju jap një amanet,
kur të shihni fush`e male,
të faleni me shëndet
prej meje më shumë halle.

Në mjaft vjersha Nezimi i këndon natyrës, e cila jepet plot jetë e lëvizje. Poeti magjepset nga bukuria e saj. Në mënyrë të veçantë ai i këndon pranverës, duke na dhënë skena të gjalla e plot hijeshi.

Dy këngë për "Beharin„ janë nga poezitë e tij më të bukura të tij.

A s'e shihni ju në dynja
Manushaqenë,
nëpër male, nëpër sahara(6)
çeli faqenë?

Ose

Behari u lulëzua
U zbukurua dynjaja.
Jeta në shenllëk(7) u mbulua,
gëzojnë fukaraja.

Nezimi ka shkruar edhe vjersha mistiko-fetare ose vjersha kushtuar ndonjë fushate ushtarake e ndonjë sundimtari. Pra, jo vetëm tematika e krijimeve të tij është e larmishme, por edhe bota e ndjenjave. Gjejmë në to nota lirike, por edhe tone zemërimi e ironie; krahas ndjenjës së ngazëllimit, gjer edhe ndjenja dëshpërimi, që e kanë burimin edhe te realiteti i kohës, por edhe te brengat e shqetësimet që e shoqëruan tërë jetën.

Krijimtaria e Nezimit e zgjeroi rrethin tematik të poezisë së kohës. Edhe pse nuk u shkëput nga modelet orientale e nga motive të njohura të tyre, si bilbili, trëndafili etj., në vjershat e tij ka edhe elemente dhe figura që burojnë nga realiteti shqiptar. Gjuha e rënduar nga fjalët e huaja e dëmton vlerën e poezisë, edhe kur në të ka figura e mjete shprehëse mjaft të goditura.
Nezim Frakulla ishte poet me frymëzim e talent. Vepra e tij la gjurmë të thella në krijimtarinë e poetëve të tjerë që shkruan me alfabet arab.

SHPJEGUES
(1) Divani në letërsinë orientale ishte një përmbledhje vjershash, të renditura sipas një rregulle të caktuar
(2) E nxorri në shesh
(3) Retorikë
(4) Njëri, d.m.th. diçka për të qenë
(5) Krijim i shkurtër në poezinë e lindjes, që i këndon kryesisht dashurisë
(6) Fusha
(7) Festë.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Vizitor
Vizitor
avatar


LETËRSIA SHQIPTARE - Letërsia e bejtexhinjve Empty
MesazhTitulli: Re: LETËRSIA SHQIPTARE - Letërsia e bejtexhinjve   LETËRSIA SHQIPTARE - Letërsia e bejtexhinjve EmptyThu Feb 19, 2009 7:11 pm

Sulejman Naibi

Midis poetëve bejtexhinj, që u shqua në shekullin XVIII, është edhe Sulejman Naibi. Ai ishte nga Berati dhe jetoi e vdiq aty duke qenë bashkëkohës me Nezim Frakullën.

Sulejman Naibi ka shkruar një divan në shqip por kopja e plotë e tij nuk është gjetur. Krijimtarinë e tij e njohim vetëm përmes 4-5 vjershave në dorëshkrim. Megjithatë, ato e paraqesin si një nga bejtexhinjtë më të talentuar, me frymëzim e kulturë poetike. Karakteristikë për vjershat e Naibit është lirizmi i këndshëm, që u jep atyre ngrohtësi.

Ai i këndon vashës së bukur, natyrës, dhe ëmbëlsisë së jetës. Përmes një figuracioni të pasur e plot ngjyra të gjalla, Naibi e jep me shumë natyrshmëri bukurinë e femrës, ndjenjën e dashurisë. Vjershat e tij janë shumë afër natyrës së këngëve popullore edhe ndonjëra prej tyre si: "Mahmudeja e stolisurë„ këndohet edhe sot në Elbasan e në Berat. Ja disa vargje të saj;

Këjo sevdaja e insanit(1)
Gjallë njerinë ç'e përvëlon,
Mahmudeja e Sulejmanit
Me gazep sokakut shkon.
Jelek kadife veshurë
Si mosnjeri në këtë dhè,
me buzë duke qeshurë,
ç'të ka hije moj Mahmude!

Veçanërisht e bukur dhe e frymëzuar është vjersha "Si kandil i djegurë„ , me një figuracion të pasur e plot ngjyra.

Cullufet e tua-lulet e zymbylit,
je vet'bukuriae kopshtit ku ke hyrë,

Pra, ka hak bilbili të shikonj' me sy,
ta lër trëndafilin, të këndonj' për ty.

Të këndoj për buzët të kuqe shafran,
të këndonj' për ballin, që nuk zihet kurrë…

Në krijimet e Naibit bie në sy se gjuha është më e pastër, pa shumë fjalë orientale, si te bejtexhinjtë e tjerë. Ky kujdes i Naibit duhet të ketë qenë i vetëdijshëm. Naibi ka përdorur tetërrokshin dhe dymbëdhjetë rrokëshin.

Në rrymën e bejtexhinjve Sulejman Naibi mbetet në shkallën e një liriku me talent të vetëdijshëm.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Vizitor
Vizitor
avatar


LETËRSIA SHQIPTARE - Letërsia e bejtexhinjve Empty
MesazhTitulli: Re: LETËRSIA SHQIPTARE - Letërsia e bejtexhinjve   LETËRSIA SHQIPTARE - Letërsia e bejtexhinjve EmptyThu Feb 19, 2009 7:11 pm

Hasan Zyko Kamberi XVIII - XIX

Nga përfaqsuesit më të shquar të letërsisë shqipe me alfabet arab është Hasan Zyko Kamberi.

Tematika që trajtoi ai në vjershat laike, paraqet interes të veçantë, sepse i bëri jehonë gjendjes shpirtërore dhe pakënaqësisë së masave fshatare mbi të cilat rëndonte pesha e vuajtjeve dhe shfrytëzimi i egër feudal. Për jetën e H.Z.Kamberit dihet pak. Ishte nga fshati Starje i Kolonjës. Siç del nga ndonjë vjershë e tij, ka kaluar një jetë të varfër e të vështirë. Ka të ngjarë të ketë mësuar në ndonjë medrese. Më 1789 mori pjesë si mercenar në luftën turko-austriake mbi Danub. Në këtë fushatë jo vetëm që s'e rregulli dot gjendjen ekonomike, por edhe vuajti shumë, siç do e tregojë në vjershën "Seferi humajun„ (Lufta mbretërore). Vdiq në fillim të shekullit XIX.

Nga krijimtaria e Hasan Zyko Kamberit njihen 50-60 vjersha lirike. Shkroi edhe poezi fetare.

Rëndësi të veçantë kanë poezitë e tij me temë laike.

Ndryshe nga bejtexhinj të tjerë, të cilët shpesh poetizuan zakone e mendësi të jetës orientale të qyteteve e të mjediseve feudale, H.Z.Kamberi në këto poezi pasqyroi jetën e fshatit shqiptar të shekullit të XVIII, vuajtjet, pasigurinë dhe pakënaqësinë e fshatarëve. Me nota realiste gjejmë në të edhe një frymë të theksuar kritike e mospajtimi me realitetin, gjejmë dhembjen e poetit për gjendjen e njerëzve, që s'u ecën fati.

Një nga vjershat me tipike është "Bahti im„ , ku autori shpreh pakënaqësinë ndaj jetës dhe ankohet për fatin(bahtin), që s'e ndihmoi për të marrë prona e pozita, siç ndodhi me disa të tjerë.

Zu Hasani e zihetë,
me baht e tij po prihetë,
vallë, ku rri e fshihetë,
që s'punon, more bahti im.

Edhe vjersha "Seferi humajun„ (Lufta mbretërore) shpreh po atë gjendje pakënaqësie e zhgënjimi. Vërtet kjo merr shkas nga përvoja e hidhur e vetë poetit në fushatën e vitit 1789, por, në të vërtetë, në të zë vend një shqetësim më i gjerë. Aty i bëhet jehonë pakënaqësisë së përgjithshme të vegjëlisë nga fushatat ushtarake të osmanëve, që njerëzve të thjeshtë u sillnin vetëm fatkeqësi dhe mjerim, kurse fitimet i përvetësonin feudalët e mëdhenj dhe komandantët ushtarakë.

Për jetën e varfër e të rëndë të vegjëlisë fshatare flet edhe vjersha "Trahani„. Duke e shkruar me ironi të hollë e humor therës për këtë gjellë të të varfërve, autori s'e fsheh dhembjen për mjerimin e tyre, për faktin brengosës se ishte lumturi kur arrinin të shuanin urinë me trahana.

Tetë muaj gjithë ç'janë
Që e zjejnë dhe e hanë
Fukarasë i mbanë hajanë(1)
Dritë kush gjeti trahanë

Notat e humorit, përzier me ankimin e poetit për fatin e të rinjve, përshkojnë edhe vjershën "Gjerdeku„. Në të cilën pasqyrohen çaste nga jeta dhe brengat e vajzave që janë gati për martesë e që s'e dinë ç'fat i pret, meqë i martojnë pa i pyetur. Por, veç kësaj, ato i mundon edhe varfëria, ashtu siç i detyron edhe djemtë të marrin rrugën e kurbetit për të siguruar të hollat e nevojshme për martesë. Gjejmë në të edhe përshkrime zakonesh të martesës, por më tepër shqetësimin e të rinjve dhe të autorit për fatin e tyre.

Cupatë po bëjnë fiqiri(2)
"Vallë, ku e kemi takdir(3)?„
I martojnë me pahir
Se umur(4) ndë dorë s'kanë.

Edhe në vjersha të tjera, si "Gratë e va„ , "Hasani bën shiqojet„(ankohet), "Vasijetnameja„ (Testamenti) H.Z.Kamberi vë gishtin në plagë të ndryshme të shoqërisë së atëhershme.

Por poezia e tij më e fuqishme, ku prirja realiste e fryma kritike kanë gjetur shprehjen më të plotë është "Paraja„ , ajo është një satirë e fuqishme e gjithë sistemit politik feudal, e korruptimit të tij të gjithanshëm, madje edhe vlera e njeriut matet jo me cilësinë e virtytet e tij, por me paratë që ka.

Këto ide poeti is hfaq nëpërmjet ironisë e sarkazmës therëse, që godasin pa mëshirë gjithë piramidën shtetërore e shoqërore, që nga mbreti e veziri e gjer tek nënpunësi më i thjeshtë.

Mbreti q'urdhëron dynjanë,
që ka vënë taraphanë(5)
e i presënë paranë,
ia di kimenë parasë.

Poeti nuk kursen as autoritetet më të larta të fesë. Me sarkazëm të guximshëm ai zbulon se prapa shenjtërisë së tyre të shtirur fshihet një shpirt i pangopur fitimi, që i shtyn të bëjnë padrejtësi më të mëdha; e kanë ujdisur me djallin, siç shprehet poeti.

Patosi satirizues e demaskues zgjerohet edhe më tej, kur poeti zbulon se në atë shoqëri të shthurrur nuk ekzistonte as drejtësia më e vogël, se njerëzit e ligjit, kadilerët, e shtrembëronin këtë në mënyrën më të paturpshme, vetëm për të shtënë në dorë sa më shumë para.

Kadiu, t'i rrëfesh paranë,
ters e vërtit sherihanë(6),
për para ç'e shet t'anë,
ia di kimenë parasë.

Funksion të dukshëm ideoartistik ka vargu "ia di kimenë parasë„. Që përsëritet si refren në fund të çdo strofe. Ai përforcon idenë se në atë shoqëri ku merret nëpër këmbë çdo virtyt, ku njerëzit robotizohen e vuajnë, paraja është epiqendra e jetës. Vjersha tingëllon si një satirë e fortë që shpreh zemërimin e fshatarësisë shqiptare kundër shfrytëzimit të saj në kushtet e sistemit feudal në shuarje e sipër. Kuptohet që protesta e poetit është spontane, nuk shkon larg dhe ai shpesh bie në fatalizëm.

Vjershat laike të H.Z.Kamberit patën përhapje të gjerë në popull, se ato prekën plagë shoqërore të kohës. Veç kësaj gjuha e tyre është më e pastër se e poetëve të tjerë bejtexhinj. Vargu që përdor, është tetërrokshi i poezisë popullore.

H.Z.Kamberi qe poet i talentuar. Krijimet e tij i njihnin dhe i çmonin edhe rilindësit: Naimi, Samiu, Vretoja. Naimi shkruante: "Në mes të vjershëtorëve të Shqipërisë ka zënë kryen Hasani i Zyko Kamberit„.

Me poezinë e H.Z.Kamberit, Z.Bastarit e ndonje tjetri duken shenjat e para të realizmit në poezinë shqiptare…

Shpjegim

1- Jetën (shpirtin)
2- Mendohen, vrasin mendjen
3- Ku është thënë për ne
4- Jetë
5- Institucioni që pret monedhën
6- Ligjin, gjyqin
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Sponsored content




LETËRSIA SHQIPTARE - Letërsia e bejtexhinjve Empty
MesazhTitulli: Re: LETËRSIA SHQIPTARE - Letërsia e bejtexhinjve   LETËRSIA SHQIPTARE - Letërsia e bejtexhinjve Empty

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
LETËRSIA SHQIPTARE - Letërsia e bejtexhinjve
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Bashkimi Kombëtar :: Arti dhe kultura :: Gjuha dhe Letërsia Shqiptare-
Kërce tek: