Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...
Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...
Bashkimi Kombëtar
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.



 
ForumForum  PortalliPortalli  GalleryGallery  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 DJALOSHI QË KALOI BJESHKËT E RRASËS SË ZOGUT DHE KORABIT

Shko poshtë 
AutoriMesazh
MARY
Anëtar
Anëtar
MARY


Female
Numri i postimeve : 261
Age : 38
Vendi : VL
Profesioni/Hobi : music
Registration date : 28/03/2008

DJALOSHI QË KALOI BJESHKËT E RRASËS SË ZOGUT DHE  KORABIT Empty
MesazhTitulli: DJALOSHI QË KALOI BJESHKËT E RRASËS SË ZOGUT DHE KORABIT   DJALOSHI QË KALOI BJESHKËT E RRASËS SË ZOGUT DHE  KORABIT EmptyTue Jul 15, 2008 12:19 pm

Frashër Oseku - Ushtar i dy UÇK-ve

DJALOSHI QË KALOI BJESHKËT E RRASËS SË ZOGUT DHE ATO TË KORABIT

Intervistoj: SHEFQET CAKIQI-LLAPASHTICA

Intervistë me Frashër Osekun, ish-ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i plagosur në betejën e Koshares, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare deri në arritjen e Marrëveshjes politike të Ohrit, veprimtarin e Shoqatës "Besa" në Trelleborg të Suedisë, redaktorin teknik të Revistës "Drita". Ekskluzivisht për të përditshmën "Epoka e re" për luftën dhe shokët e tij të luftës: Hajdin Abazi-Lum Haxhiu; Nasim Haradinaj; komandantin e Divizionit të Kuksit, gjeneral Kudusi Lama; për ushtarakun dhe dëshmorin tropojan Tahir Sinani- luftëtarin e UÇK-së, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare; për dëshmorët Agim Ramadani, Sali Çeku, Kasim Uka, Xhemail Fetahu dhe Milazim Mavraj, i njohur me nofkën "Çeçeni"; për gjeneralin Gëzim Osdreni; për Rrustem Berishën dhe Anton Çunin; për drenicakun e plagosur që i ka namur pse nuk e lan të vdiste në tokën e Kosovës; për supen me ujë të borës në Rrasë të Zogut e për specialitetin e hithrave të zier; FARK-un e pengesat tjera; betejën e Koshares, kalimin e Bjeshkëve të Korabit etj. Rrëfime autentike të djaloshit gjakovar, i mërgur si fëmijë në Suedi, rrëfime të një djaloshi të ri për nga mosha, por me një bagazh të madh të kontributit për çështjen kombëtare shqiptare, pjesmarrës i dy luftërave dhe shumë betejave.


Edituar për herë të fundit nga MARY në Tue Jul 15, 2008 12:29 pm, edituar 1 herë gjithsej
Mbrapsht në krye Shko poshtë
MARY
Anëtar
Anëtar
MARY


Female
Numri i postimeve : 261
Age : 38
Vendi : VL
Profesioni/Hobi : music
Registration date : 28/03/2008

DJALOSHI QË KALOI BJESHKËT E RRASËS SË ZOGUT DHE  KORABIT Empty
MesazhTitulli: Re: DJALOSHI QË KALOI BJESHKËT E RRASËS SË ZOGUT DHE KORABIT   DJALOSHI QË KALOI BJESHKËT E RRASËS SË ZOGUT DHE  KORABIT EmptyTue Jul 15, 2008 12:20 pm

PYETJE: Frashër, a mund të na thuani fillimisht se që sa vite jeni në mërgim?

FRASHËR OSEKU: Familja ime u arratis nga Gjakova në Suedi në vitin 1989. E mbaj mend fort mirë atë mëngjes të 29 marsit 1989, kur im at, unë, vëllau e motra përvidheshim përbri punkteve policore serbe. S'do të harroj kurrë se si dukej sheshi i Gjakovës atij mëngjesi; i mbushur policë e i mbuluar me tis të hollë, të bardhë, mbetje e gazit lotësjellës të hedhur një ditë më parë. Ne morëm arratinë, pra të nesërmen e ditës kur serbët shkelën me tanke mbi Kushtetutën e Kosovës. Demonstrata të furishme e kishin tronditur Gjakovën një ditë më parë, e do ta trondisnin sërish në mbrëmjen e 29 marsit. Por, atë mbrëmje unë s'do të isha më në Gjakovë, në qytetin tim të lindjës.

PYETJE: Si e gjetët atë kohë organizimin e mërgatës shqiptare në Suedi?

FRASHËR OSEKU: Paj, zor edhe ta quash organizim. Kishte tek-tuk ndonjë shoqatë shqiptare, p.sh. famozja "Kosova" në Malme, që asokohe ishte disi si ajo "Vatra" shqiptaro-amerikane, por në Suedi. Mirëpo s'kishte ndonjë bashkim shoqatash. Njëfarë aktiviteti e bënte edhe LPK-ja, në Malme kryesisht, por në Suedi më pak se sa në shtetet tjera evropiane. Por, veprimtarët hasnin në rezistencë të fortë të agjenturës jugosllave. Pastaj ato edhe ishin kohë të tjera. Njerëzit sa i druanin ambasadës jugosllave, aq edhe u shmangeshin fanatikëve të vllazërim-bashkimit tek një pjesë e shqiptarëve që vëllezër kërkonin ku nuk kishim! Ishte, thjeshtë kohë e pakohë! Por, s'kaluan shumë muaj pas arritjes sime në Suedi, e në Evropën Lindore u shemb blloku i perandorisë ruse. Mendoj që ajo shembje, ndërrimet edhe në ish-Jugosllavi, ishin parakusht për t'u këndellur mërgata shqiptare dhe për të parë se ku i kemi vëllezërit e vërtetë dhe për çfarë vllazërimi duhej angazhuar. Pasoj pastaj edhe vala më e madhe e mërgimtarve dhe të përndjekurve që u vendosën përkohësisht në Suedi.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
MARY
Anëtar
Anëtar
MARY


Female
Numri i postimeve : 261
Age : 38
Vendi : VL
Profesioni/Hobi : music
Registration date : 28/03/2008

DJALOSHI QË KALOI BJESHKËT E RRASËS SË ZOGUT DHE  KORABIT Empty
MesazhTitulli: Re: DJALOSHI QË KALOI BJESHKËT E RRASËS SË ZOGUT DHE KORABIT   DJALOSHI QË KALOI BJESHKËT E RRASËS SË ZOGUT DHE  KORABIT EmptyTue Jul 15, 2008 12:20 pm

PYETJE: Cili ishte dhe cili është sot aktiviteti i Shoqatës "Besa" dhe revistës "Drita"?

FRASHËR OSEKU: Shoqata "Besa" në Trelleborg ka organizuar në gjirin e saj qindra familje shqiptare që jetojnë në këtë port jugor të Suedisë. Në Suedi, shqiptarët kanë qejf kryesisht të banojnë sa më në jug, ku janë afër farefisit në Gjermani, e besa edhe më afër Kosovës. Vetëm distanca prej pikës më jugore deri te ajo më veriore, këtu është njësoj e madhe si distanca mes Kosovës e kufirit suedez! Në Shoqatën "Besa" zhvillohet aktivitet kulturor, si mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët mërgimtarë, organizimi i kremtimeve kombëtare, pastaj aty janë planifikuar dhe organizuar edhe demonstrat e komunitetit shqiptar. Shoqata "Besa" është spikatur edhe për rolin që ka në mediat suedeze, ku e ka pasqyruar gjendjen sociale të komunitetit lokal shqiptar, etj. Për një kohë të gjatë, revista "Drita" e kësaj shoqate ka qenë shtypi i vetëm i komunitetit shqiptar në Suedi, me artikuj në të dy gjuhët. Por, Shoqata "Besa" do të mbahet mend, besoj, sidomos për përkushtimin atdhetar në mbledhjen e fondeve të luftës. Është e vetmja shoqatë shqiptare në Suedi, e besoj edhe gjetkë në botë, ku fondet janë paguar një qind për qind. Ec e mos paguaj, s'të folte kush me gojë! Le që Baca, im at, (Shefki Oseku, kryeredaktori i revistës. vr. e autorit ) kishte kërcënuar publikisht se do t'i botojë në gazetë emrat e atyre që i ikin detyrimeve…

PYETJE: Revista "Drita" mblidhte rreth vetes gazetarë dhe veprimtarë në mërgatë, ku në mesin e tyre dallohet Hajdin Abazi- Lum Haxhiu, dhe ishte propaganduese e flaktë e çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Sa ka qenë e shpërndarë dhe e lexuar revista "Drita"?

FRASHËR OSEKU: "Drita" lexohej nga i madh e i vogël. Si nga shqiptarët ashtu edhe nga suedezët e shumtë që parapaguheshin rregullisht në të. Asaj iu ndanë një periudhë edhe fonde enkas nga shteti suedez. Kopjet e revistës i shpërndanim shpesh pa pagesë. Mbaj mend p.sh. që u dërgonim kopje falas shqiptarëve të Islandës, që ishin kurthuar në atë ujdhesë të izoluar, mbetur pa asnjë kontakt me shqiptarët tjerë. Islanda është pak e parëndomtë në Evropë, meqë i detyron ikanakët t'i ndërrojnë edhe emrat e të marrin emra islandezë! Disa miq më kanë treguar më vonë që revista jonë iu paskësh bërë si zhuga organeve islandeze! Më vonë poashtu më ka rënë ta takoj një nga ata çunat që banonin në Islandë. "Zoti ju shpërbleftë", më tha, "ra "Drita" e më shpëtuan fëmijët prej asimilimit". E paskësh lexuar te "Drita" lajmin se TVSH do të fillonte me transmetime satelitore, e s'kishte pritur deri të nesërmen për ta blerë parabolën!
Mbrapsht në krye Shko poshtë
MARY
Anëtar
Anëtar
MARY


Female
Numri i postimeve : 261
Age : 38
Vendi : VL
Profesioni/Hobi : music
Registration date : 28/03/2008

DJALOSHI QË KALOI BJESHKËT E RRASËS SË ZOGUT DHE  KORABIT Empty
MesazhTitulli: Re: DJALOSHI QË KALOI BJESHKËT E RRASËS SË ZOGUT DHE KORABIT   DJALOSHI QË KALOI BJESHKËT E RRASËS SË ZOGUT DHE  KORABIT EmptyTue Jul 15, 2008 12:21 pm

PYETJE: Ju u lajmëruat vullnetar dhe iu bashkangjitët UÇK-së edhe me armë. Them edhe me armë, sepse me penë e me aktivitete tjera ishit të kyçur kaherë. Mund të na thuani se kur ndodhi kjo dhe si u bë organizimi?

FRASHËR OSEKU: Paj, ideja më kish pikur në kokë qysh moti. Por, kishte probleme praktike. Pikë së pari, s'kisha ende pasaportë valide. Pastaj, ta them të drejtën, e kisha pak edhe hallin e prindërve. Vëllai im banonte e punonte në Stokholm, një motër e kisha në anën tjetër të Suedisë, në Goteborg. Ç'do të bëja me pleqtë? Por, pas Epopesë së Jasharajve, erdhi momenti të ndahet shapi prej sheqeri. Kuptova se o do ta shporrnim ne Serbinë nga Kosova, o do të na shporrte ajo neve. Im at punonte në mënyrën e vet, nxirte revistën e mblidhte fonde, vëllai punonte në Zyrën e Kosovës në Stokholm, m'u duk se vetëm unë s'po bëja asgjë prej gjëje. Andaj vendosa që, tinëza prindërve, të flas me z. Nasim Haradinaj, që e dija se vente e vinte si drugëza prej vijave të luftës. Ai ma bëri rrafsh me fjalë fort të mira, por pas pak e vërejta që s'ia kisha mbushur syrin! I dhimbseshin prindërit e mit, apo mbase e kish sosur mendjen se unë s'isha material për luftëtar, kushedi? Kur e pashë se s'kishte hajr prej Nasimit, vajta e i rashë në derë Lum Haxhiut- Hajdin Abazit. I thashë troç: "Shoq, o merrëm me vete, o ika vetëm! I pyes hallkun nëpër Shqipëri për ta gjetur rrugën deri te fronti, por unë gjallë a vdekur në front do të shkoj, qoftë edhe fill i vetëm. Lum Haxhiu më këqyri një copë here seri, pastaj më tha të çohem e të hypi në veturën e tij. Kur pashë se po e grahte drejt shitores së materialeve ushtarake, më erdhi zemra në vend. Më ndihmoi aty për aty t'i blej pajisjet, uniformën, trastën, çizmet, rrobat e dimrit…kemi blerë tërë ditën. Trasta i lashë te apartamenti i tij, se s'kisha zemër t'u tregoja prindërve. Pastaj më ra të pres nja dy-tri ditë pa asnjë lajm. Ato ishin ditët më të gjata të jetës sime. Më në fund fare, kur gati më kish kopur barku, gjatë një demonstrate të komunitetit shqiptar në Malme, z. Haradinaj hypi në tribunë e tha se "nesër do të niset një grup vullnetarësh". Tek po fliste, se si m'u duk se më shikoi bash mua pak si më ndryshe. Ende pa e mbaruar ai fjalën, një zotëri m'u afrua e më tha me ton intim, si ta kisha njohur tërë jetën: "A deshe luftë? Hë luftën, bëhu gati të nisesh nesër!". Zotëriun, që erdhi e u iku si hijall pa u prezentuar, s'e njoha kurrë, por e kuptova që ishte kasnec i lig. Aty për aty vendosa që të vej në Kosovë pa u treguar fare as prindërve, as motrës e vëllait. S'kisha zemër t'i dal para nënës e t'i them se unë po shkoj, e se ajo e Baca do te mbeteshin filli vetëm në mërgim. Aty më mbeti nofka "Çun i mamasë"! Shokët qeshnin, se Frashër Oseku shkive guxon t'u del në log të mejdanit, por jo nënës! Aty më mbeti edhe nofka e luftës, "Mami"!

PYETJE: Në cilën brigadë jeni rreshtuar dhe cilat ishin angazhimet tuaja?

FRASHËR OSEKU: Të nesërmen herët, në ora 6 të mëngjesit, e pashë veten sus vet i katërti në ulëset e veturës së Nasim Haradinajt, në rrugë për Gjermani, e më tej në Kosovë. Shoferi Avdyl Hoxha, një shok me nofkën "Papulani", unë dhe Nasim Haradinaj, i cili këtë rrugë e kish mësuar përmendësh. Avdyli e Nasimi e kishin bërë këtë udhë disa herë, për mua s'e dinte njeri, por besoj se ikja e "Papulanit" ishte burim mërzie për krejt shqiptarët e Malmes! Jo vetëm për atë se ishte pakësa tip gazmor. Dy shokë tjerë zgjodhën të shkojnë me aeroplan. Me ta u takova sërish në Tiranë. Më vonë luftuam bashkë në një brigadë, por në njësi të ndryshme, prandaj ua kam harruar emrat. Në Gjermani na u bashkangjitën dëshmorët e mëvonshëm të betejës së Koshares, Xhemajl Fetahu dhe Milazim Mavraj, i njohur me nofkën "Çeçeni". Rrugës kishim humor fort të mirë. "Papulani" ishte i bindur se do ta mbijetonim luftën! "Rrini ngat meje ju, se ju ruan Allahu. Ta dishit ju se sa vetë i luten Zotit që unë të shpëtoj gjallë…!". Por kjo bindje iu zbeh pak edhe atij, edhe neve tjerëve, në tragetin prej Barit për në Durrës, ku Nasim Haradinaj desh e mbyti në det! Çështja ishte se "Papulani", që bënte be se i di fjalët më kyçe në të gjitha gjuhët e botës, i spjegoi Nasim Haradinajt se dreka në traget u përfshika në çmimin e biletës! Nasimi i shkretë, që kish vajtur me atë traget sa e sa herë i uritur, desh bërtiti prej gëzimit. Na dha urdhër ushtarak: "Togu gatitu, hani deri sa t'ju plasë tupani i veshit! "Papulani", që "e dinte italishten bylbyl", e përqeshi Nasimin e shkretë gjatë tërë drekës; ha e qesh! Por gazi i mbeti në fyt atij e neve, e më së shumti Nasimit, pak më vonë kur në tavolinën tonë mbërriu shefi i restorantit me tiketën e llogarisë!!! Në Durrës na priti vëllai i dëshmorit Xhemajl Fetahu. Aty më thanë ta lë pasaportën te dikush me besë. Shokët talleshin, "po u rat xhenaze shkive, mos i bëni edhe me pasaportë suedeze!". Andaj pasaportën e lashë te z. Sabri Novosella, një emigrant i vjetër, që qajti me lotë kur kuptoi se për ku ishim nisur. Aty në Shqipëri bëra një kiks të vogël! Do dreqi e m'u mbush mendja të marrë pjesë në një demonstratë për Kosovën, e prite ti kur të vijnë kamerat e TVSH-së! U orvata sa munda të fshehem prej tyre, por kur ta kesh të shkruar të bëhesh yll i estradës…Në daç beso, në daç jo, kamera më kish zënë për merak aty kah fundi, kur unë kujtoja se kish mbaruar rreziku. Me kostum kuqezi, krah për krah me Sabri Novosellën. Babë o birë, mos pyet! Ende pa mbaruar mirë demonstrata i cingërron mobili Sabri Novosellës. Kuptohet, në telefon është im at, që pyet se a ka mundësi që Frashëri të folë pak më nënën…Mos pyet! Vetëm atëherë kishin kuptuar babai dhe nëna ime se ku gjendesha!!
Me Nasim Haradinajn e Xhemajl Fetahun në krye, vazhduam të nesërmen drejt Veriut. Mbaj mend që u ndalem te varreza e dëshmorit Luan Haradinaj, ky ishte një si ritual i Nasimit, sa herë që vente andej. Pastaj në një pikë në mes të malit, Nasimi tha se duhet të vazhdojmë këmbë: "Krejt afër, nja pesë minuta udhë". Realisht dhjetë orë, kuptohet. Ishte aq terr, sa s'e shihje gishtin të ta fusnin në sy, e balta të mbërrinte deri në gju. Pas një ecejakeje trullosëse nëpër terrin e natës, që mua personalisht ma bëri bukur të kuptueshme vuajtjen e Golgotës, mbërrimë te një kompleks shtëpizash të vogla, si në filmat "partizanë e gjermanë"! Më thanë të shkoj të flej në një nga shtëpizat, ku po flinin të ngjitur si sardela plot djem të rinj. Tek të nesërmen kuptova se kisha patur nderin të flej në Kazermën e UÇK-së në Papaj, madje në selinë zyrtare të Batalionit Diversant-Vëzhgues, që quhej "Delta". Unë me shokët, "përforcimi prej Suedisë", kishim arritur më në fund në cakun tonë, në Brigadën 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas dhënies së gjeneralieve komandantit Sali Çeku, unë u caktova në njësinë kundërajrore "Shqiponja", komandant Sheqer Maloku, nofka "Sheqeri". Komandant "Sheqeri" na stërviti bashkë me disa kolegë që kishin punuar më herët në Ushtrinë Shqiptare, në përdorimin e mitralozëve kundërajrorë, 12.7 mm. Tash kur kujtohem, më duken fort interesante udhëzimet e Sheqerit se si rrëzohen me mitraloz avionët supersonikë! Por, asokohe kjo më dukej reale. Në të vërtetë, togjet kundërajrore i përdornim më së shumti si komplement të artilerisë në beteja tokësore. Sidomos në betejën e Kosharës, ku pa "Shqiponjat" kundërajrore zor që do të ishte thyer kufiri. Por, me sa di unë, avionët serbë na shpëtuan pa i rrëzuar. Përpos MKA-së, Nasimi, i cili e dinte se unë di t'i përdori datorët, kompjuterët, më bëri edhe punonjës të administratës në Shtab të Brigadës. Aty pata pak probleme, meqë disa nisën të më mbajnë nasihat për njëfarë FARK-u. Mbeta pa mend, meqë për farka e qfarka s'kisha dëgjuar gjë deri më atë ditë. Njëfarë nofka "Leopardi" thoshte se "me kokardë kroate në kokë e me FARK në krah, unë s'pyes për UÇK"!! Edhe me njëfarë "doktor Agroni", që i kish stolisur datorët me shenjat e FARK-ut, s'më zgjati fort shoqëria. Kjo puna e FARK-ut, si e mora vesh atyre ditëve, ishte nisur e bitisur zyrtarisht qëmoti, por ec e merru vesh ti me leopardat e me agronët!!
Me urdhër të Nasimit, e besa edhe nga droja se mos po më shkonte huq tërë udha, meqë unë isha nisur për në UÇK e jo në farë modelesh të reja, i hoqa të gjitha shenjat e huaja nga administrata. Disa buxhovana zunë të më bijnë në qafë; e përhapën se isha "komunist", "këlysh i kuq" etj etj!! Dikush ndoshta thotë se do t'u pengonte biografia ime dhe e tim ati, që është diametralisht e kundërt me këto akuza, por jo. Sido që të jetë, sherri mbeti në nivel përgojimesh, sepse sa herë që lypnin fesat me mua, veç u transmetoja të merren vesh me Nasimin. E, atyre me Nasimin s'ua mbante "të merren vesh".
Kujtimi më i mirë nga shërbimi në administratën e Shtabit është takimi me njerëzit profesionistë e shembëlltyrë, si Komandanti Agim Ramadani, që ra hero në thyerjen e kufirit, ai më ka mbetur në mendje e në shpirt si njeri tejet i afërt. Kishte gaca në sy, një zë të qetë e të shtruar që s'e ngriste kurrë, kurse fliste më së shpeshti në gjuhën letrare. Ishte i pari prej komandantëve që më ra të puqemi e të flasim shtruar, e i tillë, i hapur e i afërt, ishte me të gjithë, në Shtab e jashtë tij. Komandant Agimi ishte ai që më propozoi të futem në Mbrojtjen Kundër Ajrore, ndonëse mua vetëm "Deltat" ma mbushnin syrin!! Po pate problem diçka, fol me Agim Ramadanin, ai ta gjente çaren. Ai na printe i pari ne ushtarëve në vrapimet e mëngjesit, ndante bukën me ne (për dallim prej disa oficerëve tjerë të "karrierës" nga ish-Jugosllavia), rrinte me ne në pauza…Komandantin e "Deltave", Anton Çuni, si dhe komandantin e këmbësorisë, Hysen Berisha, i njoha poashtu si njerëz të jashtëzakonshëm. Nuk do t'ia harroj kurrë se si më ndejti te koka një ditë e një natë komandant Çuni, kur u helmova nga ushqimi në një rast. U kish premtuar "Deltave", te të cilët vazhdova të flej gjatë tërë kohës, se do të kujdesej për mua.
Rrustem Berisha u bë komandant Brigade pas rënies së Agim Ramadanit, sigurisht për shkak të rangut profesional. Me të kam kuvenduar krejt pak, ishte njeri formal, që qëndronte në prapavijë. Mbaj mend që më lavdëroi një herë para tjerëve pse s'kisha pranuar të ndërrohem nga roja në vijën e parë, ashtu formalisht si e kish zakon, por diçka më tepër s'kemi kuvenduar.
Kjo puna e rojes ishte çështje nderi për mua. Kisha bërë be se kur të futem brenda në Kosovë, ku ndodhej vija e parë e rojes, i gjallë s'dal prej aty. Komandant "Sheqerit" i pata thënë: Prej Kosovës mund të më nxerrni o si xhenaze, o në muaj të mjaltit pas dasmës në Gjakovë! Kështu që kur më erdhi radha të mbaj rojën, s'kish birë nëne që më heq më prej aty!! Nja 3-4 ditë s'erdhi as ushqimi, por me shoqëri të mirë ta ka endja të hashë edhe supë me ujë bore e hithra të zier, specialitet "Rrasa e Zogut". Rrasa e Zogut ndryshe thirret ndër veteranët edhe me emrin "Rrasa e Vdekjes". Jo krejt pahiri, ta merr mendja, meqë aty i lanë eshtrat shumë prej shokëve tanë, e më shumë prej shkive. Luftimet bëheshin shpesh në distancë prej disa metrave, e fishkëllima e snajperëve dhe krismat e dum-dumëve ishin pauzë e këndshme para ushtimës së predhave. Por, megjithatë, betimin s'e mbajta dot! Unë e kam patur gjithmonë këmbën e madhe, por se këmba e madhe ta merrka fytyrën, këtë e kuptova së pari te Rrasa e Zogut! Puna ishte se çizmet e mia "suedezka" ia kisha dhënë Fadil "Mortajës", që ra dëshmor më vonë në betejën e Koshares. Ai e kishte nofkën "Mortaja" për kujtim të natës së Vitit të Ri 1999, kur krye në vete e paskësh qëlluar me mortajë karakollin serb në Koshare!! Fadili, si xhentëlmen që ishte, në vend të çizmeve të mia fringo m'i dha mbathjet e veta, mall turku më duket, që vetëm një fantazi e pasur mund t'i quante çizme. Pas pak kohe, ato m'i shqyen edhe çorapët, e si pasojë mua m'u desh t'i mbështjelli këmbët me bluzë! Këmbët e mia u bënë objekt studimi te i gjithë togu im në Rrasë të Zogut!! Disa i studionin format e tyre, që ndryshonin nga ora në orë. Disa të tjerë iu kushtuan lokalizimit të "çizmeve" pas zjarrit të armikut, meqë ashtu pa lidhëza si ishin, fluturonin në të katër anët ! Një natë, unë dhe një shok me nofkën "Opoja" u desh ta lypim çizmen e djathtë në mes të territ! Meqë ishte vija e parë, ku punonte snajperi ditë e natë, s'guxonim as ta çojmë mendjen te shkrepësat. Më duket që "Opojës" asaj nate iu mbush mendja se isha "spiun i shkive"!! Nëse e lexon këtë intervistë, shfrytëzoj rastin ta përshëndes dhe t'i kërkoj publikisht ndjesë!! Sidoqoftë, të nesërmen më detyruan shokët, nën kërcënim me armë, që ta lëshoj rojen e të zbres në Padesh për t'u pajisur me çizme të reja!!
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Sponsored content





DJALOSHI QË KALOI BJESHKËT E RRASËS SË ZOGUT DHE  KORABIT Empty
MesazhTitulli: Re: DJALOSHI QË KALOI BJESHKËT E RRASËS SË ZOGUT DHE KORABIT   DJALOSHI QË KALOI BJESHKËT E RRASËS SË ZOGUT DHE  KORABIT Empty

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
DJALOSHI QË KALOI BJESHKËT E RRASËS SË ZOGUT DHE KORABIT
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» "DITËT E ZOGUT TË ZI" poemth mitik nga Kristaq F. Shabani
» Marrèveshja Nikolla Pashiqit- Ahmet Zogut e Gusht 1924

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Bashkimi Kombëtar :: Shqiptarët-
Kërce tek: